Nimani: Ligji duhet të avancojë përdorimin e simboleve nacionale

December 15, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ulqin – Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fuad Nimani thotë se kjo ministri është duke punuar për ndryshimin e Ligjit mbi përdorimin e simboleve nacionale dhe ka shprehur besimin se kjo do të bëhet së shpejti.
Deklarata e ministrit Nimani është bërë gjatë një vizite në Ulqin, të premten më 28 Nëntor, ditë të cilën shqiptarët e festojnë si Dita e Flamurit.
Ministri Nimani ka thënë se ndryshimet në Ligj kanë për qëllim avancimin e përdorimit të simboleve kombëtare.
Ai ka thënë se mirëpret propozimet dhe sugjerimet nga subjektet e ndryshme politike, në rastin konkret ato shqiptare, si dhe nga ekspertët.
“Ne kërkojmë propozime dhe sugjerime nga subjektet politike shqiptare”, ka thënë Nimani duke pohuar se për disa çështje ekzistojnë mendime të ndryshme.
Ministri Nimani ka pranuar se Ligji ekzistues ka defekte, por ka theksuar se në kohën e nxjerrjes së tij nuk ka qenë lehtë që ai të miratohet.
Ligji mbi përdorimin e simboleve nacionale është nxjerrë në vitin 2000. Që në atë kohë ai është kritikuar nga LD në MZ dhe disa ekspertë të jurisprudencës të cilët kanë vënë në pah se ai ka më tepër karakter restriktiv sesa afirmativ.
I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image