R.Ushaku: Migjeni miti i një poeti

January 11, 2009   | Kulturë / Kultura

dr-ruzhdi-ushaku-2Rruga përpjetëse e jetës, kah Migjeni ngjitet, na përkujton mitin e Sifizit, i cili më kot shtyn gurin e madh për ta qitur në shpat, ndërsa Migjeni shtyn ditën me ditë dhe me përpjekje mbinjerëzore, duke mohuar në një mënyrë vdekjen dhe dështimin ndaj fatit, don të bindë veten dhe të tjerët se njeriu nuk duhet humbë shpresën. Kështu në gjirin e dilemave, dëshprimit, peshës së fatit, megjithatë, gjen fuqinë për jetë, vetëm prej besimit në ngadhnjim, në fuqinë njerëzore, në ideal bujar.

Lashtësia na ka trashëguar një mori mitesh. Këto mite në raste të shumta janë pjellë e imagjinatës, me të cilën personifikohen qenjet mbinjerëzore, që nuk janë prodhim rasti, por një eksperiencë, e shkrirë në një të vërtetë të përgjithshme. Në esencë miti duhet të jetë, dhe zakonisht është, një e vërtetë që duhet kërkuar në eksperiencën e përgjithshme të jetës dhe fatit njerëzor.

Opusi letrar i Migjenit, ku fuqia kualitative e të vërtetës së hidhur dhe të vërtetës artistike është në disproporcion me kuantitetin, dëshmon për një paradoks ku vepra është më e madhe se jeta, ku jeta mbetet e madhe në saje të veprës. Jeta e vogël e një njeriu të vogël, në këtë mënyrë, fiton përmasa kolosale në saje të veprës dhe fuqisë së saj. Vetë personaliteti i poetit, duke u shkrirë në vepër, formon mitin e një njeriu, aktit të tij, fuqisë kreative dhe misionit të tij në mediumin e një shoqërie të caktuar – të një populli – të njerëzimit. Edhepse jeta e tij, prej se filloi për t`u ballafaquar me të vërtetën e idhtë, shpeshherë rropatej në luftërat e dilemave shpirtërore, në alternativën e fatit njerëzor, në kontrastet jetësore dhe medalonin me dy anë të një shoqërie në një kohë të caktuar, udha e poetit merr konturat e veta në një shteg, ku edhepse luhaten dilemat e shumënduarshme për ngadhnjimin e së vërtetës dhe të drejtës, dominon deviza e fuqisë mbinjerëzore, qëndrueshmërisë dhe socializimit të pashoq për t`i kapërcyer barierat dhe për t`i rezistuar grushtit të jetës.

Kriza ekonomike dhe politike, në të cilën gjindej Shqipëria në kohën kur jetoi dhe krijoi ky poet, ishte një arenë e luftës për ekzistencë, ku më i fuqishmi ngadhnjente, ishte një grusht i rëndë për vogjëlinë, edhe një grusht më tepër shpirtit të molisur, trupit të rraskapitur të poetit, një grusht që mbyt pa mëshirë. Por Migjeni nuk lyp mëshirën si Bodleri: “Pak mëshirë, o Ti i vetmi që të dua, prej fundit të greminës ku zemra ime ka ra”. Kjo është një gjithësi e errët me horizonte të përhimtë ku noton tmerri i natës dhe blasfemi i mallkuar!” Jo, Migjeni nuk kërkon mëshirë prej zotit, ai kërkon: “Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla, të lutem pak dritë, në këtë nat ku shpirti vuen…”, e fjala mëshirë që i shkëputet më vonë nuk është mohim i dinjitetit të tij, nuk është përulje dhe dorëzim i tij para fatit, por është besim në fuqinë e njeriut, e shokut, e vëllaut, e jo të perëndisë.

