Tuzi – Komuna pa territor, pa buxhet dhe pa kompetenca

January 8, 2009   | Intervista / Intervju

REAGIM

(Përgjigje ndaj tekstit të Ferhat Dinoshës me titull: “Pse digjen katër milionë euro”, botuar në nr. 351 të “Kohës Javore”, datë 18 dhjetor 2008)

Më vjen mirë që ke vendosur të merresh me çështjet esenciale të funksionimit të Komunës Urbane të Tuzit, gjegjësisht me shkrimin tuaj në “Kohën Javore”, “Pse digjen katër milionë euro?”. Nuk është për t`u çuditur për “brengosjen” tuaj për djegijen e këtij “katërshi” e unë ju them edhe të shumë “katërsha” të tjerë nga e kaluara. E dini ju fare mirë vullnetin e Podgoricës për investime në Malësi, por kuptohet ju këtë e bëni për të vepruar drejt lexuesve dhe opinionit të gjerë për t`i dezinformuar ata. Kjo tentativë e juaj nuk më çudit, por e keqja e shkrimit qëndron në faktin se ju, si autor vendimtar i projektit për themelimin e Komunës Urbane të Tuzit, me këmbëngulje i përsëritni gjërat duke mos pasur njohuri elementare mbi legjislacionin e saj. Shtoj edhe faktin që ju vazhdimisht në këtë projekt implikoni edhe dikë tjetër nga faktori i jashtëm, siç e praktikoni të shpreheni, “duke u rënë së bashku telave të çiftelisë”, e me ç`rast askush tjetër nuk e gjen veten në këtë projekt përpos juve.
Po megjithatë, t`i kthehemi artikullit tuaj në fjalë. Fillimisht dua të japë opinionin tim mbi komunën aktuale, e ta quajmë urbane apo si të doni. Mundet ajo të kenë çfarëdo emërtimi, duke besuar se Malësia nuk do të vuante nga kompleksi i emërtimit të saj. Por se është ajo edhe kaq e dobët në konceptin juridik, kurrë besuar s`e kisha, por bindjen e kam për ditë e më të thellë se këtë lloj pushteti lokal është mëkat ta ketë cilado trevë, kudo që ajo gjindet, e posaçërisht treva jonë.
Duke u marrë me të tash më shumë se dy vjet, ballafaqohem për ditë e më shumë me gjëra të paqarta dhe të papërcaktuara juridikisht. Me sa vërej, dua t`ju them haptazi që edhe nga takimet apo bisedat kur pata rastin të takohem me Ju që kryesisht ndodhin përmes “ndëjave” të ndryshme të rastit, kam përfituar një dozë dijenije se as ju vetë nuk dini se për çka keni votuar në Kuvendin e Malit të Zi. Zotëri, nuk e njihni materien juridike që përcakton komunën urbane. Si shembull do të përmendi vetëm një segment nga panjohuria juaj: Ju flitni për kufijtë administrativë të komunës. O zotëri, komuna urbane nuk ka kufij të tillë, por edhe as çfarë të tjerë, atë ju e keni formuar vetëm me vendbanime. E kjo në çfarëdo konstelacioni juridik është e papërcaktuar.
Sa për dëshmi të shumë mangësive ligjore dhe zgjidhjeve joadekuate për komunën urbane, që nga ditët e para të ushtrimit të postit të kryetarit, shpesh kam komunikuar edhe me kryetarin e Komunës Urbane të Zetës. Në fillim kryetari Dobroviq, që përndryshe si potitikan i takon opcionit shumicë të Podgoricës, pohonte se formimi i saj është “zgjidhje adekuate dhe e mirë” duke e lavdëruar veprimtarinë e saj dhe gjithësesi kryebashkiakun e Podgoricës. Gjithësesi unë nuk u pajtosha me të dhe nga ngjarjet që aktualisht po ndodhin kohëve të fundit atje, dëshmohet se isha në të drejtë, nga fakti se Podgorica të njëjtin fat i ka projektuar edhe Zetës duke e mbajtur atë në “pranga”, e unë besoj se “ato” njëherit janë planifikuar për Malësinë, se si neve edhe më tutje t`na mbajnë, siç ishin mësuar nga e kaluarja, vetëm nësqetull. Së fundi edhe Zeta u zgjua duke e kundërshtuar me plot fuqi projektin “komuna urbane”, gjë që po shkakton krizë politike atje. Pra edhe vetë anëtarët e koalicionit në pushtet u bindën se kjo zgjidhje është diskriminuese për një trevë dhe popullatën e saj.
Por ne pas shumë dëshmive, a duhet edhe tutje të mbetemi peng i zotërisë suaj dhe projektit të famshëm që na sollët ju. Thjesht nga fakti se tani duhet të jeni të vetëdijshëm se Malësisë i keni prodhuar komunë që nuk ia sheh shoqen në rruzullin tokësor, e kjo është:

– komunë pa territor,
– pa kufijë kadastralë,
– pa të drejtë në titullarë të pasurisë,
– pa të drejtë në nxirrjen e dokumentave urbanistike,
– pa të drejtë në vendimmarrje mbi pronat në trevën e vet,
– pa të drejtën e vendimmarrjes për trollin ndërtimor,
– pa të drejtën e grumbullimit të tatimeve publike lokale,
– pa të drejtën në buxhetin e vet dhe shumë kompetenca të tjera nga rrafshi i pushtetit lokal, në mes tjerash siç janë:
– Kuvend pa të drejtën e vendimmarrjeve obliguese për instancat e tjera,
– komunë pa të drejtë në Komisionin zgjedhor,
– komunë pa të drejtën e kremtimit të Ditës së vet,
– komunë pa të drejtë në emërtimin e rrugëve dhe vendbanimeve,
– komunë pa të drejtë në pjesëmarrjen e përfaqësuesit të saj në lidhjen e martesave,
– komunë pa të drejtën e pjesëmarrjes së përfaqësuesit të saj në Këshillat drejtues të sipërmarrjeve dhe institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në trevën e Komunës Urbane të Tuzit. Zgjidhjet e këtilla edhe po të ishin nxjerrë nga librat e shenjtë, duhet t`i ndërrojmë.

