Së shpejti do të nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit kulturor

January 7, 2009   | Kulturë / Kultura

ylli-pango_miqunovic_hajdinagaPodgoricë/Ulqin – Ministri i Kulturës, Sportit dhe Medias i Malit të Zi, Branisllav Miqunoviq, priti të shtunën në Podgoricë ministrin shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, prof. dr. Ylli Pango.
Qëllimi i vizitës ishte hartimi i një projekt marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e kulturës e cila pritet të nënshkruhet së shpejti nga dy ministrat.
“Ne kemi hartuar një projekt marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë të cilën shpresoj ta nënshkruajmë në dy muajt e ardhshëm në Tiranë”, tha Miqunoviq.
Ministri Pango theksoi se kjo marrëveshje paraqet avancimin dhe zgjerimin e një marrëveshjeje të mëparshme që daton nga viti 2001.
“Marrëveshja jonë është shumë e gjerë dhe parashikon bashkëpunimin në fushën e artit dhe kulturës, në kuadër të të cilit do të hapen ekspozita të piktorëve, do të jepen shfaqje, pjesë të ndryshme operistike dhe baleti, do të organizohen aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me librin. Dua të rikujtoj po ashtu se Panairi i sivjetshëm i Librit në Tiranë ishte më i madhi që ë është organizuar deri tani dhe shpresoj se në të ardhmen do të organizojmë panair të përbashkët të librit”, tha ai.
Dy ministrat vizituan të dielën Ulqinin ku u pritën nga kryetari i Komunës Gëzim Hajdinaga.
Kryetari i Komunës së Ulqinit tha pas takimit se “edhe kjo vizitë e këtij niveli është dëshmi e një bashkëpunimi të mirë ndërmjet dy shteteve, Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe dëshmi se Ulqini është adresë e cila bashkon dhe qytet që është urë bashkëpunimi në këto komunikime”.
“Kemi konfirmuar faktin se kultura me misionin e saj tregon se është ura më e madhe e bashkëpunimit ndërmjet njerëzve, kombeve, kulturave, religjioneve dhe dy shteteve”, tha Hajdinaga.
Ministri Miqunoviq tha se një pjesë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit që do të nënshkruhet ka të bëjë pikërisht me Ulqinin.
“Ulqini do të jetë njëra prej adresave të rëndësishme ku do të realizojmë një pjesë të mirë të programit tonë”, tha ministri malazez i Kulturës, Sportit dhe Mediave.
Ministri Ylli Pango nënvizoi se Marrëveshja parashikon bashkëpunim edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku sipas tij, Shqipëria ka arritur viteve të fundit rezultate të çmueshme.
Ai përkujtoi se para disa kohe nën mbrojtjen e UNESCO-s është futur edhe qyteti i Beratit, duke e çuar në katër numrin e monumenteve kulturore të Republikës së Shqipërisë nën mbrojtjen e UNESCO-s, ku më parë veç bënin pjesë Gjirokastra, Butrinti dhe iso-polifonia.
Në këtë takim morën pjesë edhe ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fuad Nimani, si dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Tonin Beci.
I.Kallaba
Koha Javore