Shkaqet dhe pasojat e emigrimit të shqiptarëve nga Mali i Zi

January 10, 2009   | Reportazh / Reportaža

emigrimi-i-shqiptareve-nga-mali-i-ziTë dhëna alarmuese
Nga pasojat e emigrimit të popullsisë shqiptare një numër i konsideruar i vendbanimeve janë zbrazur tërësisht dhe si të tilla do të mbesin në kujtesën e gjeografisë kombëtare. Dukuria e tillë është shumë shqetësuese sidomos në ato komuna ku shqiptarët janë popullsi pakicë në kuadër të popullsisë së përgjithshme siç është komuna e Rozhajës, Plavës dhe e Tivarit. Nëse vazhdon praktika dhe politika e deritashme e pushtetit për të mos investuar në viset ku jetojnë shqiptarët fenomeni i migrimit të popullsisë, gjegjësisht i emigrimit të saj, do të jetë konstant. Dhe nga një fenomeni e tillë hapësira etnogjeografike shqiptare në kuadër të Malit të Zi do të tkurret gjithnjë që do të jetë në disfavor të shqiptarëve në përgjithësi.
Emigrimi i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi nuk paraqet ndonjë çështje të panjohur duke marrë parasysh se një dukuri e tillë është e pranishme kudo në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Siujdhesën ballkanike. Por një dukuri e tillë ka të veçantat e veta në këtë mjedis, sepse shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje entike josllave dhe se në kuadrin e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi marrin pjesë me 7.09% të popullsisë së përgjithshme(2003).
Andaj, duke marrë parasysh këtë pjesëmarrje të popullsisë e cila në aspektin numerik është pakicë absolute si dhe faktin se shqiptarët në këtë republikë në aspektin territorial nuk kanë lidhje homogjene, ndërsa në aspektin ekonomik viset shqiptare janë ndër më të pazhvilluarat, bën që te shqiptarët emigrimi është bërë dukuri pothuaj normale duke filluar nga dekada e tetë e shek. XIX e cila vazhdon deri në ditët tona, e dhënë kjo e cila dëshmohet në mënyrë transparente në saje të të dhënave statistikore.

1. Emigrimi i shqiptarëve dukuri e vazhdueshme

Emigrimi i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike që tash janë ne kuadrin e Malit të Zi, fillon nga përcaktimi i kufijve politikë duke filluar nga shek. XIX, dhe atë pikërisht nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe pas tij 1880, e duke vazhduar më pas në sajë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), pra si rezultat i rrethanave të reja shoqërore dhe politike, në ato mjedise të cilat u aneksuan nga ana e Malit të Zi.
Andaj, në rrethana të reja shoqërore dhe politike, shqiptarët duke refuzuar pushtetin e ri një numër i konsideruar i tyre ka emigruar, ku si shembull tipik kemi banorët e Ulqinit, të cilët në shenjë revolte, e braktisën qytetin e tyre duke filluar nga viti 1878 e sidomos pas vitit 1880.
Sipas disa të dhënave, nga qyteti në atë kohë emigruan 413 familje shqiptare, apo rreth 3000 banorë, të cilët janë vendosur kryesisht në Shkodër, dhe pikërisht në kodrat e Kalasë, në Draçin, në Tophanë dhe në një kodër në të hyrë të Shkodrës, që më vonë u quajt Kodra e Ulqinakëve. Këto familje më vonë u shtrinë në Fushë-Serdarej, Shabanej e Ndocej, Garuc e Zdrale, Perash e Parrucë dhe më pak në Dërgut, Rus e Tepe.
Me vendosjen e ulqinakëve në Shkodër, nga muaji nëntor i vitit 1880 u formua komisioni për të ndihmuar refugjatët. Në krye të Komisionit vihet Jusuf Tabaku, i cili edhe pse në moshë mbi 80 vjeç, kreu më së miri detyren e kryetarit të Komisionit.
Në grupin e të shpërngulurve nga qyteti i Ulqinit bënin pjesë autoritetet e qytetit, si: Mehmet Beci, Mehmet Gjyli si dhe intelektuali më në zë nga ky qytet Ali Riza-Ulqinaku i cili ka përkthyer “Mevludin” në gjuhën shqipe.
Së bashku me parinë e qytetit në Shkodër emigroi edhe një numër i konsideruar i familjeve zezake. Sipas disa të dhënave që disponojmë deri më sot, në qytetin e Shkodrës janë regjistruar rreth 617 familje ulqinake me afërsisht 2527 banorë, e barabartë kjo me 3 për qind të popullsisë së qytetit. Praninë e popullsisë ulqinake në Shkodër e dëshmojnë patronimet nga ky mjedis, që si të tilla janë të pranishme edhe në ditët tona.

