UBA prezantoi rezultatet e anketës mbi gjendjen e prodhuesve bujqësorë në komunën e Ulqinit – Video

December 19, 2008   | Ekonomia / Ekonomija

mefit-jakupiProblem, mungesa e tregut dhe e qendrave të grumbullimit
Kryetari i Sektorit të Bujqësisë pranë UBA-s, Mefit Jakupi, ka thënë se ky asociacion, brenda mundësive, do të ndihmojë dhe do të bashkëpunojë me organet kompetente lokale dhe shtetërore për zgjidhjen e problemeve të evidentuara të prodhuesve bujqësorë.
Ulqin – Prodhuesit bujqësorë në Komunën e Ulqinit mendojnë se dy problemet më të mëdha me të cilat ata përballen janë mungesa e qendrave të grumbullimit, paketimit dhe ruajtjes së prodhimeve bujqësore, si dhe mungesa e tregut.
Këto janë rezultatet e anketës së realizuar nga Sektori për Bujqësi pranë Ulqin Biznes Asociacionit, rezultatet e së cilës u prezantuan në një konferencë për shtyp të premten.
Anketa është realizuar në terren me ç`rast janë anketuar prodhuesit bujqësorë në tri zona, Anë e Malit, Zogaj dhe Shtoj, dhe ka pasur për qëllim të identifikojë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen prodhuesit bujqësorë në komunën e Ulqinit.
Nga Sektori për Bujqësi pranë UBA-s kanë thënë se anketa është realizuar në këto tri zona për arsye se ato janë zona ku bujqësia është aktivitet parësor dhe ku ekzistojnë mundësitë për një zhvillim akoma më të madh në këtë drejtim.
Përfaqësuesi i Sektorit për Bujqësi, Faik Nika, ka thënë se nisur nga rezultatet e anketës, janë identifikuar disa nga problemet kryesore në të cilat hasin prodhuesit bujqësorë në këto zona.
“Me zgjidhjen e këtyre problemeve do të ndihmohet rritja e kapaciteteve prodhuese, rritja e cilësisë së prodhimit dhe rritja e të ardhurave të fermerëve”, ka thënë Nika.
Kryetari i Sektorit të Bujqësisë pranë UBA-s, Mefit Jakupi, ka thënë se ky asociacion, brenda mundësive, do të ndihmojë dhe do të bashkëpunojë me organet kompetente lokale dhe shtetërore për zgjidhjen e problemeve të evidentuara.
“Ne e kemi përsëritur disa herë se zhvillimi i turizmit duhet ndjekur nga zhvillimi i bujqësisë sepse të dy këta lëmenj janë jetike për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm ashtu siç e dëshirojmë të gjithë ne”, ka thënë Jakupi, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetar i UBA-s.
Sipas përfaqësuesve të UBA-s, kjo është anketa e vetme e realizuar për bujqësinë në Ulqin, të paktën në vitet e fundit.
Kohapress

YouTube Preview Image

 Pritja e Vitit Te Ri 2009 me Kengetarë te ndryshme në Garden of Eatin Restaurant - Contact Ahmet Zeka  215-499-6146