Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të prizrenit 1878-1881 (4)

January 11, 2009   | Shoqëria / Društvo

league_of_prizrenTë ndalohet copëzimi i tokave shqiptare
Komiteti i Shkodrës, më 18 maj 1880, u dërgoi një memorandum konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ku kërkonte ndërhyrjen e tyre te qeveritë e veta për ndalimin e copëzimit të tërësisë tokësore shqiptare dhe njohjen e të drejtave kombëtare shqiptare.
Duke parë se Fuqitë e Mëdha po zhvillonin një aksion të dendur diplomatik dhe se ndihej rreziku i copëzimit të trojeve shqiptare në favor të Malit të Zi, Komiteti i Shkodrës, më 18 maj 1880, u dërgoi një memorandum konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, ku kërkonte ndërhyrjen e tyre te qeveritë e veta për ndalimin e copëzimit të tërësisë tokësore shqiptare dhe njohjen e të drejtave kombëtare shqiptare. Në memorandum theksohej: “Shqipëria, atdheu ynë i dashur dhe i pafat, i cili ka shkruar faqe të lavdishme në historinë e kombeve, nuk do as të shitet dhe as të shkëmbehet dhe as nuk do të durojë kurrë një pushtim të huaj… Ne nuk dëshirojmë tjetër veç të jemi shqiptarë, nuk duam veçse tërësinë e vendit tonë, të atdheut tonë që sikundër për ne, është i dashur për të gjithë popujt e qytetëruar të botës…”
Për t`u kapërcyer edhe kjo vështirësi, nismën e mori diplomacia britanike.
Në Londër u zhvilluan biseda sekrete ndërmjet përfaqësuesit të kurorës së Habsburgëve, grof Karolit dhe lordit Granvil, se cilat territore t`i ofrohen Malit të Zi, sepse, siç shihet, vendimet e Kongresit të Berlinit për t`i dhënë Malit të Zi ,Plavën dhe Gucinë dhe më vonë marrëveshja e Fuqive të Mëdha për t`i zëvendësuar në vend të tyre me Hotin dhe Grudën, nuk dukej se do të realizoheshin, meqenëse populli shqiptar, i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare, nuk lejonte të realizohej një gjë e tillë që shkonte në dëm të trojeve shqiptare.
Pas rënies së qeverisë konservatore të lordit Bikonsvild në Angli, në pushtet erdhi Partia Liberale në krye me Gledstonin. Ky e fajësonte qeverinë konservatore pse nuk kishte qenë në gjendje që t`i shuante vatrat e konflikteve në Ballkan. Ky kërkonte që çështja e konfliktit turko-malazez të zgjidhej sa më parë. Mirëpo, mendimi i tij përforcohej edhe nga ambasadorët britanikë në Stamboll, Lajard, e më vonë Goshen, se çështja e kufirit turko – malazez nuk mund të zgjidhej pa konflikte.
Lordi Granvil tentonte që territori që do të ishte kompensim për Plavë e Guci, gjegjësisht Hot dhe Grudë, të kërkohet në luginën e lumit Lim. Ky propozim arsyetohej me faktin se më e arsyeshme ishte që Malit të Zi t`i bashkohej një territor në të cilin jeton kombi sllav. Mirëpo, me këtë propozim nuk u pajtua qeveria austro-hungareze e cila i drejtoi qeverisë britanike një lloj memorandumi, në të cilin theksohej se për shkak të interesave ushtarako-strategjike, ekonomike e politike të Monarkisë territori në luginën e Limit nuk mund të vinte në konsiderim. Austro-Hungaria i drejtoi Londrës këtë pyetje: “A mund të ishte e mundur të gjendej në perëndim të Shkodrës, në drejtim të bregdetit një tokë që mund të arrihej më lehtë, të cilën Mali i Zi do ta pranonte?” Qeveria britanike e mori parasysh arsyetimin austro-hungarez dhe u tërhoq nga propozimi për territor në luginën e Limit.
Mr. Riza Rexha
Koha Javore

17