2. Politika asimiluese e kolonizuese e pushtetit të Malit të Zi

Me aneksimin e Ulqinit nga ana e pushtetit të Malit të Zi, në nëntor 1880, politika shtetërore malazeze kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me këtë territor të ri. Çështje kyçe sipas tyre ishte ndërrimi i strukturës etnike të popullsisë së këtij mjedisi. Me urdhër të Simo Popoviqit i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.
Në lidhje me këtë çështje, në mënyrë mjaft transparente na dëshmon letra e vojvodë Simo Popoviqit që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet: “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam – N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t`i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur të shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi se çka të gëzohemi”.
Një përmbajtje e tillë nuk meriton të analizohet sepse çdo gjë është e qartë dhe transparente, por i mbetej pushtetarëve të rinj për të realizuar në praktikë kolonizimin e një territori të ri, ku si qëllim final kishte ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.
Në saje të të dhënave që disponojmë del se kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur gjatë deri në mesin e vitit 1893. Deri në fillim të vitit 1888 janë ndarë 4000 rrallë tokë (1 rrallë = 1804m2) dhe janë vendosur 160 familje kolonistësh malazezë. Deri në fund të vitit 1890, numri i familjeve koloniste arriti në 200, ndërsa në fillim të prillit 1893, ky numër arriti mbi 300. Gjithsej këtu janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave u janë ndarë 5000 rrallë tokë. Nga kjo del se një ekonomi shtëpiake ka fituar mesatarsisht nga 12.5 rrallë tokë.
Çështje të veçantë ka paraqitur Mali i Brisë, i cili ka qenë i banuar me shqiptarë (malësorë), të vendosur këtu kryesisht nga Malësia e Madhe. Pushteti malazez u angazhua me të gjitha mjetet për t’i dëbuar, madje enkas për këtë çështje Parlamenti malazias miratoi një ligj të veçantë, me qëllim të kolonizimit të këtij territori me malazezë.
Popullsia malazeze e ardhur është vendosur nga Mozhuri e deri në Bunë, në faza të ndryshme. Kolonistët ishin nga Kuçi, Cërmnica, Piperi, Nahija e Rijekës, Leshanit, Katunit, Bjellopavliqit, Vasojeviqit, etj.
Asipratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i cili theksonte “… me vendosjen e malazezëve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në këtë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.
Pas luftërave ballkanike e sidomos asaj të Parë Botërore, në sajë të terrorit të ushtrive serbo-malazeze, popullsia shqiptare u detyrua të shpërngulet ku krahinat shqiptare të cilat janë goditur më së shumti janë Malësia, Plava-Gucia dhe Rozhaja. Të emigruarit me t`u vendosur në Shkodër dhe rrethinën e saj të ngushtë në kujtim të vendlindjes së tyre vendbanimeve të reja iu vendosen emërimet “Hoti i Ri”, “Gruda e Re” dhe “Gucia e Re”, që si të tilla janë edhe sot.
Se si ka ndryshuar struktura e popullsisë në saje të rrethanave politike dhe shoqërore në dëm të popullsisë shqiptare, shembull tipik mund të shërbejë krahina e Plavë-Gucisë, e cila sipas të dhënave statistikore në vitin 1908-1909, del se 82.6% në strukturën e popullsisë së përgjithshme ishte shqiptare, ndërsa në vitin 2003, ky numër ishte 26.26% e popullsisë së përgjithshme. Ndërsa për të njëtin vit në Rozhajë popullsi shqiptare kishte 86.5%, ndërsa në vitin 2003 ishin vetëm 4.32%. Këto konstatime faktografike, besoj se pasqyrojnë në mënyrë transparente pozitën e popullsisë shqiptare në këto mjedise.
Në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme dhe me pasoja të vazhdueshme për popullin tonë, Shoqata e Mëgimtarëve Shqiptarë në Mal të Zi ka organizuar një regjistrim të popullsisë shqiptare të emigruar që përfshin periudhën kohore 1945-1992, të dhëna këto që janë publikuar në tetor të vitit 1992, nga del se nga viset shqiptare në Mal të Zi, duke filluar pas Luftës së Dytë Botërore e më pas, në botën e jashtme kanë emigruar 16 113 persona. Sipas komunave kemi këto të dhëna: nga Ulqini 5577 banorë, Tivari 855, Podgorica 5500, Plava dhe Rozhaja 4181 banorë.
Nuk ka dilemë se këto të dhëna nuk janë të plota, sepse mungojnë të dhënat në mes dy luftrave botërore por edhe më herët, kryesisht mendojmë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shek. XX, kur u përcaktuan kufijtë politikë të shtetit të pavarur shqiptar, ku siç dihet rreth gjysma e territoreve shqiptare mbetën jashtë shtetit të pavarur shqiptar, nga del se kjo çështje do të jetë temë e hapur edhe për të ardhmen.
Emigrimi i shqiptarëve nga këto vise është bërë në shumë shtete të Evropës Perëndimore, por edhe në SHBA, Kanada dhe Australi. Të dhënat e tilla nga ky regjistrim, kjo Shoqatë i ka në arkivin e vet, dhe për secilin individ apo familje ekzistojnë të dhëna në formë të dosjes me emër dhe mbiemër, dhe si tilla mund të vërtetohen çdo herë.

