Absurdi malazez

January 17, 2009   | Lajmet / Vijesti

gjiri-i-valdanositNëse diplomacia e Malit të Zi kërkon kushte për vënien e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, a duhet që diplomacia kosovare të vejë kushte për malazezët lidhur me pakicën etnike shqiptare atje?
Ulqin, 15 janar – Themelimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve të posa pavarësuara në Ballkan, si Mali i Zi dhe Kosova, hapi një çështje që nuk ishte llogaritur kurrë nga politika e rajonit e as nga Plani i Martti Ahtisaarit për shtetin e ri të Kosovës dhe rregullimin e çështjes së pakicave në këtë terren.
Menjëherë pas pavarësimit të këtyre dy vendeve, fillimisht një grup i pakicave në Kosovë, dolën me qëndrimin se dëshirojnë të trajtohen si “malazez të Kosovës” e jo si serb të Kosovës.
Për çudi dhe befasi, ata kanë kërkuar të njihen si pakicë e veçantë edhe zyrtarisht nga autoritetet kosovare, dhe kurrsesi të konsiderohen më si serbë, apo ashtu siç i ngërthen ata Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila ia rezervon atyre (si serbë) edhe dhjetë vende në Parlamentin e Kosovës.
Më pas këtë qëndrim e përcolli edhe Kryeministri i malazez Filip Vujanivic, i cili deklaroi se “para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, malazezët duhet të njihen si pakicë dhe të krijohen kushtet për kthimin e tyre në Kosovë.”
Mirëpo, një propozim të tillë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e quajti të papranueshëm duke shtuar se “marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Kosovës janë të mira dhe se ato zyrtarisht duhet të vendosen pa kushtëzime.”
Ndërsa, sa i përket kthimit të malazezëve, Thaçi ka shtuar se ata trajtohen si qytetarë të Kosovës dhe se Qeveria e tij, çdo ditë është duke punuar në përmirësimin e kushteve për kthimin e tyre në Kosovë, ashtu siç punon edhe për komunitetet e tjera pakicë.

Por, çështja është se a duhet të ketë kushtëzime?

Në debatin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të këtyre dy vendeve, askund nuk është përmendur pakica shqiptare në Mal të Zi e cila përbën rreth 7 për qind të popullatës së këtij vendi.
Shqiptarët në Mal të Zi, për dallim nga malazezët në Kosovë, janë të diskriminuar. Atyre ende ju mohohet e drejta themelore si pakicë, janë të diskriminuar në çështjen e administrimit lokal. Gjë që po ndikon në vonimin e kthimit të pronave të konfiskuara gjatë sistemit të kaluar dhe po i len jashtë loje në planifikimin e hapësirës ku ata jetojnë, e cila sidomos për shqiptarët e brigjeve të Adriatikut, vlerësohet me miliona euro, apo rreth 70 për qind e potencialit ekonomik të vendeve bregdetare të banuara me shqiptarë, kryesisht në Ulqin, Shtoj e rrethinë.
Por për dallim prej pakicës malazeze, shqiptarët e Malit të Zi nuk janë duke gëzuar ndonjë mbrojte diplomatike nga Shqipëria. Por as nga Kosova, prej nga shqiptarët e atjeshëm e ndiejnë një lidhje më të afërt.

