Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të prizrenit 1878-1881 (2)

December 19, 2008   | Reportazh / Reportaža

berliner_kongressLuftë në shumë fronte kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha
Shqiptarët ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht dorëzimin e territoreve shqiptare dhe ishin të gatshëm që të njëjtat t`i mbronin edhe me armë. Ata deklaronin se do të luftonin jo vetëm kundër ushtrisë së Malit të Zi, por do të qëllonin edhe kundër forcave turke, po qe se ato do të tentonin t`ia dorëzonin tokat shqiptare.
Kriza Lindore e viteve 1875-1878, nga një çështje politike, siç ishte për popujt e tjerë, për popullin shqiptar u kthye në një pyetje të madhe – për jetë a vdekje dhe kësaj pyetjeje populli shqiptar dhe figurat që qëndronin në krye të Lidhjes Shqiptare i dhanë një përgjigje të prerë: me luftë më shumë fronte e shumëformëshe, të anulohet vendimi i forumeve të Fuqive të Mëdha.
Siç dihet, me Traktatin e Berlinit qe paraparë që Malit të Zi t`i jepej Tivari, Podgorica, Shpuza, Zhabjaku, Gucia, Plava dhe Rugova, ndërsa Shqipërisë iu la Ulqini, Hoti, Gruda dhe Këlmendi. Lidhja e Prizrenit nuk u pajtua me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe aktivitetin e saj programor, përveç në fitimin e autonomisë, e drejtoi në mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare. Populli shqiptar u zotua dhe u tregua se është i gatshëm për ruajtjen e tokës së vet.
Zemërimi i shqiptarëve arriti pikën kulminante në momentin kur u informuan se Turqia po përgatitej t`ia lëshonte Malit të Zi tokat në veri të Shqipërisë të cilat ia kishte dhënë Kongresi i Berlinit. Fjala ishte për Plavën e Gucinë.
Shqiptarët ishin të vendosur të kundërshtonin me çdo kusht dorëzimin e territoreve shqiptare dhe ishin të gatshëm që të njëjtat t`i mbronin edhe me armë. Ata deklaronin se do të luftonin jo vetëm kundër ushtrisë së Malit të Zi, por do të qëllonin edhe kundër forcave turke, po qe se ato do të tentonin t`ia dorëzonin tokat shqiptare.
Vendimi i Fuqive të Mëdha për t`ia dhënë Malit të Zi Ulqinin (maj-korrik 1880)

Gati dy vjet pas Kongresit të Berlinit, as neni 28 i Traktatit të Berlinit, i cili i jepte Malit të Zi trojet e Plavës dhe Gucisë, as Protokoli i 18 prillit 1880, i cili në vend të tyre i jepte Malit të Zi viset e Hotit dhe Grudës, nuk ishin vënë në jetë.
Meqenëse as Mali i Zi nuk qe në gjendje t`i realizonte dëshirat e veta ndaj territoreve shqiptare të Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, edhe pse përdori forcën e armëve, as Fuqitë e Mëdha që bënin presion tek Porta e Lartë që forcat e saj t`i ripushtonin pozicionet që ishin në duart e shqiptarëve e t`ia japin Malit të Zi, diplomacia evropiane kërkoi zgjidhje të re. Me një fjalë, mosrealizimi i dispozitave të Traktatit të Berlinit ishte një goditje e rëndë për autoritetin e Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit.
Duke filluar prej majit të vitit 1880, bëheshin kombinime të ndryshme diplomatike lidhur me trevat e banuara me shqiptarë.
Në një situatë të rëndë dhe të pazgjidhshme për arsye të moszbatimit të vendimeve të Traktatit të Berlinit nga ana e Turqisë, u vendos që të kërkohej një rrugë tjetër dhe mënyra se si të dilej nga kjo situatë e ndërlikuar. Ishte e nevojshme që të gjendeshin mjete më efikase, me të cilat Porta e Lartë do të detyrohej që të lëshonte territoret si kompensim për rajonet që nuk u lëshuan.
Mr. Riza Rexha
Koha Javore