“Kënga Magjike”, jo nostalgji, por fillim

December 14, 2008   | Lajmet / Vijesti

Përreth ka një staf të madh në numër, por duket se shumë gjëra duhet t’i çojë vetë deri në fund. Telefoni bie pa pushim dhe nuk di se kujt t’i përgjigjet më parë. Është vigjilja e festivalit dhe Ardit Gjebrea është si në gjemba. Ndoshta sepse është një 10-vjetor dhe përgjegjësia sa vjen e rritet. Të enjten, në Pallatin e Kongreseve nis edicioni i 10-të i festivalit “Kënga Magjike”. Emra të njohur të muzikës shqiptare do të ngjiten në skenë përgjatë tre netëve. Konkurrencë e fortë, spektakël, por edhe shumë çmime.

Këtë vit “Kënga Magjike” mbush 10 vjet, si vjen ky festival në këtë edicion?

Për një gjë jam i lumtur. Ka pjesëmarrës artistësh dhe këngë të bukura si asnjë vit tjetër. Autorët, interpretuesit dhe studiot janë ndër më të mirët, që kanë trojet shqiptare dhe ajo që është pika e fortë e festivalit është krijimtaria. Artistët kanë ardhur të përgjegjshëm si asnjë vit tjetër.

Mund të lidhet kjo me jubileun?

Nuk di nëse kjo lidhet me 10-vjetorin e festivalit, apo me përgjegjshmërinë e artistëve që është rritur, me pretendimin e tyre për të arritur në nivelet e larta profesionale.

Ka një tendencë muzikore ky edicion?

Çuditërisht ky është viti i baladave. Ndoshta është një rikthim i baladës si rrymë, pasi duhet thënë që këngët e këtij lloji i rezistojnë kohës dhe ndoshta si e tillë ka ardhur me shumicë në festival. Por vjen moderne dhe tek-tuk me ndonjë element ritmik. Viteve të shkuara ka pasur edhe ndonjë problem, të tipit, këngë e vjedhur, ndërhyrje në juri…

Keni qenë më të qetë këtë vit nga këto fenomene?

Për fat të keq ka pasur dy këngë, që janë përjashtuar nga festivali. Njëra është për faj të “lupeve” muzikore, që qarkullojnë në të gjithë botën dhe kjo këngë ishte marrë sipas këtij formati, ndërsa tjetra është shitur nga një kompozitor zviceran. Ishte shitur për origjinale, por në të vërtetë ishte e vjedhur dhe këngëtari nuk dinte asgjë për këtë. Sigurisht këngëtarët vetë nuk mund të dinë gjithçka që bëhet në botë, por me keqardhje mu desh të mos i pranoja, edhe pse të dyja ishin të vlefshme për në gjysmë finale.

Sërish vetëm në skenë?

Nuk do të jem vetëm, do të kem dhe dy partnere, Artemisa Ozajn dhe Elektrën e Radio NRG. Janë dy prezantuese të reja, që provojnë për herë të parë këtë eksperiencë. Më pëlqen të provoj, të jap mundësi, të krijoj hapësira për të rinjtë. Më pëlqen që gjërat të bëhen ndryshe, përkundër gjithçkaje që ne kemi parë.

Ende nuk janë ndezur dritat e skenës, megjithatë skenografia duket tërheqëse…

Është një tjetër element i rëndësishëm që ne ia besojmë një emri të madh të skenografisë italiane. Bëhet fjalë për Gaetano Castellin. Është një emër i madh që ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, ka bërë 16 festivale të Sanremos, mes të cilave dy të fundit. “Serata d’onore” e Pippo Baudo-s, skenografitë e Adriano Çelentanos, “Senso della vita” e Paolo Bonolis, 6 skenografi në studiot e RAI-t, që shihen çdo ditë… të gjitha mbajnë firmën e Castellit. Pra, mund të thuhet se është një artist që ka bërë historinë e skenografisë italiane. Kështu që është nder për ne, që bashkë me Franco Ferrarin që është drejtori i fotografisë së RAI-t, vijnë për të punuar për një festival shqiptar.

Meqë mbushet një dekadë, keni lënë vend për pak retrospektivë?

Juria e këtij viti përbëhet nga presidentët e 9 edicioneve të shkuara. (Për fat të keq Vath Koreshi nuk është më). Në natën e tretë do të jenë fituesit e festivaleve. Pra do të ketë restrospektivë, por e ekuilibruar, sepse ngjarja e vërtetë është festivali i dhjetë. Për mua, ky edicion është fillimi i një kapitulli të ri, jo një përmbledhje.

Sistemi i votimit vazhdon të jetë i njëjti?

Edhe këtë herë artistët votojnë për njëri-tjetrin. Vijon të jetë e njëjta strukturë. Sapo mbaruam një mbledhje me ta. Kërkova transparencë dhe mirëkuptim, të evitojnë lobingjet dhe mërirat që mund të kenë me njëri-tjetrin, për të pasur një votim sa më të mirë.

Është e vërtetë që ky sistem “çliron” jurinë nga përgjegjësitë, por sa të vërtetë janë këngëtarët në votim?

Viteve të fundit kam qenë i kënaqur, sepse është përmirësuar sistemi. Më parë këngëtarët votonin vetëm për 10 këngë, duke e pasur shumë të vështirë dhe duhet thënë se kishte shumë subjektivizëm. Në tre vitet e kaluara u dhashë mundësinë të votonin për 15 këngë dhe kam qenë i kënaqur, ndërsa këtë vit do të votojnë për 20 këngë. Kam shtuar mundësinë e votimit, duke evituar diferencën e çmimeve nga i pari tek i dyti e kështu me radhë. Shpresoj që të jetë një sistem optimal.

Panorama

YouTube Preview Image