Dinosha: Komuna urbane e Tuzit, dy vjet pas – Video

December 23, 2008   | Reportazh / Reportaža

t-u-z-iPse digjen katër milionë euro?
Përgjegjësinë për realizimin e buxhetit, kudo në botë, e mban pushteti. Por, ky i Tuzit, ka filluar të flasë për buxhetin (planin financiar) e vitit të ardhshëm, pa u shpjeguar qytetarëve të Malësisë pse digjen 4 milionë euro të këtij viti. A është shkak i mosrealizimit të planit financiar paaftësia e pushtetit lokal apo arroganca e pushtetit qendror të Podgoricës. Sido që të jetë, dikush e ka shkelur ligjin, dikush e ka dëmtuar Malësinë dhe dikush duhet të japë llogari.
Kanë kaluar dy vjet nga themelimi i KU të Tuzit. Për kaq kohë fëmija fillon të ecë, të flasë, të tregojë për nevojat… Por, kështu nuk ndodhë edhe me pushtetin lokal të Malësisë. Opinioni e di se pushtetin këtu e mbajnë dy parti shqiptare (LD në MZ dhe ASH) dhe një parti proserbe (PSP), të cilat kundërshtonin këtë status për Tuzin, duke pohuar se treva mund të vetëfinancohet dhe të ketë kapacitetin e komunës së plotë qyshse në fillim, megjithëse, përveç fjalëve, ata ende nuk kanë ofruar asnjë argument.
Partitë opozitare, ndër të cilat edhe UDSH, i cili, me ndërmjetësimin amerikan prodhoi draftin e dytë në bazë të të cilit vepron sot kjo komunë urbane, mendonin se ky status i përkohshëm mund të jetë projekt-pilot, tërheqës drejt komunës së plotë, duke i siguruar financat e komunës urbane në buxhetin e kryeqytetit.
Ky buxhet për vitin 2008 siguronte rreth 4 milionë e 300 mijë euro për Tuzin si komunë urbane të Kryeqytetit. Por, pushteti lokal nuk i ka shfrytëzuar këto. Janë djegur rreth 4 milionë euro. Dëmi është i krejt Malësisë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.
Duhet thënë se buxhetin e Tuzit e kishin përkrahur partitë në pushtet dhe të gjitha partitë opozitare, përveç UDSH-së. Unioni kishte pyetur se kush ishte hartues i buxhetit, për të ditur se kush do të mbante përgjegjësinë për mosrealizimin eventual të tij, ashtu siç ndodhi, por kishte mbetur pa përgjigje. Veç kësaj, buxheti (plani financiar) nuk kishte paraparë asnjë projekt për pjesën malore të Malësisë, gjë që për UDSH-në ishte e papranueshme. Hartuesit virtualë nuk kishin përgjigje as lidhur me 500 mijë euro, që figuronin të parapara për punë të caktuara në godinën e Kuvendit të Komunës Urbane, punë që ishin kryer paraprakisht.
Përgjegjësinë për realizimin e buxhetit, kudo në botë, e mban pushteti. Por, ky i Tuzit, ka filluar të flasë për buxhetin (planin financiar) e vitit të ardhshëm, pa u shpjeguar qytetarëve të Malësisë pse digjen 4 milionë euro të këtij viti. A është shkak i mosrealizimit të planit financiar paaftësia e pushtetit lokal apo arroganca e pushtetit qendror të Podgoricës. Sido që të jetë, dikush e ka shkelur ligjin, dikush e ka dëmtuar Malësinë dhe dikush duhet të japë llogari. Katër milionë euro nuk do të kishin qenë pak për projektet që i mungojnë Malësisë. Nëse pushteti lokal i Tuzit i ka dërguar Podgoricës projekte të arsyetuara, pra të finalizuara, e kjo i ka refuzuar ose nuk ka çarë kokën për to, atëherë kjo duhet të bëhet publike dhe të kërkohet përgjegjësia e udhëheqjes së Podgoricës. Por, nëse pushteti lokal i Tuzit nuk e ka bombarduar Podgoricën me projekte të finalizuara, brenda gabariteve të planit financiar, atëherë përgjegjësi duhet të japë udhëheqja e Tuzit. Malësia nuk guxon të mbetet peng as e arrogancës as e injorancës së kujtdoqoftë.
Ajo meriton zhvillim më të shpejtë. Por, parametrat e këtij zhvillimi duhet të definohen me argumente e sinqerisht.
Nëse pushteti aktual i Komunës Urbane të Tuzit ka argumente se resurset vetjake do t`i mundësonin Malësisë edhe më shumë se katër milionë në vit, atëherë ai do të kishte të drejtë të kërkonte përgjegjësinë (edhe morale) e forcave që kanë përkrahur këtë status të Komunës Urbane, sidomos të UDSH-së që ka thënë se statusi i Komunës Urbane është rruga momentalisht më e mirë për komunë të plotë. Ky autor si udhëheqës i UDSH-së, do të ishte i gatshëm të pranonte publikisht fajin dhe të kërkonte ndjesë publike si dhe të përkrahte publikisht ata që do të ofronin argumentet e sipërpërmendura, si ekip që meriton të jetë në krye të Malësisë. Pra, nëse pushteti aktual, përveç fjalëve manipulative, nuk ofron argumentet e sipërpërmendura, pra, nuk dëshmon si do të mund të vetëfinancohej Malësia duke e lënë atë pa zhvillim dhe pa kontakt me Kryeqendrën, atëherë ky autor dhe partia e tij kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësinë e pushtetit aktual, i cili është prodhuar pikërisht duke manipuluar çështjen, ose të presin ndjesë publike nga ai për fjalët që i ka thënë dhe veprimet që i ka bërë gjatë fushatës zgjedhore për KUT, që pos stagnimit në zhvillim kanë bërë edhe dëm më të gjerë, me shumë parregullsi zgjedhore.
