Mbi librin e Mustafë Cankës “qyteti” (komente)

December 23, 2008   | Kulturë / Kultura

Kronikë filozofiko-sociologjike për qytetin
Pa dyshim mund të thuhet se libri “Qyteti – komente” i autorit Mustafë Cankës është rrëfim në vete të vet mbi lindjen e arsyes së shëndoshë. Duke përpunuar tipologjinë e mentalitetit shoqëror, Canka në mënyrën e vet ka krijuar profilin estetik, psikologjik dhe ideologjik të bashkëqytetarëve të tij, të elitës politike dhe asaj intelektuale, ka regjistruar modelet e kapaciteteve të tyre etike, morale dhe intelektuale, virtytet dhe aftësitë e tyre për punë.
Gazetari dhe publicisti Mustafë Cankës në librin e parë të tij me titullin “Qyteti”, që është një përmbledhje e komenteve gazetareske dhe televizive, shtron problematikën dhe zbërthen idenë e qytetit si temë ku në mënyrë eksplicite shqyrton filozofinë dhe sociologjinë e qytetit, me elemente të vërteta, por dhe ato simbolike. Pikërisht, një dashuri e madhe dhe një dhembje e thellë në të njëjtën kohë, e kanë shtyrë autorin që qytetin e tij Ulqinin, ta vë në qendër të rrëfimit, gjegjësisht komentit filozofiko-sociologjik.
Kjo dashuri dhe kjo dhembje kanë ngjallë tek autori guximin gati të paparë që në periudhën tepër të vështirë dhe të papërsëritshme të tranzicionit, të krizave të ndryshme, qofshin ato politike, ekonomike, sociale, kulturore, morale, etike e tjera, të flasë me zërin e arsyes duke ftuar të gjithë ata që ndjejnë apo mbajnë përgjegjësi për degradimet që i kanë ndodhur për disa dekada me radhë dhe që po i ndodhin qytetit të Ulqinit dhe lokaliteteve më të bukura të tij si dhe ambientit jetësor në një proces subverziv për çfarë po humb identitetin e vet dhe pjesë nga e kaluara historike.
Autori merret me idenë e qytetit, temë kjo që e hasim madje qysh në veprat e Platonit, Aristotelit dhe Tukitidit, por ndryshe nga ata, duke konstatuar se qyteti është sinonim i lindjes dhe zhvillimit të kulturës dhe vend qendror ku mbijetojnë apo shkatërrohen, zhvillohen apo humbin frytet e civilizimit, e në këtë ndërlidhje edhe vet idetë-projektet për infrastrukturën apo superstrukturën që njeriu krahas natyrës ka mundur të krijojë në kontinuitet për mirëqenien e vet.
Problematika që shtron autori është bashkëkohore, është ajo e jetës së përditshme. Problemet bashkëkohore siç janë privatizimi, falimentimi i ndërmarrjeve, të mirat detare, centralizimi, kreditimet dhe borxhet, ndërtimet pa leje, turizmi, infrastruktura, detaria, kthimi i pronave, degradimet e shumta urbanistike dhe ekologjike, por dhe morali dhe etika si në familje ashtu edhe në shoqëri, autori i ka vënë në qendër të vëmendjes, duke konstatuar se kështu dhe në këtë formë të gjitha këto i ka përjetuar vetëm e vetëm Ulqini. Ajo që komentet e Cankës i bën karakteristike janë atributet shumë të qëlluara që autori i ndërthur brenda përbrenda komentit, të cilat në kuadër të kësaj, në mënyrë të tërthortë na njohin me të kaluarën historike të qytetit, me traditën, kulturën, mentalitetin, etnicitetin e tjerë, e që sot nga e gjithë kjo ka mbetur vetëm pak.mustafe-canka
Duke pasur parasysh këto atribute, për qytetin e Ulqinit nuk vlen ajo thënia: “Ke parë një qytet, ke parë të gjitha qytetet!”, sepse Ulqini i ka karakteristikat e veta që e veçojnë nga të tjerët. Sepse sipas autorit, ai ka, apo më mirë të thuhet ka patur simbolet fizike të cilat gjithmonë kanë shërbyer për të identifikuar situatat, por që fatkeqësisht nuk janë ruajtur dhe nuk u është kushtuar kujdesi i duhur nga strukturat e ndryshme shoqërore dhe vetë njerëzit që jetojnë në të.
