Shqiptarët as në qiell, as në tokë

January 7, 2009   | Shoqëria / Društvo

shqiptaret-ne-mal-te-ziDështimet e politikës së brendshme malazeze
Ky vit që po lëmë pas le të jetë vit nga i cili nxorëm mësime, nëse tashmë nuk kemi nxjerrë farë dobie! Megjithatë, le të shpresojmë se gjërat kanë filluar të përmirësohen dhe sa më tepër që vendi t`u afrohet integrimeve europiane, kështu edhe të gjitha çështjet lidhur me shqiptarët por edhe me popujt e tjerë në Mal të Zi të zgjidhen në mënyrë sa më të mirë! Në qoftë se tashmë disa liderë tonë politikë këtë vit e kanë shpallur vit të shqiptarëve anembanë botës, viti i ardhshëm le të jetë vit i shqiptarëve në Malin e Zi! Gëzuar!

Dalëngadalë por me hapa të sigurtë ne po i afrohemi edhe një viti të ri dhe si gjithmonë, në vlugun e përgatitjeve për festë apo pushim, gjithëherë tërthorazi na vjen ajo që në mënyrë të popullarizuar quhet pastrim i llogarive. Qëllimisht nuk dua të them dhënie e llogarive, sepse kjo në shoqërinë tonë është edhe tutje sintagmë e ndërlikuar të cilën pakkush e respekton. Në këtë kontekst do të provoj që shkurtimisht të prezantoj se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë shteti i Malit të Zi për shqiptarët që jetojnë në të por, gjithashtu edhe çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë vetë shqiptarët për vetveten. Është vështirë të gjendet fillimi i këtij tregimi, sepse kompleksiteti i vetë tematikës është mjaft i gjerë.
Por, të fillojmë nga shteti dhe të përfundojmë me popullin – edhe pse do të duhej të ishte e kundërta. Mali i Zi gjatë vitit të kaluar ka bërë mjaft në planin e politikës së vet ndaj shqiptarëve kur është fjala për politikën e jashtme, përkatësisht për diplomacinë e tij, dhe fare pak apo aspak kur është fjala për politikën e tij të brendshme. Shkurti i vitit 2008 përmbante në vetvete datën 17, ditë e cila pa dyshim ishte dita më e rëndësishme e këtij viti për të gjithë shqiptarët anembanë botës, ditë kjo kur Kosova shpalli pavarësinë. Në këtë ditë Kosova krijoi realitetin e ri politik në Ballkan, me të cilin duhej të përballeshin të gjitha vendet e botës, e sidomos fqinjët e saj ballkanikë. Ishte kjo padyshim një sprovë e rëndë edhe për diplomacinë malazeze e cila nuk mundi t`u shmangej presioneve të fuqishme që i vinin nga ana e Serbisë “vëllazërore”, por gjithashtu edhe nga presioni po aq i fuqishëm i partnerëve të saj perëndimorë. Dhe kësisoji vetë akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës në Malin e Zi kaloi në qetësi, pa kurrëfarë pasojash, kështu që gjatë tërë verës zihej çështja e njohjes së saj. Ishte ky një vendim i vështirë kur dihet se në Mal të Zi jetojnë rreth 33 % serbë dhe se popullsia shumicë e Malit të Zi nuk është për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Megjithatë, pas spekulimeve të gjata rreth datës së njohjes, Mali i Zi gjatë kësaj vjeshte i ra trup! Duke njohur Kosovën, Mali i Zi u bëri shërbim të madh shqiptarëve të cilët jetojnë në të dhe pas një kohe të gjatë populli shqiptar në Mal të Zi mundi të ndjehet i mbrojtur nga ana e shtetit! Është kjo një situatë e çuditshme kur dimë se shqiptarët në Mal të Zi kanë ekzistuar shumë përpara vetë malazezëve. Me këtë akt shteti tregoi se kur është fjala për politikën e jashtme, është i përcaktuar qartas për politikën të cilën e përfaqëson Perëndimi, përkatësisht Bashkimi Europian dhe SHBA-ja. Në të njëjtën mënyrë, gjatë këtij viti është vërejtur se marrëdhëniet e mira me Shqipërinë fqinje janë përmirësuar dukshëm dhe se komunikimi diplomatik me Kosovën është në nivel të lakmueshëm dhe pritet që në periudhën e ardhshme të emërohen ambasadorët mbi bazën rezidente në të dy drejtimet. Për të mos shkuar tepër në thellësi, nga sa u tha më sipër është më se e qartë se diplomacia malazeze ka bërë hapa të mëdhenj në vitin 2008 dhe se shqiptarët që jetojnë në të në njëfarë dore mund të jenë të kënaqur.