Për të zbutur dëmin dhe për ta vënë trenin e zhvillimit të Malësisë në binarë realë e stabilë, mendoj se na duhet ndihma e palës së tretë, e cila i njeh më mirë këto problematika dhe e cila, nga këndi i neutralitetit politik, do të mund të sugjeronte zgjidhje pragmatike, me të cilat do të pajtoheshin të dy palët vendëse, edhe pozita edhe opozita. Mendoj se na duhet, në këtë fazë, një tryezë e rrumbullakët, në të cilën si palë e tretë do të ftoheshin ekspertë të funksionimit të vetëqeverisjes lokale me përvojat e tyre nga Tirana, nga Prishtina, nga Shkupi, nga ndonjë qendër europiane. Kishte qenë mirë sikur puna e një tryeze të tillë të transmetohet drejtëpërsëdrejti dhe materialet e saj të botoheshin në tërësi në “Kohën Javore”. Kishte qenë mirë që në të të merrnin pjesë edhe përfaqësues të diasporës shqiptare.
Unë jam i gatshëm, si kryetar i njërës nga partitë shqiptare, për të qenë bashkorganizator i tryezës në fjalë dhe, në këtë mënyrë, u bëj thirrje publike (këtë do ta bëj edhe në forma të tjera) kryetarit të Alternativës Shqiptare, z. Gjergj Camaj dhe kryetarit të Degës së Malësisë të LD në MZ z. Nikollë Camaj, që të më përkrahin për këtë dhe të organizojmë së bashku tryezë të tillë, tema e të cilës definohet lehtë.
Nuk kemi më kohë për të humbur dhe nuk kemi aq eksperienca sa të mos i pyesim ata të cilët i kanë. Tevona, pushteti aktual, përveç rrogave për vete, nuk po realizon asnjë segment që i mundëson Ligji. Ai ende nuk ka formuar shërbimet e duhura, nuk i ka punësuar aq persona sa mundëson Ligji, madje ende është qiraxhi në Shtëpinë e Kulturës, edhe pse, sipas Ligjit, është dashur të kishte kaluar kaherë në godinën e vet. Pushteti lokal asnjëherë nuk ka ngritur zërin për nevojën e nxjerrjes së planit hapësinor të Kryeqytetit, i cili do të përshpejtonte urbanizmin e Tuzit dhe do të përcaktonte vend ndodhjën e objekteve që i nevojiten Malësisë, meqë fjalën e fundit për këtë e ka Kuvendi i Komunës Urbane, i cili, i vetmi, jep pëlqimin për projekte e objekte në territorin e Malësisë, kufijtë administrativë të të cilit pothuaj përputhen me ata etnikë, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, qysh se Malësia është në Mal të Zi. Unë nuk shoh se Berlini i ka thënë gjë të re Shkodrës. Ndoshta LD në MZ dhe ASH e dinë këtë nga Miliqët.
Me smirë nuk mund të bëjmë mirë. Ne nuk mund të ruajmë identitetin tonë kombëtar, nëse nuk jemi të sinqertë me njëri tjetrin si identitete të ndryshme fetare. Danajet gjithë na kanë ofruar e do të na ofrojnë dhurata, por ne duhet t`u ruhemi atyre. Ne duhet të njohim më të mirët në radhët tona edhe kur na flasin të vërteta të hidhura dhe t`u besojmë më shumë se atyre, prapë nga radhët tona, të cilët na flasin të pavërteta të ëmbla.
Si shoqëri dhe si komb, si identitet nacional me më shumë kufij administrativë, ne nuk mund të veprojmë jashtë rrethanave dhe jashtë kohës. Edhe për një kohë ka marrë fund definimi i marrëdhënieve të reja në Ballkan. Nuk qitet në pazar malli që s`ta blen askush. Për më tepër, nuk preket plaga e përgjithshme, nëse nuk ke ilaç për të. As fëmijës së vetë nuk i premtohen sheqerka, nëse xhepat janë të cekët.
Kur flasim për Komunën Urbane të Tuzit dhe për dëshirën që të kihet komuna e plotë, veç anës financiare, duhet të kemi parasysh edhe një element tjetër. Pushteti në Podgoricë është i brishtë. Si komunë urbane ne me votat tona, mund t`u bëjmë shumicën forcave qeveritare, të cilat kanë prodhuar pavarësinë e Malit të Zi dhe kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me komunë të plotë, pa votat tona, do të mund të ndodhte që Podgorica të binte në duart e forcave serbe. Edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, Podgorica ka patur më shumë vota për opozitën, se për pozitën. A është interes i shqiptarëve të ndihmojnë, edhe tërthorazi, opozitën serbe?
Është koha të ulemi e të flasim çeltas për gjëra të cilat na preokupojnë, duke ia nënshtruar interesit të përgjithshëm interesat e vogla partiake apo personale.
Ne nuk guxojmë të lejojmë që Alternativa Shqiptare të na shesë persona që pastaj bëhen dhëndërr sllavë. Të cytur edhe nga profesorë universitarë.
Ne duhet ta njohim dhelprën, sidomos kur i ka këmbët e futura në miell.
Ferhat Dinosha
Koha Javore

YouTube Preview Image

 Pritja e Vitit Te Ri 2009 me Kengetarë te ndryshme në Garden of Eatin Restaurant - Contact Ahmet Zeka  215-499-6146