3. Çdo i treti shqiptar në botën e jashtme

Por, në lidhje me emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme për të parën herë nga regjistrimet e popullsisë në Mal të Zi, të dhëna të përafërta kemi nga regjistrimi i fundit i popullsisë nga viti 2003. Pasi në këtë regjistrim ka ndryshuar metodologjia e regjistrimit të popullsisë në krahasim me vitet e mëparshme, sepse është marrë për bazë popullsia rezidente e jo edhe ajo që gjendet në botën e jashtme më tepër se një vit. Nga të dhënat e para të cilat janë publikuar nga ky regjistrim i popullsisë, del se shqiptarë në Mal të Zi gjithsejt ka 47 682 banorë apo 7.09% e popullsisë së përgjithshme. Por, pasi si kriter bazë është marrë numri i banorëve në vend e jo edhe ata të cilët janë më tepër se një vit në botën e jashtme del se shqiptarë në Mal të Zi ka 31 163 banorë apo 5.03% e popullsisë së përgjitshme të Republikës. Andaj nëse zbresim këtë numër nga numri i popullsisë së përgjithshme del së nga Mali i Zi në botën e jashtme janë 16 519 shqiptarë apo 2.6% e popullsisë së përgjithshme të regjistruar. Një e dhënë e tillë është alarmuese sepse asnjë popull në Mal të Zi nuk ka pjesëmarrje aq të lartë të popullsisë së emigruar, që thënë me gjuhën e shifrave del së çdo i treti shqiptar nga Mali i Zi është në botën e jashtme, dukuri kjo e cila është shndërruar në proces.
Nuk ka dilemë se nga një emigrim i tillë nënkuptohet edhe statusi i pavolitshëm i tyre ekonomik në këtë mjedis multinacional. Emigrimi në botën e jashtme, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë masive ka filluar nga viti 1966. Shqiptarët kanë braktisur vendlindjet e tyre dhe janë vendosur në kampet e ndryshme në Itali, si në Romë e Trieste, por edhe gjetiu. Me t`u vendosur aty nuk janë deklaruar se janë shtetas jugosllavë, por rekomandimi ka qenë të deklarohen se janë shtetas të Shqipërisë, sepse si të tillë do të kenë mundësi të fitojnë lehtë vizën e emigracionit për në vendet e tjera, kryesisht në SHBA. Ishte kjo një politikë perfide e pushtetit jugosllav të asaj kohe, duke mos treguar gjendjen e vërtetë të mjerimit ekonomik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Duhet thënë se emigrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi për në botën e jashtme është bërë kryesisht për motive ekonomike, por ka pasur edhe të atillë që janë detyruar të emigrojnë për motive politike, por ky numër ka qenë relativisht i vogël. Ndërsa për këtë kategori individësh çështje të veçantë paraqet problemi se edhe pas dështimit të komunizmit ata nuk janë rehabilituar nga organet kompetente në aspektin moral e po ashtu nuk janë dëmshpërblyer materialisht, sepse në Mal të Zi, në shumë aspekte vazhdon politika e njëjtë si më parë, sepse pushteti e ka të vështirë të pranojë se edhe te shqiptarët në Mal të Zi, ka pasur të përndjekur, të persekutuar dhe të burgosur politikë.
Jam i vetëdijshëm se asnjë e dhënë numerike .

Dr. Nail Draga
Koha Javore

3