Mbi librin “Rreze Vegimi” të Marash Gjon Kaculit

December 14, 2008   | Kulturë / Kultura

Vazhdimësi e krijimtarisë modeste

Vlera e veprës, përveç apelit të qartë dhe të zëshëm të kushtrimit për ruajtjen dhe krijimin e vlerave të reja, përmban edhe disa perla nga vegimet e autorit të përjetuara në shpirtërinë e tij në kohëra e vende të ndryshme, qoftë duke zënë peshk me kalimere, qoftë duke shetitur në vetmi në bregun e detit të mrekullueshëm.
Libri “Rreze vegimi” është libri i dytë me të cilin autori, Marash Gjon Kaculi, i prezantohet publikut tonë tre vite pas botimit të librit të tij të parë “Gjallë se gjallë” i cili është pritur me shumë respekt nga lexuesit. Është kjo një vazhdimësi e krijimtarisë modeste të një autori, i cili shkruan, duke u inspiruar nga kultura vendore kombëtare dhe vlerat e mëdha shpirtërore të kombit tonë. Ai, në mënyrën e vet, lëshon britmën dhe apelon në mbledhjen e thesarit shpirtëror që kemi, në ruajtjen e tij nga dhëmbi i kohës dhe nga harresa, e cila, qoftë e qëllimtë apo edhe e paqëllimtë, ka ditur të na gëlltisë e të na asgjësojë shumë nga vlerat e thesarit tonë. E kush han vlerat shpirtërore dhe kulturore, kush “harron” historinë e vet, ia shkrujanë të tjerët, ashtu siç duan dhe dëshirojnë ata, sepse ai me harresën e vet, han substancën esenciale, vetëvehten për së gjalli.
Edhe pse e kemi kaluar kohën e konbformizmit dhe rrapatemi akoma me shtetformimin, konsolidimit tonë shpirtëror, ndërgjegjësimit dhe vetëdijësimit kombëtar, akoma i jemi shumë të detyruar, sidomos pjesa e etnisë e cila për shkaqe nga më të ndryshmet, ka lënë shumë e shumë vlera identiteti në harresë. Pikërisht këtu, autori ngrit zërin e vet kryengritës, shpalon gjendjen, tregon vlerat, ngjall shpresën dhe kërkon që të jemi kreatorë, pjesëmarrës të gjallë të historisë së gjallë, të mos flejmë “me gjumë të rëndë”, të mos shndërrohemi në “kumirë modernë”, por përkundrazi të bëjë secili aq sa është thirrur nga statusi i vet aty ku punon dhe vepron, aq sa i përket dhe i takon për të bërë. Njerëzit vlerësohen nga vepra e vet, jo të bërë për vetveten, por për kombin të cilit i takojnë.
Vlera e veprës, përveç apelit të qartë dhe të zëshëm të kushtrimit për ruajtjen dhe krijimin e vlerave të reja, përmban edhe disa perla nga vegimet e autorit të përjetuara në shpirtërinë e tij në kohëra e vende të ndryshme, qoftë duke zënë peshk me kalimere, qoftë duke shetitur në vetmi në bregun e detit të mrekullueshëm. Ky opus krijimtarie, vjen me freskimin e vet si ujë i kthjellët dhe i freskët “nga burimi i gjallë i Sukës”, nga gurra e shpresës e cila e mbanë gjallë çdo njeri.
Stili i veçantë, narratura frymëzuese dhe sfiduese, e bëjnë veprën të lexohet me ëndje dhe kurreshtje të pangopshme, ku arti dhe krijimtaria shkrihen në një prozë poetike mbi shpresën, e cila bën që jeta të kuptohet më mirë dhe të shijohet si një dhuratë e shtrenjtë e cila duhet jetuar dhe vlerësuar si dhurata më e vlershme që mund të gëzojë një individ.
Njeriu që ia hap zemrën Perëndisë dhe e thërret si mik të mirë Shpirtin e Shenjtë, me siguri sheh dhe shijon edhe nga e padukshmja dhe e pashmangshmja, nga vepra e madhe Hyjit, por edhe e njerëzve në bashkëkrijim dhe bashkëveprim me Hyun, me dhanti të veçanta shpirtërore dhe mendore, siç është autori.
Lexuesi tani e ka librin para vehtes dhe lirinë e pamohueshme të mendimit dhe shijimit. Unë dëshiroj të ju pëlqejë aq sa më ka pëlqyer mua që pati fatin ta lexoj i pari dorshkrimin. Do të madhëngjeheni, do të kënaqeni, do të sfidoheni dhe do të tundoheni, por në fund do të mësoni edhe për dashurinë, besimin dhe shpresën në të cilat mbahet dhe mbështetet jeta e të gjithë neve.

Autorin e përgëzoj për veprën e tij të cilën nuk e mbajti për intimën e vet, por atë na e dhuroi ta lexojmë dhe të ndajmë me të vegimet e bukura shpresndjellëse. Dëshiroj që së shpejti, dhëntë i lumi Zot, të na sjellë edhe ndonjë perlë të re nga krijimtaria e tij.
Anton Filipaj
Koha Javore
YouTube Preview Image