Dinosha reagon: Ju jeni ajka e Malësisë

January 19, 2009   | Reportazh / Reportaža

ferhat-dinosha_1(Në numrin e fundit të vitit të shkuar të të përjavshmes “Koha Javore”, tre zotërinj, Maliq Çunmulaj, Nikollë Camaj dhe Nikë Gjeloshaj kanë reaguar lidhur me një tekst që unë e kam patur në të njëjtën gazetë, një javë më parë, me titull: “Pse digjen 4 milionë euro”! meqë të tri reagimet kanë të bëjnë me të njëjtin tekst, mendoj se ky reagim do të mjaftojë për të treja ato, pa i cituar titujt të cilët janë të gjatë…)

Zotërinj të nderuar, teksti im i përmendur ka patur për qëllim që, duke u shërbyer me argumenta, të zbardh problematikën e resurseve ose burimeve për zhvillim më të shpejt të Malësisë, pasi që lidhur me këtë kemi qasje të ndryshme. Unë pohoj dhe kam …….që në një fazë kalimtare Malësia do të mund të zhvillohej më shpejt nëse pjesën më të madhe të financave i merr nga buxheti i kryeqytetit. Kam thënë se këto financa, për vitin që lamë pas, kanë kapur rreth 4 milionë euro. Unë pohoj se, me veprim ligjor, por edhe me aftësi menaxhuese , …me projekte të finalizuara, këto milionë euro do të mund të ktheheshin në objekte të ekonomisë, të infrastrukturës, të kulturës e të sportit, që aq shumë i mungojnë Malësisë. Asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të ishte më e mirë komuna e plotë e Tuzit, por me kapacitete të plota të vetëfinancimit, ashtu si veprojnë komunat e plota.
Ju, zotprinj të nderuar, pohoni se Tuzi i ka që tani këto kapacitete dhe se, që tani, mund të funksionojë si komunë e plotë. Por, ju nuk ofroni asnjë argument asnjë dokument për këtë, përveç fjalëve.
Unë ju them, nëse ju ofroni argumenta, por argumenta e jo pallavra se Malësia mund të ketë buxhet prej miliona eurosh pa Podgoricën, unë do të isha në shërbimin tuaj dhe do të pranoja publikisht fajin për dëmin e bërë nga padija. Por, Ju nuk bëni asgjë në këtë drejtim. Ju vjet keni djegur rreth 4 milionë euro. Ju në planin e sivjetëm fusni projektet që kanë qenë edhe në planin e vitit të kaluar, e nuk janë realizuar. Ju vazhdoni të kërkoni të holla nga buxheti i Podgoricës, në statusin e Komunës Urbane të Tuzit, e jeni kundër këtij statusi edhe si projekt pilot. Përse duke qenë në pushtet me shumicën që ua bën Miliqi, nuk i thoni Malësisë se s`keni nevojë për Mugoshën? Ç`ju duhet Mugosha kur e keni Miliqin? Ose, nëse ende s`mundeni pa Mugoshën pse nuk i thoni Malësisë se nuk është bash ashtu siç i keni pas thënë? Pse nuk pranoni publikisht se po i djegni do miliona që i ofrohën komunës urbane, e njëkohësisht nuk ofroni argumente se sa do të kishim miliona nga komuna e plotë. Pse nuk thoni publikisht se doni të provoni në këtë mandat funksionalitetin e komunës urbane se kush mund të pengojë realizimin ligjor të planit të saj financiar? Ai vitin e kaluar, siç thashë, ka qenë rreth katër milionë euro, e sivjet do të duhej të ishte rreth gjashtë milionë euro, sepse kaq është progresi vjetor i buxhetit të kryeqytetit në nivel të komunave urbane, të cilat mjetet e planeve financiare i thithin pikërisht nga ky buxhet.
Dilni qesharakë, zotërinj të nderuar edhe kur thoni se komuna urbane nuk ka territor, pra nuk ka kufij. Ligji përcakton kufijtë administrativ të Komunës Urbane të Tuzit dhe ata përputhen pothuaj plotësisht me kufij etnik. Vendbanimet kufitare të Komunës urbane janë përveç Vranes e Vllanës, edhe Omerbozhajt, Trieshi me të gjitha fshatrat dhe Koja, gjë që ndodh për të parën herë. Por, unë dhe partia të cilës i prijë, nuk kemi dashur as të flasim për status të komunës urbane, pa këtë zgjidhje. Sepse, ajo do të jetë bazë e mirë kur të vijë koha që komuna urbane të kalojë në komunë të pavarur. Njerëz që dinë më shumë se unë e ju, ta zëmë, sot kur flasin për bazat e pavarësisë së Kosovës se ato i gjejnë në Kushtetutën e vitit 1974. Falë edhe territorit të definuar.
Për ne, madje, është avantazh lidhja me Podgoricën edhe në rrafshin e politikës, pra, të subjektivizimit shoqëror të shqiptarëve. Në status të komunës urbane, vota jonë definon pushtetin në Podgoricë, atë pushtet, udhëheqja e të cilit ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pa votat tona, Podgorica ende do të ishte në duart e serbëve, me të cilët ju mbani pushtetin në Tuz.
Nga ana tjetër, zotërinj të nderuar, për projektet brenda kufijve administrativ të Komunës Urbane, fjalën e fundit e ka Parlamenti i Tuzit. Nëse dini ta lexoni, keni nenin e Ligjit, që thotë se për planin hapësinor të Kryeqytetit, lidhur me projektet që janë në territorin e komunës urbane, pëlqimin e jep kuvendi i komunës urbane. Kjo zgjidhje është prodhuar me insistimin tim, sepse drafti i parë i Ligjit për Kryeqytetin fliste për zgjidhjen që Kuvendi i Komunës Urbane të jepte vetëm mendim për këtë.
