Në Ulqin u mbajt edicioni i katërt i festivalit të këngës për fëmijë

January 9, 2009   | Kulturë / Kultura

festivali-i-femijeve-ne-ulqinÇmimi i Parë shkoi në Kosovë
Këngëtarja e re nga Gjakova, Rina Bardoniqi, është fituese e Çmimit të Parë të edicionit IV të Festivalit të Këngës për Fëmijë në Ulqin. Juria e vlerësoi këngën e saj “Më ka nana çikë për qefi”, me tekst të Yllka Kuqit, ndërsa me muzikë dhe orkestrim të Butrint Bicurrit, më të mirën e Festivalit.
Ulqin – Pas Diana Toskës nga Gjilani e cila fitoi Çmimin e Parë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë në Ulqin, një tjetër vogëlushe nga Kosova arrin ta çojë tri vjet më pas këtë çmim në Kosovë.
Këngëtarja e re nga Gjakova, Rina Bardoniqi, është fituese e Çmimit të Parë të edicionit IV të Festivalit të Këngës për Fëmijë, i cili u mbajt të premten dhe të shtunën.
Juria e përbërë nga muzikanti dhe dirigjenti Ermir Dizdari, kryetar, Dashnor Xërxa, profesor i muzikës nga Kosova, këngëtari Shaban Gjekaj, drejtor i Qendrës së Kulturës Ulqin, piktori Bilal Nikeziqi dhe Valbona Hoxha, profesoreshë e gjuhës shqipe, e vlerësoi këngën e saj “Më ka nana çikë për qefi”, me tekst të Yllka Kuqit, ndërsa me muzikë dhe orkestrim të Butrint Bicurrit, më të mirën e Festivalit.
Ndërkaq për interpretim Çmimin e Parë e mori Melita Shata, Çmimin e Dytë Barbana Shkreli, ndërsa Çmimin e Tretë Nita Nagavci.
Çmimi Special i Festivalit, “Fiqri Hasanaga”, i cili u akordua për herë të parë sivjet për nder të këtij kompozitori që ishte njëri ndër ideatorët dhe udhëheqës artistik i tre edicioneve të mëparshme të Festivalit, iu dha Dion Çobajt.
Drejtori i Festivalit Sari Resulbegu thotë se pa marrë parasysh kushtet e vështira financiare, organizatori ka bërë përpjekje që këtë manifestim të veçantë ta begatojë dhe ta pasurojë si në aspektin cilësor, ashtu edhe në atë sasior.
Ai falënderon Komunën e Ulqinit dhe kryetarin Gëzim Hajdinaga për kontributin e dhënë në realizimin e tij.
Njëkohësisht ai shpreh keqardhje që njëri prej ideatorëve të këtij festivali, kompozitori Fiqri Hasanaga, tashmë nuk jeton.
“Fatkeqësisht, njeriu që ka merita të veçanta për këtë festival në aspektin muzikor ose të them më mirë, për ngritjen, ruajtjen, afirmimin dhe prezantimin e melosit tonë të bukur nuk është më në mesin tonë”, thotë Resulbegu.
Udhëheqës artistik i Festivalit të sivjetshëm ishte prof. Jusuf Lika, koreograf Musa Hoxha, skenografia u punua nga Agron Ujkashi, ndërsa prezantues ishin Zenel dhe Gresa Katana.
Gjatë dy netëve të Festivalit u prezantuan 37 këngëtarë të rinj, shumica prej të cilëve nga Ulqini, por edhe nga disa qytete të tjera.
Festivali IV i Këngës për Fëmijë u organizua nga Qendra e Kulturës Ulqin nën patronatin e Komunës së Ulqinit.
Kohapress

YouTube Preview Image