Lëvizja e lirë në rajon,bien kufinjte Shqiperi-Kosove

January 8, 2009   | Rajoni / Region

topi_sejdiu-3Shqipëria dhe Kosova – shembull i bashkëpunimit dhe lëvizjes së lirë në rajon
Me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi, po qëndron për një vizitë dyditëshe në Kosovë, në krye të një delegacioni të gjerë të përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të biznesit nga ky shtet.
Në vizitën e tij të dytë si president i Shqipërisë dhe të parën pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti Topi fillimisht u nënshkrua në monumentin “New Born”, ndërsa para takimeve me udhëheqjen e vendit, i shoqëruar nga Presidenti Sejdiu, parakaloi para Gardës së Nderit.

Fillimisht, presidentët Sejdiu e Topi zhvilluan një takim të veçantë, ndërsa më pas delegacionet në përbërje të gjerë diskutuan për zhvillimet në marrëdhëniet mes dy shteteve, për hapat që do të ndërmerren në vijim për intensifikimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, për gjendjen në Kosovë, perspektivat e integrimit në institucionet ndërkombëtare dhe një varg temash të tjera.

Në delegacionin e lartë shtetëror të Shqipërisë, të kryesuar nga presidenti Topi janë edhe nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, Ylli Bufi e Neritan Ceka, deputetët Arta Dade, Besnik Mustafaj, Petro Koçi, Edmond Spaho, Arben Malaj , Sali Shehu, Besnik Dervishi, si dhe Sabri Godo, Sami Shiba, drejtor për Kosovën në Ministrinë e Jashtme e zyrtarë të tjerë. Delegacioni u shoqërua edhe nga Arben Çejku, i ngarkuar me Punë i Shqipërisë në Kosovë.

Pas takimit të delegacioneve, të dy presidentët mbajtën një konferencë të përbashkët me gazetarë, transkriptimin e së cilës po e japim në vijim:

Presidenti Sejdiu: Shpreh kënaqësinë time që sot kemi në vizitë zyrtare në Kosovë, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi bashkë me një delegacion të nivelit të lart shtetëror. Kjo është vizita e parë që Presidenti Topi bën në Kosovën e pavarur.

Dua të them dhe të shpreh falënderimet më të thella të institucioneve dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e jashtëzakonshme që Republika e Shqipërisë, institucionet e shtetit, pozita dhe opozita dhe personalisht Presidenti Topi kanë dhënë për Kosovën edhe në proceset para pavarësimit, në procese të gjata kohore dhe në rrugën e mëtejshme të zhvillimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës duke pasur parasysh, po ashtu, bartjen të themi në një transmision të natyrshëm dhe tepër pozitiv të përvojave të mira që kanë në ecjen në proceset e integrimeve.

Na gëzon fakti që Republika e Shqipërisë ka një ekspansion në zhvillimin ekonomik dhe në zhvillimin e demokracisë që shprehet më së miri në punën e përgjithshme dhe të përbashkët të institucioneve dhe në këtë kuadër qëndrimi i përbashkët i të gjithëve për mbështetjen e Kosovës.

Na gëzon po ashtu fakti i rëndësishëm që Republika e Shqipërisë në këtë pranverën e këtij viti të mbarë që jemi, pas vitit 2008 që ishte vit historik për Kosovën dhe për shqiptarët, që të jetë edhe anëtare e NATO-s dhe të shpejtojë hapat e saj të zhvillimit dhe të ecjes drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Për ne është me rëndësi që të nënvizojmë mbështetjen e veçantë që ka dhënë me të gjithë rrjetin diplomatik në botë për të nxitur vende mike për të njohur Republikën e Kosovës dhe ky përkushtim dhe mbështetje do të jetë edhe më tej edhe në proceset ekonomike edhe në shkurtimet e rrugëve në komunikimet sidomos me këtë që mund ta quajmë damari i jetës ekonomike dhe jetës së përgjithshme me rrugën Durrës-Prishtinë- Merdar, që edhe ne do të bëjmë punën tonë.

Dhe i shpreh edhe një herë falënderimet më të thella.

Presidenti Topi: I dashur President, ju falënderoj për këtë mikpritje vëllazërore që po më rezervoni në Kosovë së bashku me delegacionin e nivelit të lartë që unë kryesoj.

Viti shkon mbarë kur fillon me Kosovën. Kujtoj vizitën time të parë në janarin e vitit 2008 në prag të shpalljes së pavarësisë tek i njëjti ambient në mos gabojë më është bërë pyetja kur do të vjen moment i pavarësisë së Kosovës.

Ajo lexohej te të gjithë, ishte në mendjen e të gjithëve, ishte në zemrën e të gjithëve, shqiptohej nga të gjithë dhe ai moment kishte ardhur dhe ne jemi shprehur në mënyrë figurative, por shumë realiste se çështja e pavarësisë është çështje orësh.

Unë nuk mund ta filloja vitin 2009 më bukur sesa me një vizitë zyrtare në Kosovë dhe këtë e mundësuat ju, z. President me një ftesë, unë ju falënderoj, dhe unë besoj se kjo vizitë bëhet në një moment kur Kosova vazhdon të konsolidojë institucionet e veta dhe të jetë pjesë e rrugës së përbashkët euroatlantike.

