Në ulqin u mbajt tribuna publike me temë “Thuaji drogës Jo”

January 11, 2009   | Shoqëria / Društvo

drisat-jakupiAksionet parandaluese minimizojnë përdorimin e drogës
Shefi i Zyrës për Parandalimin e Narkomanisë Dushan Raspopoviq shpjegoi se sot vendin e parë sa i përket përdorimit të lëndëve narkotike në Mal të Zi e zën marihuana, vendin e dytë heroina, kurse në vend të tretë droga e njohur si extasy.
Ulqin – “Droga nuk mund të çrrënjoset, por përdorimi i saj mund të minimizohet përmes aksioneve parandaluese”, tha Dushan Raspopoviq, shef i Zyrës për Parandalimin e Narkomanisë në Podgoricë, në tribunën publike me temë “Thuaji drogës JO”, e cila u organizua të enjten në Ulqin.
Sipas tij, droga është problem i të gjithë rajonit dhe botës.
“Nuk ka vend në botë ku nuk përdoret droga. Nga ajo më tepër janë të prekur të rinjtë”, tha Raspopoviq.
Ai demonstroi para pjesëmarrësve të tribunës, kryesisht fëmijë të shkollave fillore të Ulqinit, llojet e lëndëve narkotike të cilat përdoren më së shpeshti duke nënvizuar se është ulur kufiri moshor i përdoruesve të drogës.
“Droga në Mal të Zi është paraqitur në fillim të viteve `90. Në fillim kufiri i përdoruesve të drogës ka qenë 26-28 vjeç, ndërsa sot është ulur në 14-15 vjeç”, tha Raspopoviq.
Shefi i Zyrës për Parandalimin e Narkomanisë shpjegoi se sot vendin e parë sa i përket përdorimit të lëndëve narkotike në Mal të Zi e zën marihuana, vendin e dytë heroina, kurse në vend të tretë renditet droga e njohur si extasy.
Mjeku Isat Jakupi foli për efektet e drogës në shëndetin e njeriut.
“Droga është për momentin shkatërruesi më i madh i shëndetit”, tha ai.
Psikologia Majlinda Kurt foli për dimensionin psikologjik dhe kontekstin social të përdorimit të drogës.
“Njerëzit nuk janë të gjithë të barabartë përpara drogës. Ndërmjet të rinjve që përdorin drogë për herë të parë, ka nga ata që do ta nisin përsëri dhe nga ata që s`do t`i kthehen kurrë më konsumimit”, tha ajo.
Ndërsa sa i përket kontekstit social, Kurt tha se “ai luan një rol të dukshëm në ofertën për drogë dhe në arritjen e saj”.
“Mjediset më të prekura nga problemi i të qenit viktimë e drogave janë ato urbane më shumë sesa mjediset rurale, ndërsa mosha e fillimit të përdorimit është zakonisht 14-15 vjeç”, theksoi ajo.
Në emër të organizatorëve përshëndetën Hatixhe Nelaj nga SOS Telefoni Ulqin dhe Nikoleta Ndrekiq në emër të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Socialistëve.
Tribuna u organizua nga SOS Telefoni Ulqin, Forumi Rinor i PDS-së dhe Policia e Ulqinit.
I.Kallaba
Koha Javore


YouTube Preview Image

1