Ambasada në Podgoricë, Mali i Zi vë kushte

January 5, 2009   | Rajoni / Region

flag-kosovaPresidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka paralajmëruar në mediat malazeze se Kosova, në fillim të këtij viti, do të hapë ambasadën në Mal të Zi. Megjithatë, i shpejt ka qenë edhe reagimi i presidentit malazez, Filip Vujanoviq, i cili ka deklaruar se pranimi i ambasadorit të Kosovës kushtëzohet me njohjen e pakicës malazeze në Kosovë, si dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve joshqiptarë nga Mali i Zi në Kosovë.
Presidenti Sejdiu ka vlerësuar se vendosja e marrëdhënieve të dyanshme është në interes të të dy vendeve, ndërsa ka shtuar se për këtë çështje është biseduar me presidentin Vujanoviq dhe me ministrin e Jashtëm Roçen.
“Nuk mund të them saktësisht se në cilën ditë do të bëhet kjo, pasi po zhvillohen edhe disa procedura të brendshme”, ka thënë Sejdiu
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq ndërkaq, deklaroi të hënën se pranimi i ambasadorit të Kosovës kushtëzohet me njohjen e pakicës malazeze në Kosovë, si dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve joshqiptarë nga Mali i Zi në Kosovë.
Deklarata e presidentit të Malit të Zi u bë pas paralajmërimeve të homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, se në fillim të këtij viti do të hapet ambasada e Kosovës në Podgoricë. /REL/Telegrafi/