Zhulalit i shpaguhet borxhi

December 23, 2008   | Lajmet / Vijesti

fituesja-e-festivalit-te-rtsh-se-kejsi-tolaKënga e Kejsi Tola “Më merr në ëndërr” nuk ishte asgjë më shumë se përsëritje e të njëjtit zhanër që dy kosovaret Doruntina Disha dhe Flaka Krelani kishin kënduar vitin e kaluar. Madje kënga kishte të njëjtin autor, Agim Doçin dhe Edmond Zhulalin si kompozitor.
Festivali i 46-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) nuk ka ndryshuar shumë në pikëpamje skenike, por edhe të prurjeve të ndryshme artistike. Edhe në këtë vit kemi pasur të njëjtin zhanër që e kanë përdorur të këngëtarëve të Shqipërisë, i cili zhanër më shumë shkon drejt muzikës se lehtë, por edhe të muzikës pop. Këtë vit fitues doli ish-etheistja Kejsi Tola me këngën “Më merr në ëndërr”, e cila për autor mban Edmond Zhulalin, kurse tekstshkrues ka poetin Agim Doçi, i cili para një jave kishte fituar 3000 euro në emisionin “Kush do të bëhet Milioner”. Ndoshta kënga fituese do të jetë një shpagim për vitin e kaluar kur të njëjtit autorë besonin se anëtarët e jurisë i kishin shantazhuar. Ata kishin aranzhuar këngën “Jeta kërkon dashuri” të Flaka Krelanit dhe Doruntina Dishës, por kishin hasur në gozhdë të fortë të Alban Skenderajt, i cili kishte votuar kundër dy kosovarëve duke ua dhënë atyre vetëm nga një pikë.

Dominon muzika pop dhe ajo e lehtë

Pas Kejsi Tolës në vendin e tretë të festivalit është renditur kënga e West Side Family, këngë kjo që ka qenë në mes të zhanrit rep dhe pop, por e përzier edhe me elemente folklorike. Kjo këngë deri në momentin e fundit ishte në vendin e dytë, por dështoi tek anëtari i fundit i jurisë, gjë që ndikoi që në vendin e parë të ngjitet etheistja Kejsi Tola. Vendi i dytë i takoi duetit Juliana Pasha-Luiz Ejlli.

Ndërkaq, këngëtari i njohur italian, Enrico Ruggeri për festivalin tha. “Më pëlqeu shumë festivali. skenografia, dritat, audioja edhe salla ishin të bukura. Disa këngë më pëlqyen më shumë, disa më pak. Më pëlqyen më shumë ato që ishin më personale, ku ndjehet kultura shqiptare”. Po ashtu këngëtari italian ka thënë se ka pasur këngë të cilat janë përpjekur që të imitojnë pop-kulturat e ndryshme perëndimore. “Këngët që përpiqen të imitojnë popin gjerman, italian evropian, m’u dukën të dobëta. Për sa i përket muzikës ajo duhet t’i tregojë botës se çfarë është Shqipëria. Më pëlqeu kënga e West Side Family, kishte shumë Shqipëri brenda saj”, ka thënë Roggeri.

Përqeshje për Shpat Kasapin e parafundit

Nuk ka pasur moment kur Shpat Kasapi nuk është përqeshur nga publiku tiranas. Me përformimin e këngës “Ëndërr mesdhetare”, Shpat Kasapi është renditur në pozitën e parafundit, ndërkaq juria nuk ka ditur ta shpërblejë atë me dhjetë pikë. I vetmi shpëtimtar i Shpat Kasapit kësaj radhe mund të konsiderohet kompozitori shqiptar Florent Boshnjaku, pasi që i dha atij 9 pikë. Të tjerët nuk i dhanë Shpatit më shumë se katër pikë, ndërsa tre prej anëtareve të jurisë e shpërblyen atë me notën 1-sh. Shpati ishte kritikuar për këngën e tij që nga shumica e kritikëve u konsiderua si këngë me motive turke. Kështu që Shpati bën mirë që herëve tjera të këndojë shqip, në mënyrë që të shpëtojë nga përqeshjet e publikut shqiptar.

Befasia – Elsa dhe Toni

Befasia më e këndshme e këtij festivali ishte padyshim valltari i njohur amerikano-shqiptar Toni Doverlani, i cili para shikuesve shqiptarë ka sjellë momente të vallëzimit “Cha-Cha-Cha” amerikan. Kjo ka sjellë edhe frymën e një show televiziv amerikan. Ndërkaq, Elsa ka kënduar bashkë me Enrico Ruggeri-in kolonën zanore të filmit Lindje – Perëndim – Lindje”. Këngën “Fluturimi i fundit”, Ruggeri e ka interpretuar në duet me Elsa Lilën. Të dy kanë paralajmëruar se filmi i Xhuvanit është në fazën e post-produksionit. Titulli origjinal i kësaj këngë është “Volata Finale” dhe kjo këngë do të jetë pjesë e albumit të Roggeri, që do hidhet së shpejti në treg.
Ardian Jasiqi
Gazeta Express

YouTube Preview Image