Dhe rruga përpjetëse e jetës, kah Migjeni ngjitet, na përkujton mitin e Sifizit, i cili më kot shtyn gurin e madh për ta qitur në shpat, ndërsa Migjeni shtyn ditën me ditë dhe me përpjekje mbinjerëzore, duke mohuar në një mënyrë vdekjen dhe dështimin ndaj fatit, don të bindë veten dhe të tjerët se njeriu nuk duhet humbë shpresën. Kështu në gjirin e dilemave, dëshprimit, peshës së fatit, megjithatë, gjen fuqinë për jetë, vetëm prej besimit në ngadhnjim, në fuqinë njerëzore, në ideal bujar.

E nëqoftëse kështu lind miti i një njeriut, i një poeti, kjo nuk është një bindje personale e hiperbolizuar, sepse këtu flet vepra, e cila si produkt i poetit shëndrrohet në mit. E miti mbi poetin tonë është mit në vehte, sepse ngritet në një të vërtetë të pakufishme, ekzistonjëse dhe është prodhim i të vërtetës njerëzore, që përcjell njeriun, jetën ,fatin dhe luftën e tij të amshueshme. Mu kjo e ngrit Migjenin në piedestalin e një filozofi me përmasa të larta, sepse mitet mbi Tantalin, Prometheun dhe Sizifin janë krijuar ose imagjinuar prej njerëzve si një produkt i të vërtetës së përgjithshme njerëzore të personifikuar në një fuqi ose figurë mitologjike. E miti për një poet ekziston si një e vërtetë e gjithëmbarshme, ku shkrihet sinteza e një të vërtete të përjetuar e një trashëgimi shekullor të fatit njerëzor dhe personalitetit të poetit me fuqinë krijuese dhe transponuese të trajtave dhe ngjyrave të jetës, me të gjitha virtytet dhe maksimat jetësore, që mund t`i përcjellin dhe të jenë udhërrëfyes i një personi shoqërie, popull apo njerëzimi. Miti me elemente të rropatjeve njerëzore, besimi në fuqinë njerëzore, është përsonifikimi i fatit njerëzor në suazën e të cilit zhvillohet lufta ku vetëm të dobëtit gjunjëzohen. Ky është ballafaqim me realitetin e idhët, është një e vërtetë e pamohuar që shndërrohet në mit. Derisa Jesenini thotë: “Në këtë jetë të vdesish nuk është gjë e re por as për të jetuar…”, Migjeni në këngët e rinisë ëndërron një jetë të re, me një besim të plotë në “bijt e shekullit të ri”, që edhepse për një çast ia kthen shpinën të vërtetës, pikllimi i tij nuk është një pesimizëm shkatërrues por një afsh pas të cilit akoma ka frymë.

Derisa rezignata stoike e një Vinjiu, i cili mendon më në fund se: “Vetëm heshtja është e madhe e çdo gjë tjetër dobësi”, ngulfat gjer diku shpirtin e njeriut, te Migjeni kjo heshtje ka jehonën e vet të brendshme, e cila i jep fuqi shpirtit të molisur me një krenari dhe stoicizëm të vërtetë: “Qëndro! Se vaj skamnori – ende ka frymë për ty…”, “Hesht, more hesht! Por qëndro o shpirt!”

Migjeni, nuk kërkon të vërtetën sepse ajo ekziston si e tillë, por e transponon, ashtu sikurse është e idhët dhe dekurajuese. Ajo ekziston në fatin e këtyre njerëzve që mallkojnë barrën e jetës, mallkojnë jetën. Zëri i poetit ngritet në kushtrim, në blasfeme, ku mundësohet me fuqinë e fjalës për ta kryer misionin e vet. Derisa vinjiu me Moisiun (me të cilin personifikon poetin), disa herë përsërit refrenin: “O Zot, ti më ke bërë të vetmuar dhe plot fuqi, më le të ëndërroj me gjumë si çdo njeri”, pothuaj çon duart prej misionit të vet, Migjeni gjer në ditët e sprasme të jetës, edhepse e keqja vërshon mbi të mirën, edhepse pesha e fatit shty pa mëshirë, ai gjer në vargjet e fundit nuk dorëzohet, duke mos humbur shpresën në fuqinë e njeriut. Në kolonën njerëzore, ku defilojnë fytyra të mira, vjedhësit, lypsit, laviret, nënat që mallkojnë fëmijët e vet, femrat që shesin trupin për një lek, por ku shitja e trupit nuk bëhet prej nevojës së jetës, që len në ndërgjegje danga, është kjo një tabllo e ngjyrave të errta dhe dominante të një shoqërie.

