Fuad Nimani, mori pjesë në Forumin e Kombeve të Bashkuara mbi çështjen e pakicave në Gjenevë

December 23, 2008   | Kulturë / Kultura

Hapa të rëndësishëm pozitivë në arsim
Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, mori pjesë në Forumin e Kombeve të Bashkuara mbi çështjen e pakicave në Gjenevë të Zvicrës.
Në fjalën e tij, ministri Nimani theksoi se kur bëhet fjalë për arsimin e pakicave nacionale në Mal të Zi, mund të thuhet me siguri se Mali i Zi ka bërë viteve të fundit hapa të rëndësishëm pozitivë në këtë drejtim, qoftë sa i përket miratimit të rregullativës së re ligjore që rregullon këtë lëmë, qoftë sa i përket qasjes për zgjidhjen e këtij problemi.
“Arsimimi i pakicave është pjesë e sistemit arsimor të përgjithshëm integral shtetëror i cili respekton specifikat e pakicave nacionale dhe iu garanton mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, krahas ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe kulturor”, tha ai.
Ministri Nimani foli për një sërë ndryshimesh që janë bërë në aspekte të ndryshme sa i përket arsimimit të pakicave.
“Në programet e reja arsimore të cilat janë hartuar në kuadër të reformës së arsimit, nga fusha e gjuhës amtare, dituri shoqërisë, historisë, kulturës fizike dhe figurative, në një masë të konsiderueshme janë përfshirë dhe integruar përmbajtjet që përfaqësojnë gjuhën, krijimtarinë, historinë dhe kulturën e pakicave në Mal të Zi”, tha Nimani.
Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave tha se me qëllim të realizimit të parimeve të multikulturalizmit dhe tolerancës etnike në Mal të Zi, programet e reja arsimore të reformuara përmbajnë edhe një risi, e kjo është natyra e tyre e hapur.
“Me këto ndryshime është bërë e mundur që shkolla dhe komuniteti lokal mund të propozojnë dhe të hartojnë 15-20 për qind të programit arsimor në pajtim me nevojat dhe specifikat e tyre”, tha ndër të tjera Nimani.
Kohapress
 Pritja e Vitit Te Ri 2009 me Kengetarë te ndryshme në Garden of Eatin Restaurant - Contact Ahmet Zeka  215-499-6146