Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881 (3)

December 27, 2008   | Kulturë / Kultura

lidhja-prizrenitFuqitë e Mëdha kërkojnë jetësimin e vendimeve të tyre
Ministri i ri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, lordi Granvil, më 14 maj 1880 i shkroi ambasadorit anglez në Paris dhe i tha se ka ardhur koha e fundit për realizimin e vendimeve të miratuara duke e përkrahur Malin e Zi. Fuqitë e Mëdha kërkonin që kësaj radhe Perandoria Osmane duhej të vinte në jetë vendimin e tyre, qoftë edhe duke përdorur armët kundër shqiptarëve.
Ngjarjet rreth Plavës dhe Gucisë, Hotit dhe Grudës, qitën në shesh se Fuqitë e Mëdha nuk kishin ndërmend të hynin në luftë me shqiptarët për interesa të Malit të Zi. Megjithatë, kujdesin e tyre e përqëndruan në zgjidhje të shpejtë në favor të tij. Kishin shpresë se do ta kënaqnin Cetinën duke ndryshuar edhe një herë projektin territorial.
Në gazetën e regjimit të shtetit malazez “Glas crnogorca” thuhej se nuk ka dyshim se Traktati i Berlinit do t`i nënshtrohet rishikimit, sepse nuk ka shpresë që shqiptarët në mënyrë paqësore të japin çfarëdo pjese të tokës së tyre.
Pas një lufte të gjatë diplomatike dhe një sërë intervenimesh e këshillash, kabinetet e Fuqive të Mëdha erdhën tek ideja e zëvendësimit të viseve të Hotit dhe të Grudës me një krahinë tjetër që gjendej nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Ministri i ri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, lordi Granvil, më 4 maj 1880 iu drejtua së pari qeverisë austro-hungareze e pastaj edhe qeverive të tjera të cilat e kishin nënshkruar Traktatin e Berlinit, me kërkesë që t`i vihej pikë luhatshmërisë së Portës së Lartë lidhur me zbatimin e Traktatit të Berlinit. Propozimin e Londrës, Vjena e pranoi me seriozitet. Hajmerle, ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, iu përgjigj Granvilit se qeveria e tij është tejet e interesuar që me qeverinë britanike të kontribuojë për zgjidhjen e konfliktit turko-malazez. Mirëpo Vjena ka edhe një rezervë: mund të ndodhë që edhe me anë të presionit diplomatik mbi Portën, ajo të përgjigjet se nuk është në gjendje t`i largojë shqiptarët nga rruga e tyre.
Granvili më 14 maj 1880 i shkroi ambasadorit anglez në Paris dhe i tha se ka ardhur koha e fundit për realizimin e vendimeve të miratuara, duke e përkrahur Malin e Zi.
Fuqitë e Mëdha kërkonin që kësaj radhe Perandoria Osmane duhej të vinte në jetë vendimin e tyre, qoftë edhe duke përdorur armët kundër shqiptarëve.
Porta e Lartë vazhdoi të arsyetohej para Fuqive të Mëdha se vendimet e tyre do të mund të zbatoheshin në Shqipëri vetëm po të përdorej dhuna kundër shqiptarëve, atë që e kërkonin edhe Fuqitë e Mëdha. Mirëpo, përdorimi i dhunës ishte plot me rreziqe për të. Ministri i Punëve të Jashtme i Perandorisë Osmane, Savas pasha, në përgjigjjen që i dha më 15 maj 1880 promemories së Fuqive të Mëdha, kërkonte prej tyre që po të mos e besonin rrezikun e situatës që ishte krijuar prej shqiptarëve në kufirin turko-malazez, le të dërgonin përfaqësuesit e tyre për ta parë vetë gjendjen në vend.
Mr. Riza Rexha
Koha Javore