Në lidhje me shifrat që Ju përmendët, për masë parash prej 4.300.000 euro që i janë siguruar Komunës Urbane të Tuzit për vitin 2008, kam nevojë të përsëris atë që konstatova edhe më lart, se është mëkat të tentosh të merresh me një problematikë e mos të kesh njohuritë elementare për çfarë bëni fjalë. Pra, nuk bëhet fjalë për buxhetin e këtij viti në masën prej 4.3 milion euro, çka më jep të drejtë të dyshoj në sinqeritetin tuaj, duke dëshiruar në mënyrë qëllimkeqe, me të vetmin qëllim të përfitoni politikisht duke e mashtruar opinionin e Malësisë.

Bashkëqytetarë të nderuar, e vërteta qëndron krejt ndryshe. Buxheti ynë, e që z. Dinosha nuk ka dëshiruar që ai të quhet si gjithëkund në botë “buxhet”, por e gjeti shprehjen “plan financiar”, për vitin në fjalë ishte 3.747.200 euro. Shumë kjo, ani pse më e vogël se ajo që sipas “ligjit të tij” na takonte, gjithësesi sasi e respektuar parash, e sidomos kur kjo t`i jepej ta menaxhojë atij që edhe me ligj i takon. Përndryshe, një konstatim të tillë më detajisht do ta shqyrtojmë dhe do të njoftojmë edhe zotërinë në fjalë, por edhe opinionin e gjerë nëpërmes procedurës së rregullt të organeve gjegjëse të Komunës Urbane.
Shembulli më karakteristik i zvarritjeve të aktiviteteve në trevën tonë është ndërtimi i ujësjellësit në fshatin tuaj i cili po i përngjan Kështjellës së Rofazës. Më se 20 vjet po ndërtohet. Ju patët fatin që i pari ta hapni ujin për pije në fshatin e Dinoshës, kjo nuk zgjati shumë. Ujë, ortakët tu politikë kishin siguruar vetëm për atë ditë dhe konkretisht për gotën tuaj, ndërsa bashkëvendasit tuaj ende presin të ndërtohet Kështjella, tregojuni se deri kur…

Pra, me dashamirësi ta them, se edhe ti edhe unë, si njerëz që tani u regjëm me premtimet që vijnë nga Podgorica, edhe ato kryesisht para ndonjë ngjarjeje aktuale. Më kujtohet kur juve u premtuan komunën para 20 viteve, e ju nuk ishit të kënaqur me komunë të plotë, kërkonit asokohe status special. Po çfarë ngjau? A ndryshuam ne si popull, a ndryshuat ju si person? Nga momenti aktual duhet ta dimë se Podgoricës as që i bjen ndërmend të plotësojë obligimet e veta sidomos ndaj pakicës shqiptare në Malin e Zi. Edhe atë që ajo e bën kam bindje, e realizon me presion të drejtëpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar.

Nga premtimet e tyre asgjë, gjithçka ikën në harresë. Atëherë neve na mbetet të grindemi në mes vedi, të fajësojmë njëri – tjetrin dhe derisa na kështu sillemi në mes veti, pushtetmbajtësve kjo u konvenon, ndërsa Malësia dhe jeta në te për ditë e më shumë po ligështohet.

I nisur nga këto halle, të shkrova letrën pas një viti “kryetarllëku”, duke menduar se do të tregosh dashamirësi, jo ndaj meje si oponent aktual politik që jemi, por ndaj projektit të “komunës urbane” që ia dhurove Malësisë dhe peshës që ka ajo. U heshte, nuk u lajmërove. Ti politikën e ke profesion dhe nuk ke patur asnjë arsye të sillesh kësisoji, aq më shumë për arsye se në Kuvendin tonë është klubi i UDSH-së me katër këshilltarë, dhe çmova se do ishte mirë të vish në selinë e Komunës Urbane të Tuzit dhe realisht të bisedojmë për probleme, që mjerisht nuk janë të pakta. Nuk erdhe. Nuk ke bërë mirë për një trajtim të tillë të kërkesës sime dhe nevojës së qytetarëve.

Nuk më duhet buxheti, siç thoni ju i majmë nga Podgorica, sepse ajo kafshatë na ka mbetur në fyt. I kot është buxheti i majmë kur ne nuk mund ta kontrollojmë dhe ta realizojmë në praktike. Pra, sikur aktualisht qëndrojnë punët, ne jemi “jabonxhi” në shtëpitë tona. A ka nevojë Malësia për një trajtim të tillë. Trevës së vet, bijtë e këtij trungu i kanë dalur Zot gjithëherë vetvetes. Kjo padyshim pritet edhe nga të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak nga pozita dhe këndvështrimi i vet. Ta ruajmë Malësinë, mos ta lemë atë në terr. Tani po më vjen mirë për idenë tuaj që e shprehët mbi organizimin e një tryeze të përbashkët dhe të bisedohet, si kuptoj unë, mbi çështjen e funksionimit të Komunës Urbane. Dua të besoj se edhe ju jeni tani i bindur se ky problem kërkon zgjidhje të re adekuate.

Smail Çunmulaj,
Kryetar i KU të Tuzit

Kohapress