Camaj: Raegim ndaj tekstit të Ferhat Dinoshes

December 25, 2008   | Reportazh / Reportaža

nikolle_camajRaegim ndaj tekstit të Ferhat Dinoshes “Pse digjen katër milionë euro”, botuar në Koha javore të datës 18 dhjetor 2008

KATËR MILIONËT – KËMBË DHELPRE NË MIELL

Është e vërtetë se fëmija, për dy vite fillon të ecë, të flasë e të tregojë për nevojat që i ka, por prindi i mirë ia di, së paku, nevojat jetike, edhe para se të lind. Ju, z. Dinosha, besoj se e dinit fort mirë se këto nevoja i kishim të njohura që të gjithë së bashku, për “fëmijën” që e pritnim e duhej quajtur “komunë”. Por dikush i harroi ato në një moment vendimtar dhe, nga dashuria e tij, e panatyrshme (me pushtetin në Podgoricë) lindi surrogati i quajtur ”komunë urbane”, si femijë handikapat, që ka nevoja krejtësisht të tjera. Ne që nuk u pajtuam me një fat apo “pagëzim” të këtillë, fituam shumicën e votave në këtë trevë, me shpresë se ndërkohë do të na bashkëngjiten edhe ata të cilët, asokohe, nuk na përkrahën.
Dy vitet e kaluara e dëshmuan plotësisht arsyetueshmërinë e kërkesës sonë për një vetëqeverisje të plotë, pasiqë as nevojat elementare të qytetarëve të Malësisë, nuk arritëm t’i plotësojmë ashtu siç ishin pritjet e tyre. Dhe, sot me plot të drejtë mund të konstatojmë se qytetarët tonë, nuk do ta hetonin dukshëm mosekzistimin e një “komune” të këtillë, sa u përket nevojave dhe interesave të tyre. Fakt se kemi një institucion që vepron dhe tenton të artikulojë kërkesat tona.
Ju, si njëri prej atyre që e përkrahët një projekt të këtillë, nëse mund ta quaj “çerek komunë”, e dini shumë mirë se kush disponon me mjetet e parapara buxhetore për zhvillimin e Malësisë dhe për funksionimin e KU të Tuzit. Besoj se shumë mirë e dini se xhirollogaria e saj është zero.
Fort mirë e dini se deri më sot ende askush nga strukturat e Kryeqytetit nuk na ka dhënë kurrfarë llogarie për shumën e shpenzuar, respektivisht për mënyrën e menaxhimit të këtyre mjeteve, edhe pse, po ashtu fort mirë e dini se kush është përgjegjës për llogarinë përfundimtare. Nuk dua të bjerri shpirtin, por asnjëherë nuk dëgjova nga goja juaj të kërkoni nga pushteti i Podgoricës, që mjetet e parapara për këtë trevë, të investohen pikërisht këtu, në vendin tim dhe tuajin, z. Dinosha. Andaj, mendoj se pyetjet dhe dilemat tuaja, sot, lidhur me këtë çështje, nuk janë mjaft të qëlluara. Nuk dua të besoj se ju, z. Dinosha, nuk e dini kush e ka fajin e djegies së mjeteve, jo të asaj sasie sa pohoni ju, por përafërsisht. Edhe pse fjala është për një milion më pak, ajo nuk e zvogëlon përgjegjësinë, më parë do të thoja të “arrogancës së Podgoricës” se sa të “paaftësisë sonë”, për çka ju keni dilemë. Po, hajt, le ta marrim si arsye edhe paaftësinë tonë! Po si nuk doli dikush e të arsyetojë se i ka paguar mjetet në xhirollogarinë e KU e të kërkojë përgjegjësi për mosshpenzimin adekuat të tyre. Nëse kjo nuk qëndron, e kujt është arroganca, z. Dinosha? A thua ka nevojë për ndonjë sqarim shtesë? Unë besoj se ju këtë e kishit të njohur edhe para se të parshtronit dilemën në fjalë. Por, ani! Më në fund, e shihni edhe ju vet se kush ju mungon më së shumti, Malësia!