Ndërkaq, pasi që karakteristikë e shoqërive në tranzicion është që brenda një dite apo një ore t’ju çojë nga shkëlqimi në dëshpërim, kështu as realiteti malazias nuk ka mundur të konceptohet ndryshe. Kontradikta politike është karakteristike për shtetet me kulturë politike të dobët dhe me sistem jo mjaft të zhvilluar të demokracisë, i cili natyrisht ngulfat edhe sistemin e përgjegjësisë. Po mirë, e gjithë kjo me kalimin e kohës do të vijë në vendin e vet, të paktën shpresojmë për këtë. Pse e themi këtë? Nga shkaku i thjeshtë sepse politika e brendshme e Malit të Zi, e cila drejtëpërsëdrejti ndikon në standardin e jetesës së shqiptarëve si dhe të qytetarëve të tjerë ka dështuar në shumë aspekte. Edhe pse janë krijuar parakushte të mira, të mos them të shkëlqyeshme ligjore, të bazuara në Kushtetutën e Malit të Zi nga viti 2007, megjithatë nuk ndodhën ndryshimet e dëshiruara të qëndrimit të Qeverisë ndaj shqiptarëve, kur është fjala për zbatimin e tyre praktik. Në vendin ku indeksi i korrupsionit është enorm, ku krimi i organizuar është në shkallë të lartë, ku privatizimet bëhen në mënyrë të dyshimtë, duke mos iu nënshtruar me këtë rast kurrëfarë revizioni, ku gjykatat e kryejnë jashtëzakonisht ngadalë punën e vet, dhe kur ndodh shpeshherë që edhe ajo të cilën e bëjnë, ta bëjnë gabimisht, është vështirë të priten arritje pozitive. Shqiptarët janë edhe tutje në margjinat e kësaj shoqërie! Pamundësia e realizimit të të drejtave mbi pasurinë e vet ndikon jashtëzakonisht shumë në standardin e jetesës së shqiptarëve të këtushëm. Njerëzit në Ulqin nuk mund ta rikthejnë pasurinë e vet në Valdanos dhe Shtoj, që është goditje direkte në rrënjët e tyre historike dhe kulturore që janë “mbjellë” në këto vende nga lashtësia. Por kjo nuk është e tëra, sepse ndërmarrja me emrin që nuk i përkon, “Të mirat detare” (“Morsko dobro”), mban në robëri 55% të territorit më atraktiv të Komunës së Ulqinit. Për të qenë paradoksi akoma më i madh, është formuar komisioni i cili duhet të konstatojë atë që e dinë kahmoti qytetarët, e kjo është që gjendja ekzistuese nuk është në përputhje me ligjin mbi këtë ndërmarrje. Deri tani privatizimi ka qenë i mjerueshëm dhe fitohet përshtypja se askund nuk po punohet asgjë dhe se status quo-ja e këtillë do të zgjasë edhe do kohë.