Shqiptarët e Malit të Zi

Shqiptarët në Mal të Zi, janë të ndarë në gjashtë parti. Gjë që nga vendasit komentohet si ndarje shumë më e madhe se sa e nevojshme. Një pjesë është e grupuar me ndikim nga Malësia e Tuzit. Një pjesë është e tubuar rreth ndikimit të Ulqinit, përderisa të tjerët, edhe kyçen direkt në parti malazeze, sidomos në atë të ish Presidentit Milo Djukanovic, dukuri kjo që nuk është prezente në viset e tjera shqiptare, si në Maqedoni apo Luginë të Preshevës.
Xhaudet Cakuli është nënkryetar i partisë më të madhe në Ulqin, e emëruar Forca Demokratike, parti kjo e themeluar nga komuniteti i biznesit kryesisht nga Ulqini e cila ka tendencë që të bashkohet edhe me influencën e Tuzit, që të krijojë një përfaqësim më të madh shqiptar në Mal të Zi.
Cakuli pohon se për shqiptarët në Mal të Zi, nuk zbatohen të drejtat themelore që i parashohin konventat ndërkombëtare e universale, në kuptimin e të drejtës së administrimit lokal dhe njohjen e komunitetit shqiptar si pakicë.
“Shqiptarët e Malit të Zi janë në pritje të anëtarësimit të shtetit të Malit të Zi në Këshill të Europës dhe në Bashkim Europian, prej nga edhe presim mbrojtje”, ka thënë Cakuli.
Por deri atëherë, ai pret edhe angazhim më të madh të politikës së pari të shqiptarëve të Malit të Zi që duhet të bashkohen, pastaj të politikës së Kosovës dhe Shqipërisë, që të ndikojnë në çështjen e mbrojtjes dhe përmirësimit të gjendjes së pakicës shqiptare në Mal të Zi.
“Çështjet kryesore që pengojnë në zhvillimin e drejtpërdrejtë janë e drejta e administrimit lokal. Sidomos në Ulqin, atje ku administrata lokale, është lënë anash sa i përket këshillimit në privatizim, planifikimit të hapësirës, të mirave detare dhe kthimit të pronave, të shqiptarëve”, thekson Cakuli.
Edhe pse Kuvendet Komunale me shumicë shqiptare kanë vendosur për kthimin e pronave të Valdanosit, Shtojit, Shtodrës dhe Tuzit, këto çështje nuk janë shtyrë dhe zbatuar nga administratat lokale të kryesuara tashmë e sa vjet nga vet shqiptarët. Sidomos, nga ajo e Ulqinit e udhëhequr nga Kryetari Gëzim Hajdinaga, ish Ministër për Pakica në Qeverinë e Malit të Zi.

STANDARDET E DYFISHTA

Parlamenti i Malit të Zi e ka aprovuar një Ligj për t’i rregulluar “Të Mirat Detare” në vitin 1992. Ky ligj përcakton ruajtjen e resurseve detare dhe shfrytëzimin e hapësirave buzë detit. Ai është i përcaktuar që t’i mbroj dhe të mos hyjnë në shfrytëzim hapësirat prej 6 metrave që preken nga vala më e madhe të detit, në furtunën më të madhe motit.
Kjo hapësirë kontrollohet nga shteti i Malit të Zi, sipas ligjit, si për Budvën, Tivarin njësoj, përveç për komunën shqiptare të Ulqinit, ku hapësira për shfrytëzim nuk bllokohet me 6 metra, por me 2 kilometra, nga prekja e valës më të madhe në furtunën më të madhe.
Kjo nënkupton, 18 për qind të territorit të komunës së Ulqinit, apo 70 për qind të potencialit ekonomik të kësaj komune me shumicë shqiptare, që lihet jashtë shfrytëzimit.
Për dallim nga Budva apo komunat e tjera me shumicë malazeze, që ky ligj i bllokon vetëm 0.03 për qind të hapësirave buzë detit.
Ky vendim është marrë ilegalisht nga Qeveria e Malit të Zi me një dekret që është votuar edhe nga deputeti Dinosha, i cili përveç që është kundër shqiptarëve buzë detit, është edhe në kundërshtim me Ligjin ekzistues për të Mirat Detare.

Për fund

Një gjë është e qartë që Kosova dhe Mali i Zi kanë interes të përbashkët që të krijojnë një marrëveshje për rregullimin e statusit të pakicave, por që një rregullim i tillë duket të jetë i vështirë të bëhet me ndryshime kushtetuese.
Megjithëkëtë, respektimi i dyanshëm i pakicave mund të zgjidhet midis Malit të Zi, Kosovës, por edhe Shqipërisë, për tu zbatuar në nivelet komunale, ku përfaqësimi i këtyre pakicave në dy anët e kufirit është shumicë.
E vërteta është se shqiptarët në Mal të Zi janë të diskriminuar dhe se dikush duhet të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së tyre dhe respektimin e të drejtave që ju takojnë si pakicë.
Nga Valon A. Syla
Gazeta Express


YouTube Preview Image