Jeremiqi më popullor se Tadiqi

December 16, 2008   | Rajoni / Region

Ministri me mansheta “interesante” me katër “C”. (Foto: Evropa Nedelnjik)

Gjykuar nga numri i orgazmave fashiste për njësi të ngazëllimit, kur në pyetje është Vuk Jeremic – presidenti i Serbisë dhe pronari i Partisë Demokratike, Boris Tadic, do të duhej t’i kishte të gjitha arsyet për brengosje: ministri i Jashtëm serb, siç tregojnë hulumtimet interne, për nga popullariteti tashmë e ka tejkaluar shefin në Beograd, e si ka nisur, është edhe kandidat i sigurt për Serbin më të Madh Serb gjatë vitit 2008! Taktika e Vuk Jeremic mund të krahasohet me operacionin ushtarak “Toka e Djegur” – falë kombinimit të retorikës luftënxitëse të Milosevic dhe pantonimës diplomatike. Derisa aktron evropianin e arsimuar i cili sapo ka zhgroposur rrënjët e tij nacionale, Jeremic, me sëpatë në dorë, i ka rrënuar të gjithë formularët e mirësjelljes elementare – kroatëve për pak sa nuk u shpalli luftë, iu kërcënua Bashkimit Evropian për shkak se po heziton që të na pranojë në radhët e veta, iu hingëlloi me armë shqiptarëve të Kosovës, amerikanëve disa dhjetëra herë u mbajti leksione për shkak të përkrahjes pro-kosovare, i doli në ndihmë Tadicit që sa më shpejtë dhe sa dëlirë ta heqim qafe Industrinë e Naftës të Serbisë (NIS) dhe të njëjtën t’ua falim rusëve pa asnjë kusht, e mbi vete e mori famën populliste për shkak të dëbimit të ambasadorëve të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Malajzisë.

Duke shfrytëzuar mburojën e pasanikut Srdjan Saper – njërit prej njerëzve më të fuqishëm në Serbinë tadiciane, dhe sovranit të formësimit të hapësirës së këtushme mediale – Jeremic paraqet një Lajm të Përditshëm: s’ka ditë që “Vucina The Minister” të mos prononcohet me diçka, në formë interviste, deklarate, mendimi, paramendimi ose loje fjalësh. Del se Jeremic është paksa i lodhur – fundja s’është lehtë që në një javë t’i jepet nga një intervistë për ‘Vecernje Novosti’, ‘Blic’, ‘Press’, ‘NIN’, të jesh mysafir i vetëm për dy orë në ‘Utisak Nedelje’ (‘Përshtypja e Javës’, B92), ose që për çdo natë të parakalosh në ekranin e Tijanic, në ambient familjar (gruaja e Jeremic është Natasa Lekic, udhëheqëse e TV ditarit të RTS), ose në bisedën vetëm njëorëshe në Studio B. E atëherë, makineria e Saper e plason lajmin tmerrues, se “terroristët shqiptarë” po e përgatisin vrasjen e Vuk Jeremic, gjë që është tejet e mjaftueshme për edhe dy për qind rejting nacional.

I dashuruar në fotografinë e tij, Jeremic nuk gërditet as nga lëvdatat fashiste. Përkundrazi, i vjen shumë mirë kur për të, me fjalë të zgjedhura erotike, flasin edhe madhështi të tilla djathtiste si Slobodan Antonic (‘Politika’) ose Bosko Obradovic (‘Dveri Srpske’).

Ja çka, për shembull, shkruan i shkrumbuari Antonic për objektin e tij të dëshirës: “Vuk Jeremic është një çudi. Kur në qeverinë e kaluar u emërua për ministër të Jashtëm, pothuajse të gjithëve u dukej se ishte tepër i ri dhe se ishte rrezik që ai të emërohej në një detyrë aq me rëndësi. Por ata që i dëgjuan me vëmendje deklaratat e Jeremic për Kosovën gjatë vitit 2007, menjëherë e vërejtën fuqinë dhe këmbëngulësinë e pazakontë në diplomacinë e tij për Kosovën. Me ndryshimin e qeverisë u mendua se do të vije deri te ‘ligështimi’ i asaj politike. Megjithatë, Jeremic vazhdoi të shkoj tutje me po atë këmbëngulësi dhe fuqi si më parë. Mund të mos pajtohemi rreth asaj nëse ka mundur të bëhej diçka më shumë rreth Kosovës. Por, në kuadër të politikës së përgjithshme, e cila donë që vetëm me mjete diplomatike të luftojë për Kosovën, mendoj se Jeremic i bëri të gjitha që duhej. Vrapoi nëpër botë dhje loboi shtet më shtet, për të siguruar vota të mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Dhe ia doli.

