Zanfina: Ende jetoj me familjen, sepse kjo ka qenë zgjedhja ime

December 14, 2008   | Lajmet / Vijesti
E lezetshme, e mençur, me një karrierë të suksesshme, në një të ardhme të afërt pritet të bëhet edhe avokate, personazhi në vazhdim është pikërisht pinjolla e familjes Ismaili, e cila u ngrit fuqishëm në ‘shoubizin’ shqiptar, duke fituar zemrat e fansave gjithandej trojeve shqiptare, me shumë sinqeritet dhe dashuri ju flet Zanfina në një intervistë për “Panorama Plus”…
Në çdo paraqitje tënden, qoftë festival apo mbrëmje muzikore, dukesh shumë bukur, në fillim për look-un është përkujdesur Ema kurse tashmë kush e ka atë detyrë?

Në përgjithësi, jam konsultuar me gjithë familjen, por pasi e krijoja një ide se si do performoja apo dukesha. Edhe tash është kështu, me këshillat e Emës, Adelinës dhe nënës dukem gjithmonë e më bukur. Por dëgjoj veten më së shumti.

Albumi “Një puthje” ka pasur shumë sukses dhe prej aty kanë dalë shumë hite që akoma dëgjohen, pas albumit kemi gjithashtu dy hite të tjera, po ndërkohe keni ndonjë projekt të ri?

Për momentin jam duke punuar me dy këngë. Njërën do ta paraqes në emisionet e Vitit të Ri, në Kosovë, ndërsa tjetra do ketë edhe videoklip për të cilin jam duke menduar skenarin. Do të jetë një surprizë për publikun.

Ke linja trupore ndër më të bukurat në estradë, ushtron apo merresh me ndonjë sport, sepse e dimë që dieta nuk preferon?

Është e vërtetë se nganjëherë e kam vështirë të shtoj peshë, me sport merrem rrallë, por merrem me vallëzim. Dietat për të humbur peshë asnjëherë nuk i kam mbajtur. Ndërsa për linjat trupore mund të them se i kam trashëgimi.

Si tip dukesh shumë e qetë, në rastet kur situata të del nga kontrolli, çfarë të qetëson?

Më së shumti nervozohem kur ndonjë gjë në lidhje me profesionin nuk më shkon si e kam menduar. Edhe vetë jeta nganjëherë është e vështirë dhe me plot stres. Por kur dal nga kontrolli që ndodh shumë rrallë, atëherë jam shumë e keqe, por shpejt më kalon. Vetëm duhet të kalojë pak kohë dhe qetësohem.

Përveç këngëve, dalim pak jashtë muzikës, ndonjë plan të ri?

Plane kam, por që gjithmonë kam preferuar mos t’i tregoj para kohe në mënyrë që nëse nuk realizohem mos të flas kot. Por plani më i afërt janë xhirimet e fundvitit si dhe klipin për të cilin fola më lart.

U diplomove apo akoma jo, si mendon do na bëhesh një juriste, ke ndërmend të punosh në profesion?

Po, sepse kuptohet që unë nuk mendoj të këndoj tërë jetën. Dhe në të ardhmen e largët e shoh veten si një avokate.

Dita-ditës të shtohen fansat, të shtohet fama, mendon që të largohesh nga profesioni dhe të vazhdosh jetën normale ashtu si gjithë të tjerët?

Nuk më pengon fama e adhuruesit, përkundrazi ndihem shumë mirë kur tregojnë admirim, sepse këto gjëra nënkuptohen me profesionin tonë. Asnjëherë s’më kanë penguar, sepse unë këndoj qysh nga fëmijëria dhe jam mësuar me adhurues.

Ke një karrierë të kënaqshme, pa skandale, me shumë suksese, ashtu ngadalë, por në hapa të sigurt i ke hyrë kësaj rruge, mendon se krijon xhelozi?

Estrada është e mbushur me xhelozi, por që unë punoj për vete dhe po të shpenzoja energjinë dhe kohën në gjëra të tilla, atëherë nuk do të isha këtu ku jam. Unë punoj për adhuruesit dhe veten.

Bashkëpunoni akoma me Hyrije Gashin?

Po, me Hyrijen bashkëpunojmë shumë gjatë, ajo është stilistja ime dhe e Adelinës qysh nga mosha jonë e hershme.

Cila është detyra jote si vajza më e vogël në shtëpi? Je e llastuar?

Unë më së paku jam e llastuara. E vogël kam qenë më shumë, por pas pubertetit kam ndryshuar paksa në karakter dhe jam më e qetë. Njerëzit e qetë dhe me më pak stres jetojnë më gjatë.

Një kohë disa media të shkruara kishin bërë radhitjen e estradës në bazë të asaj se sa paguhen, mirëpo emri juaj nuk figuronte askund në ato shkrime, shifrat vërtiteshin nga 800 deri në 4.000-5.000 euro, në bazë të kësaj ku zë vend Zanfina?

Sepse ajo radhitje s’ishte reale siç mendonin njerëzit. Mediat nuk i kanë gjithmonë informatat e sakta. Ndërsa për pagesën time nuk kam folur ndonjëherë dhe nuk preferoj të flas. Nga këto që i përmendët më lart, pagesa ime është një mesatare e tyre përafërsisht.

Si shkon jeta sentimentale preferoni bashkëjetesën apo martesën, pasi akoma jetoni me familjen?

Mendoj se mosha ideale për martesë është mosha 30- vjeçare jo më herët dhe preferoj martesë jo bashkëjetesë, sepse ato zakonisht edhe dështojnë. E vërtetë është që ende jetoj me familjen, sepse kjo ka qenë zgjedhja ime.

Panorama Plus

YouTube Preview Image