Më lejoni t’ju falënderoj për të gjithë atë sjellje të një lidershipi perëndimor të të gjithë politikanëve kryesorë të Kosovës. Presidenti, Kryeministri, Qeveria e Kosovës, Kuvendi kanë demonstruar në situatë mjaft delikate të administrimit dhe të gëzimit të momentit të shpalljes së pavarësisë dhe të ushtrimit të të gjitha kompetencave kushtetuese, duke i demonstruar botës së përparuar që Kosova i ka të gjitha kapacitetet shtetformuese dhe shumë shpejt Kosova do të jetë një partnere e denjë dhe e pandarë e rrugës së përbashkët që ne kemi për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ne kemi shumë gjëra për të bërë së bashku, politika rajonale në Ballkan  ka ndryshuar shumë. Nuk është vetëm një realitet i ri gjeopolitik, por është edhe një dëshirë e madhe që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mos jetë më arenë e luftërave ndëretnike. Ato janë skenarë shumë të vjetra dhe të vdekura pavarësisht nga rigjallërimi në zona të caktuara i elementeve ultranacionaliste, tendenca botërore, tendenca evropianiste është që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe të gjithë të tjerët në rajon të kenë një të ardhme të sigurt ndërmjet një bashkëpunimi të dialogut të nivelit të lartë politik, por edhe të bashkëpunimit ekonomik.

Unë jam i bindur që Kosova të gjitha institucionet e saj do të dinë të respektojnë të drejtat e pakicave mbi baza të multietnicitetit. Pa dyshim e thashë edhe në takimin që patëm së bashku  z. President, çështja e respektimit të minoriteteve është një çështje që u takon të gjithëve, sikurse institucionet  e Evropës, Këshilli i Evropës, institucionet më prestigjioze, kërkojnë që standardet për të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen, ato duhet të respektohen në Shqipëri, në Kosovë, por ato duhet të respektohen edhe në Preshevë. Pra, çështja e respektimit duhet të jetë mbi bazë të një vullneti politik për t’i respektuar në bazë të standardeve, kështu që ata që mundohen që të japin leksione, ndërkohë që  krijojnë situata të vështira duhet të jenë të parët që duhet të bashkëpunojnë me shtetin legjitim të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës të bashkëpunojnë për respektimin e të gjitha standardeve.

Unë e kam parë këtë dëshirë te të gjithë politikanët e Kosovës dhe uroj që Kosova të ketë një vit të mbarë në të gjitha aspektet, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e institucioneve dhe në partneritet ndërkombëtar.

Besoj se do të jetë një vit, kur do të rritet gjeografia e njohjes së pavarësisë së Kosovës, realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm.

Unë ju falënderoj edhe një herë z. President dhe ju siguroj që Shqipëria, institucionet e saj do të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie intensive qoftë në planin politik, institucional ekonomik dhe besoj që përfundimi i aksit të rrugës që lidh Durrësin me Prishtinën, me Merdarin do të jetë një mundësi tjetër e madhe që njerëzit të lëvizin të lirë, edhe nënshkrimi i marrëveshjeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve që do të realizohet brenda tremujorit të parë do të japë mundësi të mëdha që të ketë një komunikim  natyral në një ambient natyral.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të cilët kërkonin më shumë hollësi për marrëveshjen që pritet të bëhet në tremujorin e parë për lëvizjen e lirë, pa pasaporta, në mes dy vendeve, presidentët theksuan:

Topi: Natyrisht, marrëveshjet përpunohen nga ekspertët, përpunohen në qeveritë respektove. Ju siguroj se puna kryesore është realizuar, mbetet vetëm për t’u formalizuar dhe ju përfytyroni se regjimi i lëvizjes së lirë ka të bëjë me shumë aspekte të karakterit administrativ dhe teknik, por ju sigurojë se do të jetë një marrëveshje e ndërtuar mirë në hollësi me shumë pika që do t’u japë shansin të gjithë qytetarëve që të lëvizin pa pengesa në shumë drejtime, qoftë në komoditetin e proceduarve administrative, qoftë në problemet që kanë të bëjnë me fascilitetet për sigurimet për automjetet dhe të gjitha me radhë.

Presidenti Sejdiu: Unë vetëm do të shtoj edhe dy elemente, duke u pajtuar plotësisht me këtë që Presidenti Topi e tha, se është tepër e nevojshme që të japim një shembull të veçantë të një bashkëpunimi të ngushtë të vendeve të rajonit. Ne mendojmë se do të startojmë në këtë mënyrë themi të shartimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve pa pjesën e formaliteteve që mund të jenë pjesë e pengesave administrative sikur kanë qenë ta zëmë çështja e pasaportave dhe kjo të jetë një shembull në komunikim edhe me vendet e tjera të rajonit flasë me Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë për çka do të ketë nevojë të proceseve përgatitore, por të bëjmë atë që unë e kam dhënë një ide dhe e kemi biseduar edhe me Presidentin Topi në vizitën time në Republikën e Shqipërisë, një minishengen i Evropës Juglindore.

Të jetë një shembull i mirë që qytetarët të lëvizin lirshëm sikur që lëvizin lirshëm verës. Ju e dini që nuk ka procedura pasaportash as për të vizituar Ulqinin, as Sarandën, as Vlorën dhe ajo realizohet pa pengesa dhe është fluksi më i madh i qytetarëve dhe pse kjo të mos bëhet edhe në pjesën tjetër të vitit dhe të jetë një komunikim normal

Zyra e Presidentit të Kosovës

Video Top Channel

http://shqiphost3.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/topikosove08.flv