Kishte mjaft skeptikë, që llogarisnin sesa vende nuk na përkrahin, duke dyshuar se do ta mblidhnim shumicën. Mirëpo, meqë kërkesa jonë u aprovua, përnjëherë mund të dëgjohej se ky edhe s’është ndonjë sukses i veçantë, ngase Asambleja e Përgjithshme e OKB nuk e ka refuzuar kurrë ndonjë kërkesë të tillë. Por, mjaft shpesh deri tani ishim ‘precedent’, aq sa për të mos guxuar të shpresonim se do ta fitonim këtë raund pa luftë. Për më tepër, kundër nesh e kishim një kundërshtar aktiv, diplomacinë e shtetit më të fuqishëm, e cila i bëri të gjitha për të na prishur punë. Megjithatë, në fund nuk u gëzua Condoleezza Rice, po Vuk Jeremic.

Se për çfarë fitore serioze bëhet fjalë u pa së shpejti nga reagimet.

E kjo që Mali i Zi dhe Maqedonia tash dy ditë “po trimërohen” për ta njohur Kosovën, vetëm tregoi gjithë sedrën e prekur të atij shteti të madh. E, një prekje dhe një reagim aq i madh vështirë se mund të nxiteshin për “asgjë”. Dhe e dyta, Jeremic përnjëherë u bë shënjestër e sulmeve të mediave, të cilat tashmë ironikisht quhen ‘komitete qendrore për korrektësi politike’. Në të vërtetë, menjëherë pas Asamblesë së Përgjithshme, Jeremic përjetoi një eksplodim të vërtetë ofendimesh në ‘Pescanik (më 14 tetor 2008). U quajt ‘Njeri i vogël dhe ekstremisht i keq” dhe për të madje u përdor edhe përemri që aludonte në një send (sikurse të mos flitej për njeri por për një qenie të padefinuar). Mjaftonte që një njeri me mençuri të mjaftueshme të kuptojë se kush dhe sa ishte zemëruar në Jeremicin. E përmasat e atij zemërimi gjithsesi se do të duhej të nënkuptonin të paktën një nivel të njëjtët të dashamirësisë së gjithkujt që brengoset për interesat nacional”.

Seksualisht i ndezur për shkak të dashurisë ndaj Vuk Jeremic ishte edhe zëdhënësi i grupit fashist ‘Dveri Srpske’, Bosko Obradovic, i cili në web-faqen ‘Nova Srpska Fasisticka Misao’ nuk diti si të përmbahej nga cunami i dashurisë që e kishte rrëmbyer:

“A e udhëheq Vuk Jeremic kryenëvete politikën e Jashtme, pra papërfytyrueshme!

A e mendon intimisht Vuk Jeremic atë që e thotë? Këtë s’mund ta dimë, po për Serbinë në këtë moment është me rëndësi se çfarë thotë ai.

A do ta vazhdojë ai “politikën e tij të re” dhe sa gjatë do të qëndrojë? Për këtë s’kemi asnjë garanci, por duhet ta përkrahim në këtë gjë.

A mund ta neglizhojmë faktin se pas ku me ditë sa deceniesh politika jonë e Jashtme po udhëhiqet si ‘serbe’ dhe se gjithnjë e më shpesh jemi krenarë për shfaqjet e tij diplomatike, gjegjësisht se ai gradualisht po na e kthen krenarinë nacionale?

A mundet dhe a duhet që kjo të bëhet edhe më mirë? S’ka dyshim. Por, kjo nuk është arsye që të mos i tregojmë lëvizjet që tashmë janë bërë, edhe pse s’dukeshin frytdhënëse.

Sido që të jetë, gëzon çdo shfaqje e qëndrimit nacional në politikën e jashtme dhe të brendshme serbe. Posaçërisht trimëron mundësia që partia elitare në pushtet gradualisht po heqë dorë nga dy keqkuptimet më të mëdha të saj politike: nga kopjimi i verbër i secilës gjë që vjen nga Perëndimi dhe nga kompleksi nacional i vlerës së ulët. Nëse shfaqjet e fundit të presidentit dhe të kryeministrit të tij të paemëruar do të thonë këtë gjë, atëherë kjo duhet përshëndetur.

Edhe pse i zënë tejmase preokupimin e turpshëm me personazhin dhe veprën e ministrit të Jashtëm, Obradovic e këshillon që të merr shembull nga edhe një Hero tjetër serb – pra, që të sillet si Milorad Dodik! Prandaj, thotë:

“Tash dy vjet ne intensivisht po angazhohemi për një kundërsulm politik, si mjetin e vetëm të mbetur në luftën për mbijetesën e popullit dhe shtetit serb në Ballkan. Këtë metodë deri tani e aplikoi vetëm kryeministri i Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili po ashtu prej kohësh njihet si njeri pro-perëndimor. Duke filluar nga ndalimi i humbjes së mëtutjeshme të ingerencave të RS dhe shkrirjes së saj në BeH e imponuar, përmes ruajtjes së policisë dhe gatishmërisë për mbajtjen e referendumit për pavarësim nëse vazhdohet me neglizhimin e entitetit serb të krijuar në Dayton, e deri te paditë kundër disa zyrtarëve ndërkombëtarë në BeH, për shkak të “bashkimit armiqësor kundër Republika Srpska dhe qeverisë së saj të zgjedhur në mënyrë demokratike”, ky sugar i Perëndimit ka kaluar një rrugë interesante. Shumëkush do të thotë menjëherë se prapa gjithë kësaj qëndron marketingu politik, me qëllim mbetjen në pushtet. Por, ne do të thoshim se, fundja, edhe pse disa lëvizje politike janë tërhequr për marketing dhe luftë për pushtet, ato kanë edhe një dobi të përgjithshme për shtet”.