Duke analizuar në tërësi atë aspektin e errët dhe patogjen të mentalitetit tonë, autori vërtet, por me keqardhje, bëhet një lloj psikoterapeuti kolektiv i cili, në mënyrë të rreptë, por të ndershme demaskon të gjitha ato vijat e dëmshme në arsyet e njerëzve. Kjo është gjuha e tij dhe ky është stili i tij.
Qasja retorike dhe komunikimi brenda qytetit apo këtij laboratori sociologjik, siç do ta quante Robert Park, vërtet i ngjason aktit ligjërues (Speech – act).
Pra, pa dyshim mund të thuhet se libri “Qyteti – komente” i autorit Mustafa Canka është rrëfim në vete të vet mbi lindjen e arsyes së shëndoshë. Duke përpunuar tipologjinë e mentalitetit shoqëror, Canka në mënyrën e vet ka krijuar profilin estetik, psikologjik dhe ideologjik të bashkëqytetarëve të tij, të elitës politike dhe asaj intelektuale, ka regjistruar modelet e kapaciteteve të tyre etike, morale dhe intelektuale, virtytet dhe aftësitë e tyre për punë. Mu kjo elitë tek autori krijon pakënaqësi duke mos u pozicionuar në mënyrë të drejtë, në momente tepër të nevojshme, sidomos në ato rrethana dhe në atë mjedisë ku elita, cilado qoftë, ajo politike, e sidomos ajo intelektuale vlerësohen, shprehur me dialektin social, “si djem të mirë” apo “si djem të këqinj”, dhe jo në bazë të vlerave intelektuale apo profesionale. Pozicionimi i tyre me ndershmëri do t`i kontribonte zgjidhjes përfundimtare të problemeve që rëndojnë mbi supet e qytetit, qofshin ato probleme ekonomike, sociale, kulturore e etike.
Gjithashtu ky libër njëkohësisht duhet kuptuar edhe si përpjekje e suksesshme e autorit për të bërë sociologjinë e tërësishme të qytetit, gjë që do ta dëshironin jo vetëm qytetet si Ulqini por edhe metropolet e mëdha, kudo qofshin ata. Dhe autori me erudicion të lakmueshëm, siç është Mustafa Canka, këtë e ka bërë me shumë sukses.
Përfundoj me atë që nga libri i autorit del si konstatim se pikërisht kujtimet, ndjenjat, dashuria dhe fatet e njerëzve janë ato që mbesin të lidhura ngusht me cilëndo qoftë hapësirë, duke patur parasysh se hapësira ka domethënie simbolike për qytetarët. Këto edhe janë argumente të mjaftueshme përse hapësirat e veçanta të qytetit, të cilat atij njëherit i japin edhe ngjyrimin postmodern, duhen ruajtur.
Mënyra në të cilën Canka përmes prizmave filozofike, sociologjike, semiologjike e tjera përshkruan, paraqet dhe zbulon qytetin postmodern dhe karakterin e tij, paralelet të cilat i tërheq në mes situatës në qytetin e tij dhe zhvillimeve në botë, nivelet, qofshin ato politike, ekonomike, sociale apo kulturore që i dallon dhe i definon në analizën e problemeve të qytetit të Ulqinit apo trendet që i vëren në hapësirën malazeze, janë shkaqe që këtë libër e bëjnë vepër me një kontribut të rëndësishëm sociologjik dhe urbanistik.
Kjo gjithashtu mbetet një literaturë edukative dhe nxitëse për çdo të interesuar aktiv dhe të vetëdijshëm për hapësirën në të cilën jeton, për të kuptuar rëndësinë e ndikimit të hapësirës në individin, si dhe të individit në hapësirë, andaj edhe udhëzues në procesin e lindjes dhe të ruajtjes së interaksionit dhe intermed-it të pandërprerë në mes njeriut dhe hapësirës.
…Mbase ky libër do të mbetet kronikë e një kohe kur qytetit të Ulqinit, më shumë se çdo gjë tjetër i mungonte dashuria.
Qazim Muja
Koha Javore

 Pritja e Vitit Te Ri 2009 me Kengetarë te ndryshme në Garden of Eatin Restaurant - Contact Ahmet Zeka  215-499-6146