Valtoni: Nuk e kam ditur që kënga ime ishte e kopjuar

December 14, 2008   | Lajmet / Vijesti

Jonida Maliqi ka fituar çmimin e pare ne festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Njëri nga ata”, ndërsa paraprakisht këngëtari kosovar Valton Krasniqi ishte përjashtuar nga festivali pasi që u njoftua nga revista “Albaniac” se kënga tij “Sytë e tu s’i mashtroj kurrë” është identike me një këngë gjermane. Ndërsa vetë këngëtari ka preferuar ta tregojë versionin e tij gjatë një interviste për “Panorama Plus”.

Valton u përjashtuat nga “Kënga Magjike”, pasi kënga juaj “Sytë e tu s’i mashtroj kurrë” u zbulua të ishte e kopjuar. Si është e vërteta?

Nuk e kam ditur që kënga ime ishte e kopjuar, apo se kishte ngjashmëri me një tjetër këngë, deri një ditë para natës së parë të “Kënga Magjike”. Unë e prezantova pak javë më parë atë këngë, dhe publiku më priti mjaft mirë.

Kush është kompozitori i këngës?

Është një djalë i ri që jeton në Zvicër, shoku i vëllait tim, i cili ma fali atë kompozim. Ai ma dërgoi të punuar vetëm në kitarë, që unë më pas e regjistrova si fillim në studion e Ilir Toljat në Kosovë. Kënga që kam kënduar është në dy versione, pasi nuk më pëlqeu miksimi i parë, dhe e punova edhe njëherë vetë, version me të cilin konkurrova në Tiranë.

Keni kontaktuar me kompozitorin dhe çfarë ju tha?

Unë u ktheva në Zvicër me urgjencë pasi kisha nënën sëmurë. Më njoftuan nga “Kënga magjike” se isha përjashtuar për këtë arsye, e telefonova kompozitorin menjëherë, dhe më tha se ai ishte frymëzuar nga një këngë gjermane.

Çfarë kënge është ajo, dhe kush është autori?

Krijim i një këngëtari amator, që jeton në Gjermani, jo i famshëm dhe që quhet Piero. Nuk kam informacion më tepër pasi këngën ai e ka publikuar vetëm në “Youtube”, në gjermanisht me titullin “Du bist mein leben”.

Sipas jush, sa ngjashmëri kanë dy këngët?

Për mendimin tim, tani pasi e kam dëgjuar dhe variantin tjetër them se kanë ngjashmëri vetëm në refren. Muzika është krejt diçka tjetër.

Si ndiheni tani, mendoni se ju dëmton në karrierën tuaj kjo që ndodhi?

Jo nëse e shoh në tjetër aspekt, e marr pak me humor pasi jam i lumtur që kënga është bërë hit në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Në “Youtube” ka mbi 4556 komente të mira për këngën. Pastaj unë nuk mund t’i di të gjitha këngët e botës.

Nëse takoni kompozitorin gjerman, çfarë do i thoni?

Do e komplimentoj shumë për këngën e bukur dhe që më pëlqen, dhe pse jo t’i kërkoj bashkëpunim nëse mund të realizoj ndonjë duet me të. Besoj mund të dalë një këngë shumë interesante shqip-gjermanisht.

Ju kishit pretendime për çmim?

Po patjetër, kënga ime ishte e favorizuar për çmim, pasi nga informacionet që kam pasur deri tani ka qenë një nga këngët më të pëlqyera në radiotshqiptare dhe maqedonase.

Me çfarë jeni duke punuar tani?

Jam duke punuar për një klip surprizë që do ta publikoj në dhjetor, pasi do dal duet. Por kaq mund të them për momentin.

Panorama Plus

YouTube Preview Image