Për fund, ‘Dveri Srpske’ japin edhe një këshillë konkrete se çka duhet bërë Vuk Jeremic për ta shpallur anëtar nderi të këtij grupi fashist:

“Sa i përket Bashkimit Evropian, ekziston një mënyrë e sigurt se si t’i zgjidhim të gjitha dilemat: të shpallim se më s’kemi kohë të presim hyrjen në BE dhe se jemi të hapur edhe për alternativa, dhe qysh të nesërmen mund ta presim ftesën për hyrje në Bashkimin Evropian, pa kurrfarë kushtesh shtesë. Kuptohet se para kësaj duhet të nënshkruhet një numër i madh kontratash ekonomike me Federatën Ruse. Pikërisht ashtu siç bëri Milorad Dodik. E atëherë negociatat me BE do të shkojnë shumë më lehtë”.

I trimëruar nga kjo përkrahje vëllazërore, Vuk Jeremic as të hënën, më 15 dhjetor, nuk e lëshoi rastin që të shfaqet me shprehje tabloidësh.

“Kundërpadia për gjenocid kundër Kroacisë, përveç krimeve të kryera gjatë viteve të nëntëdhjeta, do të përfshijë edhe ato që ustashët i kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore”, paralajmëroi shefi i diplomacisë, Vuk Jeremic. Minsitri pohoi se Serbia ka fituar një vit kohë për formulimin e padisë dhe zbuloi se ekipi juridik serb në padi do të prekë edhe periudhën historike mes viteve 1941-1945 dhe në krimet e kryera në Shtetin e Pavarur Kroat (NDH).

“Mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi një shfaqje të qartë për ngjarjet që sollën deri te konflikti i viteve të nëntëdhjeta. Do të prekim kohën e NDH, kohën e qeverisë ustashe në Kroaci, kur u kryen disa nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sikurse që padia e Kroacisë konceptohet në mënyrën që prekë zhvillimet historike që shkaktuan ngjarjet e viteve të nëntëdhjeta, edhe kjo e jona do të jetë njësoj”, theksoi Jeremic për gazetën e tij të adhuruar ‘Kurir’.

Në mendimin e masakruar të Vuk Jeremic menjëherë u mbështet edhe bashkudhëtari i tij ideologjik, Savo Strbac, nga shoqëria folklorike ‘In Vino Veritas’, i cili për ‘Kurir’ symbyllazi deklamoi:

“Kjo që Serbia në padinë kundër Kroacisë do të përkujtojë në krimet e NDH, është lëvizje e mirë”, mendon drejtori i qendrës hulumtuese ‘Veritas, Savo Strbac.

“Askush, e veçanërisht jo gjykatësit e huaj, s’mund të kuptojë se çka ka ndodhur në hapësirat e Kroacisë, nëse nuk shikohen edhe ngjarjet nga Lufta e Dytë Botërore. Serbia ka rast që përmes kundërpadisë të shpalos të gjitha argumentet, përsfhirë edhe krimet nga ajo luftë, në të cilat duhet thirrura më shpesh që të jetë e mundur. S’mund të kuptohet se përse u rebeluan serbët, ose përse, siç me përçmim thonë kroatët, u ngritën në ‘balvan revolucion’, nëse nuk dihet se paraprakisht HDZ-istët kishin filluar fushatën duke shfrytëzuar shenjat nga Lufta e Dytë Botërore, të përdorura gjatë kohës së NDH të Pavelicit”, mendon Strbac, duke përkujtuar në krimet që s’guxojnë të harrohen, si Jasenovac, logori Jadovno në Velebit dhe ai në Slavonska Pozega.

E në Jeremicin është dashuruar edhe Milan Bulajic, kryetar i Fondit për Hulumtimin e Gjenocidit:

“Ministri Jeremic fillimisht nënvizoi se kundërpadia do të bazohet në operacionin ‘Stuhia’ (Oluja), megjithëse nuk bëhet fjalë vetëm për atë operacion, ngase ekzistojnë një sërë aksionesh gjenocidale kroate”, tërheq vërejtjen Bulajic.

Epo, s’na mbetet tjetër, pos të presim që edhe ‘Stormfront’ dhe ‘Obraz’ të fillojnë aksionin dhe që Vuk Jeremicin ta shpallin për fyhrer të tyre.

Eh, vetëm po t’i lëshonte edhe pak mustaqet – ku do të na ishte fundi?
Nga P. Lukovic, e-NovineA
Gazeta Express

YouTube Preview Image