Ju keni pohuar në shkrimin tuaj se Malësia meriton zhvillim më të shpejtë. Natyrisht, z. Dinosha. Këtu duhet të pajtohemi të gjithë. Por, a thua tatimpaguesit nga kjo trevë, tashmë gati një shkeull të plot, nuk e kanë merituar që një pjesë e mjeteve të tyre të kthehet këtu, në Malësi? Që së paku ta dimë sa është shuma e mjeteve nga tatimpaguesit nga Malësia që shkonë në arkën shtetërore dhe të flasim me parametra të shëndoshë. Që së paku të dimë, sa janë të ardhurat nga Plantacionet dhe, për hir të korrktësisë, një përqindje e vogël e tyre të investohet në trevën e Malësisë. Ta dimë sa derdhen në arkën e Podgoricës nga bizneset, nga tregu, nga tagrat mbi patundëshmëritë, nga automjetet etj. Por, një ligj shterp, që madje nuk respektohet nga ata që e kanë miratuar, nuk mundëson një gjë të tillë. Ju, me siguri i dini fort mirë të gjitha anomalitë që janë pasojë e zgjidhjes ligjore për statusin e KU të Tuzit.
Kësaj radhe po i kapërcej ato që i kam elaboruar disa herë publikisht, lidhur me këtë temë, e po i kthehem asaj që, më në fund e vëreni edhe ju vetë se pa veprimtari të përbashkët nuk mund të prodhojmë zgjidhje të duhur që Malësia të marrë frymë me mjetet e veta, siç i përmenda më lart. Unë, edhe në shkrimet e mia të mëparshme, në faqet e “Kohës javore”, duke parë nevojën e shqyrtimit të këtyre çështjeve në mënyrë transparente dhe qëllimmirë, kam kërkuar, madje edhe nga Ju, që ta shpëtojmë Malësinë së bashku, pasiqë të gjithë jemi të bijtë e saj. “Shërimi mund të arrihet vetëm nëse ne kemi një front të përbashkët shqiptar”, ishte porosia nga shkresa ime e tetorit 2008, nëse ju kujtohet!
Dhe ne, natyrisht se kësaj nuk i ikim. Me, ose pa ndërmjetëues! Të kthehemi aty, ku dikur ishim së bashku. Të ulemi e të flasim, në radhë të parë si njerëz dhe si struktura që na takon, në vijën e asaj që u kemi premtuar njerëzve tonë, pasi që veprojmë në këto hapësira. Të ulemi e të shohim se cila do të ishte zgjidhja më e mirë, në kuadër të ligjit ekzistues, apo të një ligji tjetër, dhe që vërtetë, mjetet e parapara për Malësinë, më në fund të shpenzohen në këto treva, që bashkëvedasit tonë ta hetojnë dhe gëzojnë të mirën nga ato mjete.
Ju, përveç anës financiare, në tekstin tuaj keni përmendur se pushteti në Podgoricë është i brishtë dhe se, me votat tona mund t’i bëjmë shumicën forcave qeveritare të cilat kanë prodhuar pavarësinë e Malit të Zi dhe kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pastaj tërheqni vërejtjen se “me Komunë të plotë, pa votat tona, do të mund të ndodhte që Podgorica të binte në duart e forcave serbe”. Besoj se nuk është më koha që ne të qajmë dertet e Podgoricës. Është koha që Podgorica të menaxhohet nga vullneti i banorëve të saj e jo të ndikohet nga ne! Madje, z. Dinosha, a s’është koha që, më në fund Podgorica zyrtare, së paku ta meritojë votën tonë, duke na mundësuar zhvillim të drejtë dhe të plotë, përmes realizimit të mjeteve të parapara nga buxheti i Podgoricës, të cilat do t’i menaxhonim së bashku, në mënyrë që asnjë fshat i Malësisë të mos lihet pasdore, siç po ndodh deri më tani.
Tekefundit, a s’është koha t’i kthehemi vetes, sepse “uji rrjedh e zalli mbetet”. Pastaj, katër milionët, a nuk duken si këmbë dhelpre me miell z. Dinosha. Unë besoj se Ju këtë e dini, por s’e shoh si shenjë të mirë që këtë doni ta fshehni nga lexuesi. Gogla për fiq, i thonë kësaj punë, z. Dinosha. Do të ishte mirë, që të mos na ndodhë, që të mos i njohim këmbët e dhelprës, sidomos kur nuk janë të futura në miell, z. Dinosha!
Sa i përket Berlinit e Shkodrës, LD e njeh dhe respekton realitetin, por po ashtu e di se po i artikuluam, së bashku e pa hile, kerkesat tona, ky realitet mund të jetë më i volitshëm për ne. Pastaj LD e di edhe një gjë, se pak kontrata të tilla kanë mbetur të përjetshme! Perandoria Romake, Bizantine, Turke…

Nikollë Camaj
Kryetari i Kuvendit të KU Tuz

Burimi / MALESIA.ORG

YouTube Preview Image
 Pritja e Vitit Te Ri 2009 me Kengetarë te ndryshme në Garden of Eatin Restaurant - Contact Ahmet Zeka  215-499-6146