Migjeni si një moriturus i cili kërkon të lindet një njeri (shumë njerëz), që të vazhdojë rrugën tij, lind dhe formohet njeriu me shpirt të plagosur, të molisur, me këmbë e duar të shprishura, i cili duke shkrirë të vërtetën me vargjet e tij dhe duke përjetuar këtë të vërtetë të hidhur në humnerën e tij shpirtërore dhe në trupin e tij të brejtur prej sëmundjes, morscerta e bën të vetën, kurse ora e vdekjes e frikshme është finale e një jete.

Aspekti tjetër i kompleksit të mitit të poetit është solidariteti, përjetimi i mjerimit dhe i vuajtjeve të të tjerëve. Altruizmi i Migjenit, nga fakti se ai bashkëjeton me të tjerë dhe vuajtjet e të tjerëve i përjeton si të vetat, na dëshmon, me fjalët e tij, flasin lypsat, laviret dhe e tërë vegjëlia. Për të jetuar dhe përjetuar fatin e të tjerëve, për të vuajtur për ta, jo vetëm që është një akt humanitar, por edhe super human që merr dimensionet mitologjike. Altruizmi migjenian kristalizohet në shumë vjersha të tij, si në “Baladën qytetse”, “Lagja e varfun”, “Fragmentin”, “Poema e mjerimit” etj. Aspektit të altruizmit të Migjenit mund t`i bashkëngjitet çështja e një të vërtete njerëzore – univerzale. Në opusin e tij modest, përkah kuantiteti, me fjalë të pakta janë treguar të vërteta kolosale (si thot Frojdi: “Gjerat e mëdha mund të tregohen në shenjat e vogla”), të vërtetat universale, e mu kjo e ngrit poetin lartë e bën të shpërthejë kufijt e kombit dhe popullit të vet, duke përfshirë një diapazon të gjerë të së vërtetës jetësore, njerëzore, edhe të së vërtetës krijuese artistike. Jeta është njëfarë misioni i njeriut ndaj njerëzimit, popullit apo shoqërisë. Njeriu i ka obligimet e veta, barrën e vet, përgjegjësinë. Në këtë rrugë të jetës, misioni kryhet me pasardhës të shëndoshë, të pastërt, të formuar dhe të bindur në ngadhnjimin e njeriut në luftërat e pandërprera. Dikush këtë e bën me vepër, e cila është udhërrëfyes e rrugës së jetës dhe alternativave të saj. Fuqia e fjalës dhe e artit të Migjenit, është fuqia e së vërtetës. Është pikënisje e saj që e rrethon poetin, prej asaj që ai përjeton, sheh, me të cilën vuan, shkrihet dhe fanitet. E kjo e vërtetë e pamohuar, dhe fatkeqsisht e idhët, e bën Migjenin të dalë prej orbitës konvencionale të romantikëve, ku glorifikohen gjer në epozhe natyra, ndjenjat personale, dashuria etj. Edhe Migjeni i ka ndjenjat personale, por që reflektohen prej së vërtetës dhe rireflektohen në të vërtetën objektive, ku Migjeni dhe rrethi i tij shifen në pasqyrë, në të cilën kërkohet dalja absurde. Nga ky aspekt univerzal, ku qëndron edhe vlera specifike e Migjenit si një mit njerëzor, është fakti se ai niset prej një mikrokosmosi, një rrethi dhe bote relativisht të ngushtë përkrah sipërfaqja. Por ajo që shpreh ai me të gjitha ngjyrat dhe kontrastet, përgjithësohet në maksimën univerzale të njeriut, maksimë që shpërthen rrethin dhe kohën e ngushtë. Duke u ndalur në individin e lënun dore, i cili është pjesëtar i një shoqërie, i një populli, ai trajton një fat të ngjashëm të sa e sa qenjeve të kësaj bote, që u thonë – njerëz. Kështu lind edhe filozofia e përgjithshme njërëzore, parimi i jetës deviza, duke u nisur prej njeriut konkret, të vogël, të rëndomtë, në një rreth të caktuar, në një pikë të kësaj bote ku vetë është pikë e univerzumit.