Natyrisht se, për projektet në territorin e vet, Komuna Urbane bën planin financiar dhe për të përgjigjet Kryetari i Komunës. Në të caktohen prioritetet dhe ai akordohet me gabaritet e buxhetit të Kryeqytetit. Unë nuk e di se kush e harton planin finansiar të Komunës Urbane të Tuzit, ju apo Podgorica! Kur ju kemi pyetur në seancë plenare, ju nuk keni patur përgjigje. Me planin financiar mund të parashikohet edhe funksionimi i shërbimeve që i ka të nevojshme Komuna Urbane e që nuk cenojnë ligjin. Ju as këtë nuk e keni bërë. Fitohet përshtypja se nuk dini ta bëni. Ju nuk keni shfrytëzuar as kapacitetin ligjor të Komunës Urbane për të lidhur marrëveshje ekonomike dhe të tjera me komuna brenda dhe jashtë Malit të Zi, pa pyetur Kryeqytetin. Marrëveshjet për hapje të fabrikave apo reparteve me investitorë të huaj, mund të nënshkruhen në Tuz pa Podgoricën. Por, ju këtë nuk e bëni. Fitohet përshtypja se nuk dini…
Në këtë mënyrë, zotërinj të nderuar, në vend të polemikës së argumentuar, ju shërbeheni me nënçmime, moralizime ose ofendime, duke harruar se me mua nuk mund t`i përdorni këto.
Ju, z. Çunmulaj, ta zëmë, më thoni se nuk kam as njohur elementare për legjislacionin e Komunës Urbane, duke harruar se aq sa di, di më tepër se Ju.
Veç kësaj, Ju harroni se njeriu ka të drejtë të mësojë. Duke u marrë me punën me të cilën merrem tani një kohë të gjatë, unë tash di gjëra që nuk i kam ditur në fillim. E di se edhe Ju, duke punuar gjatë në shërbimet sekrete të regjimit komunist, keni mësuar diçka. Në mos tjetër, kjo Ju ka ndihmuar të bëheni kryetari i parë i Komunës Urbane të Tuzit.
Ju, z. Camaj, ta zëmë, më thoni të ulemi e të shohim se cila do të ishte zgjidhja më e mirë në kuadër të ligjit ekzistues, apo të një ligji tjetër…
Duke më thënë, paraprakisht, që të ulemi në radhë të parë si njerëz dhe subjekte siç na takon. Bëni mirë që tash keni parasysh edhe ligjin ekzistues, por bëni keq kur harroni se sikur të kishit dashur e si subjekte që na takon, ishim ulur bashkë ngaherë dhe kishim definuar projektin më real e më optimal, pa kaluar situatat që kemi kaluar. Edhe në pjesën tjetër të tekstit Ju moralizoni pak tepër me kujdesin për Malësinë. Thua se keni të drejtë ta bëni këtë më tepër se unë. Ju e dini se kujdesi për Malësinë fillon që në familje dhe se ai duhet të jetë përmanent. Unë nga ana tjetër, e ci se mungesa e tij, në një moment nuk Ju ka penguar të merreni me çështje shoqërore dhe të bëheni kryetari i parë i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.
Ju, z. Gjeloshaj, jeni kruar tepër shpejt dhe duke u kruar ia keni shtuar vetes dregëzat. Më thoni se jam “i opsesionuar me personalitetin” Tuaj. Mos u merakosni. Unë nuk opsesionohem dhe Ju nuk jeni personalitet. Keni qenë një copë kohë personazh-hamall i një projekti të ngjashëm me ato të serbëve të Kosovës, dukshëm para pavarësisë së saj – Projektit të Rajonizimit, që për fat të mirë, nuk ka gjetur përkrahje, por kabërë që naivët të besonin se po paraqitej një patriot i ri shqiptar, i cili premton. Ju edhe tash veproni në partinë e cila shet patriotizëm më shumë se të gjitha të tjerat. Por, tash që jeni martuar me sllave, maskat janë hequr. Dashuria di të jetë mbi të gjitha dhe unë Ju uroj fat në të, por patriotizëm mos na shitni më. Nuk mund të jeni edhe patriot shqiptar edhe dhëndërr sllavë. Unë vetëm në këtë dimension kam përmendur dhëndurrët sllavë, duke menduar në Ju e kurrësesi për t`u futur në jetën Tuaj private siç pohoni Ju.
Por Ju në jetën private duhet të keni futur edhe një dregëz tjetër. Ju edhe mënyrën e të menduarit e keni në serbishte. Këtë e dëshmon edhe titulli i reagimit tuaj nëse e keni shkruar Ju. “Prifti i papunë pagëzon edhe edhat” është proverb serb dhe nuk thotë asgjë në shqipe.
Dregëzën tjetër që keni e zbuloni kur thoni se Malësia ngaherë ma paska kthyer shpinën. Unë në Malësi kam rreth 1.400 vota. Është problem Juaji që nuk i shihni.
Për atributin që e lidhni me fytyrën time z. Gjeloshaj do të turpëroheni një ditë. Nëse Ju vjen turp. Nëse mbeteni si tash, Zotin e paçit në ndihmë.
Thënë të drejtën, zotërinj të nderuar të tre bashkë, nuk ma çoni shumë mallin për polemika. Por, kështu si jeni, sot jeni ajka e Malësisë. Për hirë të saj, na duhet të provojmë të përmirësohemi.
Ferhat Dinosha
Koha Javore