Orinda: Nuk më pëlqen të flas për lidhjen time

December 14, 2008   | Lajmet / Vijesti

Nuk është më ajo që ishim mësuar të shihnim, një vajzë çapkëne për të cilën befasitë nuk kishin asnjëherë fund. Tashmë imazhi i saj është tjetërsuar. Ka kaluar në një seriozitet që nuk do të mendohej se do i ndodhte, por që në fakt po i bën mirë. Ndihet e lumtur dhe e kompletuar në atë çka ka arritur të krijojë. Kjo është gjendja aktuale e Orinda Hutës.

Këngëtarja prej disa kohësh është shkëputur nga media duke mos iu përgjigjur interesimit të gazetarëve ku siç thotë dhe vetë ajo, duhej një periudhë pushimi. Në një intervistë për ‘Bluetooth’ Orinda ka rrëfyer për jetën e saj private.

Çfarë po bën Orinda këto kohë? Ndonjë këngë apo klip të ri?

Jam duke u marrë me shkollën dhe sigurisht muzikën nuk e kam lënë pas. Jam duke u marrë me një këngë të re dhe klipin e saj, të cilat shumë shpejt pres t’i publikoj. Bëhet fjalë për një këngë të ngrohtë, gjë për të cilën ka nevojë publiku tani, meqenëse po afrohet edhe dimri. Kam edhe një projekt tjetër në dorë që nuk ka fare lidhje me muzikën apo me shkollën time. Është nismë e imja dhe e familjes time që është mbështetja ime kryesore. Është akoma shpejt për të folur konkretisht ndaj dhe unë nuk po e zbuloj.

Bashkëpunimi më i fundit?

Bashkëpunimi më i fundit ka qenë me Albanin e ‘Produkt 28’. Kam dalë shumë e kënaqur nga ky bashkëpunim. Kënga u bë hit menjëherë, merite kjo e ‘Produkt 28’. Klipi u pëlqye shumë, meritë kjo e Bledar Linzës dhe Altin Agos të cilët i falënderoj shumë. Kënga “Tradhtia” më ka pëlqyer që kur e dëgjova për herë të parë dhe pranova menjëherë bashkëpunimin edhe pse sapo kisha dalë nga një i tillë me NRG Band. Por të dyja bashkëpunimet janë krejt ndryshe dhe secila ka bukurinë e kënaqësinë e vet.

Vijojnë marrëdhëniet e mira me NRG Band? Ku qëndron sekreti?

Patjetër që vijojnë marrëdhëniet e mira. Jemi miq dhe kemi ditur të respektojmë punën e njëri-tjetrit. Nuk ka ndonjë sekret të madh, thjesht respektojmë punën dhe njëri-tjetrin. I vlerësoj shumë si grup dhe ia ndjek punën. Janë djem shumë të talentuar dhe padyshim që, Besniku është një nga zërat më të mirë meshkuj në Shqipëri.

Si është shpirtërisht Orinda këto kohë?

Faleminderit Zotit, jam shumë mirë shpirtërisht. E lumtur!

Dihet tashmë që jeni e dashuruar. Diçka rreth lidhjes tënde?

Po jam e dashuruar. Nuk më pëlqen të flas shumë për lidhjen time. Më pëlqen ta kem vetëm për veten time. Të vetmen gjë që mund të pohoj për ju është se jam e lumtur që e kam në krah.

Je xheloze?

Zakonisht nuk më ka ndodhur të shfaqem xheloze. Xhelozia ime i njeh limitet..

Po tolerante?

Nuk e di. Thjesht di që mirëkuptohem në marrëdhënie. Unë jam gjithmonë me teorinë 50-50 në çdo gjë. Çdo gjë është e barabartë në një lidhje. Nuk jam posesive, kjo është e sigurt.

Marrëdhëniet në familje?

Të shkëlqyera. Janë mbështetja ime në çdo gjë. Në ditën time është gjithë kohës prezent edhe nipçja im i cili ka mësuar të më thërrasë “aja” se nuk e thotë dot “halla” edhe pse tenton ndonjëherë. Virvi është lumturi e madhe dhe ma plotëson shumë ditën. Kam mësuar si të kujdesem për të. E vetmja gjë që më trishton herë pas here është mungesa e Grace, mbesës time e cila jeton larg. Kur ajo vjen në Shqipëri unë harroj çdo gjë. I përkushtohem e gjitha asaj. Ajo është një mrekulli me sy blu dhe kaçurrela të verdhë.

Sipas shumë zërave tashmë imazhi yt është tjetërsuar, duke u treguar serioze në çdo aspekt paçka moshës. Ku konsiston kjo?

Nuk ka ndonjë qëllim të caktuar. Vërtet nuk jam më as 15, 16, 17, 18, 19, 20 vjeç. Ka ardhur natyrshëm ky seriozitet. Nuk jam aspak e sforcuar. Jam vetvetja në çdo moment. Jam bërë më e kujdesshme sigurisht. Gjithsesi për sa i përket veshjes unë vazhdoj të jem shumë sportive. Nuk heq dorë prej saj. Vetëm me sportiven ndjehem vërtet unë. Edhe fustanet e mia që përdor në ditë të zakonshme e kanë sportiven brenda.

Orinda nuk të shohim më në kompeticione. Pse?

Kam dashur të shkëputem nga kompeticionet për pak kohë. Normalisht do zgjidhja ‘Këngën Magjike’ sepse nga ai festival kam dalë dhe e vlerësoj shumë. Por edhe këtë vit zgjodha të bëja pushim për sa i përket festivalit. Po bëhem gati për këngën e re
Miku yt më i ngushtë?

Vëllai.

Po mikesha?

Motra.

Surpriza më e fundit që ke bërë?

Nuk po e them se dua të mbetet e tillë.

Bluetooth

YouTube Preview Image