Filmi “Fati im” – versioni shqiptar

December 14, 2008   | Kulturë / Kultura

Përurimi në Ulqin i filmit “Fati im” të autorit Rrok Markolaj,i realizuar në Amerikë, është ngjarje e veçantë për kinematografisë shqiptare.
Ky përurim në Ulqin, në Pallatin e Kulturës, më 3 gusht 2008, i organizuar prej Shoqatës “Don Gjon Buzuku”, ka edhe dy veçanti? regjisori Rrok Markolaj është shqiptari i parë, i cili realizoi filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë në Amerikë, si dhe e shfaqi këtu për herë të parë mbas Prishtinës. Me këtë film, ky artist i tregoi jo vetëm opinionit shqiptar, por edhe atij të huaj, se në radhët e shestanasve ka edhe regjisor që çmohen në kinematografinë ndërkombëtare.
Rrok Markolaj, i cili prej shumë vitesh jeton në Nju-Jork, është ndër shqiptarët e rrallë në diasporë nga Mali i Zi, që profesion ka regjinë dhe xhiron filma në shqip dhe anglisht. Ai ka lindur në Dobrec (pjesë e fshatit Ljare të Shestanit, ana perëndimore e Krajës, jugperëndimi i Liqenit të Skodrës, rrethi i Tivarit). U edukua në një familje të ndershme shqiptare, ku me shekuj ruhen mikpritja, burrëria, fisnikëria dhe morali. Në moshën e re, bashkë me familjen e tij, dy vëllezërit dhe motrën, merr rrugën e kurbetit si shumë shestanas të tjerë. Pas tre muaj qëndrimi në Itali shkon në Amerikë, tek vëllai i madh. Fillimet e tij në “tokën e shenjtë”, siç e quajnë Amerikën, nuk kanë qenë të vështira, mbasi i vëllai i tij ia mundësoi kushtet të cilat as që i ëndërronte kur ishte në Ljare. Ai i ka të freskëta kujtimet për fëmijërinë në vendlindje, për fshatin e varfër shkëmbor nën bjeshkën Rumi, shtëpitë e ndërtuara prej guri, pa rrugë të asfaltuara, pa drita elektrike, pa radio e televizor, pa telefon, por plot me njerëz fisnik, të ndershëm e bujar, që mbijetonin me mjaft vështirësi.
Pasioni për filmin
Si fëmijë mban mend të kishte parë në Ljare filmin e titulluar “Beteja në Sutjeskë” dhe dy të tjerë në Ulqin, që nuk i kujtohen emrat, por të cilët i kanë pëlqyer. Me të shkuar në Nju-Jork ai fillon të punojë në një kinema private, si kontrollues biletash. Kjo punë i mundësoi atij të shohë shumë filma, që ishin edhe vendimtarë në përcaktimin e profesionit të tij të jetës, edhe pse, siç thotë ai, dëshira e tij ka qenë të bëhet arkitekt, meqë gjatë shkollimit të mesëm ka qenë i shkëlqyer nga matematika. Markolaj u diplomua për regji në Kaliforni tek njerëzit e njohur të botës së filmit, siç është i famshmi Xhorxh Lukas e shumë të tjerë. Ai paraprakisht për regji është aftësuar në Londër, Angli. Është autor i katër filmave, tre në anglisht: “My Christmas Gift” (1993), “Till Death Does US Part” (2000) dhe “Instant Message” (2005) si dhe një film shqip “FATI IM” (“My Destiny”, 2006), apo siç e kanë quajtur gazetat amerikane “Romeo dhe Gjulieta”, por në versionin shqiptar.
Dashuria e ndaluar
Filmi i titulluar “FATI IM” (“My Destiny”) i cilësuar si një komedi romantike, është xhiruar nëpër ambientet e popullatës shqiptare që jeton në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në film paraqitet një dashuri e ndaluar në mes të një djali shqiptar nga Ulqini, me emrin Martini (iterpretues aktori joshqiptar Ari Myrtaj) dhe një vajze shqiptare nga Kosova me emrin Hana (interpretuese aktorja kosovare, Diana Cena, nga Gllogjani). Familjet e tyre nuk pajtohen me dashuritë e tyre, për shkak se një vajzë nga Prishtina nuk bën që të martohet me një djalë ulqinak, meqë ata janë shumë larg njëri-tjetrit dhe për shkak të dallimeve regjionale të prejardhjeve të tyre, për ç’arsye çifti gjendet në një rrugë që i fut ata në një labirint të dyfishtë. Përveç Diana Cenës dhe Ari Myrtaj, parqiten edhe aktorët Nebi Shabani dhe Skënder Ademi nga Kosova, Linda Zoraqi nga Tirana dhe Ela Haxhari nga Shkupi. Rrok Markolaj, i cili po qëndron në Ulqin, thotë se qëllimisht ka përzgjedhur temën e dashurisë për të lidhur gjithë komunitetin shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi vlerësoi se shqiptarët si çdo popull tjetër kanë nevojë për më shumë dashuri me njëri-tjetrin. Autori i këtij filmi, i cili përveç regjisë ka bërë edhe skenarin dhe produksionin, shprehet i kënaqur me pritjen që i është bërë nga publiku kosovar, pas premierës në Prishtinë në prill të këtij viti. Ndërkaq, ai thotë se interesimi i publikut shqiptar në Amerikë është shumë më i vogël. Rinia e atjeshme shqiptare për fat të keq nuk tregon ndonjë interesim të dukshëm për filmin, kështu që për një regjisor që dëshiron të realizojë film me aktorë shqiptarë e ka shumë vështirë.
Planet
Ky regjisor shqiptar thotë se filmin “Fati im”, përveç në Kosovë e Ulqin, parashikon ta japë premierë në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Shkup dhe në qytete të tjera të Evropës Perëndimore, ku jetojnë shqiptarët. Përveç shfaqjes premierë të kësaj komedie të këndshme, shton Markolaj, është edhe mundësia e njohjes me komunitetin e artistëve shqiptarë në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera. Ai po ashtu brenda gjashtë muajsh do të përfundojë filmin e tij të pestë të titulluar “Ljarja”, kushtuar vendlindjes së tij, në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe gjuhën malazeze. Regjisori Markolaj planifikon të realizojë edhe një film për shkollën publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një tjetër për shqiptarët si mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai mendon edhe për themelimin e festivalit të filmit shqip në Nju-Jork, sepse një gjë të këtillë e kanë edhe popujt e tjerë në Amerikë.
Gjekë Gjonaj
www.buzuku.info