Në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në Mal të Zi, i cili u prezantua para disa ditëve në Gjenevë, të cilin pata rastin ta lexoj, rrjedh vetëm “mjaltë e qumësht”. Gjithçka është mirë, gjithçka është e shkëlqyeshme! Ekziston edhe pjesa speciale që ka të bëjë me të drejtat e pakicave, në të (sikur ta kishin shkruar fëmijët) vetëm janë përshkruar dispozitat nga Kushtetuta e Malit të Zi që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave dhe janë cekur disa institucione që merren me mbrojtjen e tyre. Është vërtetë frapante! Të rikujtojmë vetëm “Fluturimin e Shqiponjës” dhe konfuzionet që krijoi pushteti rreth këtij procesi, e që me atë rast asnjë zyrtar nuk dha përgjegjësi për tejkalimin e autorizimeve të veta. Gjithashtu nuk është vërejtur se gjatë këtij viti në shërbimet shtetërore të jetë punësuar një numër më i madh i shqiptarëve sesa në vitet paraprake, kurse po vazhdon edhe tendenca e pranimit të nëpunësve sipas lidhjeve policore.
Por, nuk është çdo gjë aq e zezë, derisa të mos ulemi në rrafshin e asaj që vetë ne si shqiptarë është dashur ta bëjmë për vetveten. Ndër të tjera, ligji na ka mundësuar themelimin e Këshillit Nacional që duhet të jetë një forum i rëndësishëm politik i cili do të kandidojë, por në të njëjtën mënyrë edhe do të ofrojë zgjidhje për problemet tona ekzistuese. Mirëpo, çfarë ndodhi? Sikurse çdo tregim i yni, as ky nuk ka qenë idilik. U vërejt përçarje e madhe dhe luftë e madhe se kush duhet të jetë në këtë këshill, në çfarë mënyre duhet të zgjedhen këta përfaqësues, kush duhet të jetë në krye të këtij këshilli etj… Gjithë kësaj i vinte erë e një lufte të madhe politike midis elitave politike të shqiptarëve në Mal të Zi, që është edhe një dëshmi se niveli i kulturës politike brenda nesh është jashtëzakonisht i ulët. Do të na duhet të mësojmë shumë e shumë! Në vend që të bashkuar të ulen pas tryezës dhe të merren vesh, që secili nga subjektet politike të ofrojë sa më shumë kandidatë të pavarur të cilët mund të japin kontributin e vet të çmueshëm në krijimin e një klime më të mirë sociale – kulturore për të gjithë shqiptarët, ata, sikur kjo t`u ishte funksioni i fundit në jetë, u sollën në mënyrë tejet të papërgjegjshme!
Elitat politike të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të gjejnë urgjentisht minimumin e marrëveshjes rreth çështjeve të rëndësishme të cilat paraqiten si sprovë para shqiptarëve në periudhën e ardhshme. Pason një vit me siguri i rëndësishëm brenda të cilit pritet privatizimi i Plazhit të Madh. Duhet të zhvillohet diskutimi publik dhe të gjendet zgjidhja më e mirë, por për të ndodhur kjo duhet që në radhë të parë të sinkronizohen të gjitha subjektet politike dhe të gjitha subjektet jopolitike të cilat mund të japin kontributin e vet. Nuk është kjo çështja e vetme që duhet të zgjidhet me mirëkuptim, por këtu bëjnë pjesë edhe të gjitha çështjet e tjera.
Ky vit që po lëmë pas le të jetë vit nga i cili nxorëm mësime, nëse tashmë nuk kemi nxjerrë farë dobie! Megjithatë, le të shpresojmë se gjërat kanë filluar të përmirësohen dhe sa më tepër që vendi t`u afrohet integrimeve europiane, kështu edhe të gjitha çështjet lidhur me shqiptarët por edhe me popujt e tjerë në Mal të Zi të zgjidhen në mënyrë sa më të mirë! Në qoftë se tashmë disa liderë tonë politikë këtë vit e kanë shpallur vit të shqiptarëve anembanë botës, viti i ardhshëm le të jetë vit i shqiptarëve në Malin e Zi! Gëzuar!
(Autori ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike)
Dritan Abazoviq
Koha Javore