Te Migjeni njeriu në mediumin e një shoqërie të caktuar është aktor i një drame njerëzore, dramë pa inskenime, e improvizime, por dramë e vërtetë që luhet në rrugë, në tavernat e ndyta, nën pullazet e kalbëta, në shpirtërat e njerëzve, dramë që si e tillë reprodukohet dhe luhet në shpirtin e tij të brendshëm, në botën e tij të vetmuar dhe e cila shpërthen me vargje për një të vërtetë të gjeneralizuar. Kështu krijohet miti për njeriun, miti i realitetit të idhët njerëzor, miti i së vërtetës. Përmasat e opusit të tij kualitativ nuk kanë kufij të caktuar me karakter lokal, por nisen prej një personi konkret të vërtetë, një njeriu ekzistues, me të gjitha cilësitë që janë të natyrës njerëzore, gjë që arsyetohet me: homosum. Humani nihil e me alinum puto (që do të thotë: njeri jam, çdo gjë që është njerëzore nuk më është e huaj).

Miti i poetit vazhdon më tej me një revoltë të guximshme për atë kohë me ateizmin e flakët, sepse vetë praktika jetësore e ka vu në pikëpyetje të madhe, kush është zot apo njeri! Mu me këtë shpërthen njeriu si fuqi progresive ose regresive, në të cilën mbështetet boshti i rruzullit të tokës. Për të besuar në njeriun e në fuqinë e tij, në ngadhnjimin mbi të keqën, për të mos humbur besimin në fuqitë e njeriut që është shëndrruar në realitet dhe realiteti që është bërë mit.

Ky relacion prej njeriut konkret në diçka të përgjithshme njerëzore bëhet edhe anasjelltas. Prej formulimit të përgjithshëm të së vërtetës njerëzore ai kthehet edhe në analizën e realitetit objektiv të asaj që e rrethon, të një kohe të njëjtë, që i bashkon njerëzit me të njëjtat halle. Populli shqiptar duhet të eci krahas me popujt tjerë, duhet të gjindet një Mojsi për ta udhëhequr, (si mendon poeti në vjershën “Të lindet një njeri”), por jo si ai i Vinjiut që, i lodhur, kërkon prej perëndisë ta shkarkojë prej misionit, jo njeri me yll në ball, por at njeri që gjakun e bën të të vlojë. A nuk është ky një mit, që shkëlqen si transponim i së vërtetës reale? Pra, dikush duhet të bëhet fli për hir mu të besimit, të cilin ai e mbështet në “Bijt e shekullit të rij”. Për ta shndërruar mitin në realitet duhet mohuar pra perënditë duke u mbështetur në besimin e fuqisë së Sizifit, i cili një ditë ka për ta qitur gurin në maje.

Mohimi i perëndisë, injorimi i tij, e ngrit njeriun në piedestal me një besim të lartë në vete, ku mëshihet edhe ironia e jetës, sa që ka guxim të thotë – zot ku je! E aty shihet se sa i fuqis.

Ruzhdi Ushaku
Koha Javore