Të sigurohen mandatet e garantuara për shqiptarët

January 19, 2009   | Shtypi / Mediji

keshilli-nacional-i-shqiptareve-ne-malin-e-ziDeklaratë për media e këshillit nacional të shqiptarëve në malin e zi lidhur me zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare
Në bazë të zhvillimeve aktuale politike në Malin e Zi, Propozim vendimit të Qeverisë dhe debateve rreth mbajtjes të zgjedhjeve parlamentare, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, duke ndjekur me vëmendje situatën lidhur me këtë çështje vëren se zgjedhjet parlamentare janë në prag dhe ka gjasa që ato të mbahen së shpejti, d.m.th. atëherë kur tzi përshtatet pushtetit aktual.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve me këtë rast shpreh qëndrimin se pa u siguruar mandatet e garantuara për shqiptarët, përfaqësimi autentik politik dhe përfaqësi në institucione, organe shtetërore dhe vendore, gjë që parashihet edhe me Kushtetutë, këto zgjedhje eventuale nga shqiptarët nuk mund të quhen të drejta dhe të ndershme. Pushteti aktual, gjegjësisht shumica aktuale parlamentare, duhet që më përpara të miratojë Ligjin e ri të zgjedhjeve në harmoni me Kushtetutën dhe në këtë mënyrë të jetësojë dhe të bëje të mundur përfaqësimin autentik të pakicave, gjegjësisht të shqiptarëve si popull autokton, në Parlamentin e Malit të Zi.
Përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Parlament ka qenë dhe është kërkesë e vazhdueshme e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, kurse tash edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve do të angazhohet fuqishëm në bazë të kompetencave të veta që kjo e drejtë legjitime e shqiptarëve, që garantohet edhe me Kushtetutë, të realizohet në praktikë.
Prandaj Këshilli Nacional i Shqiptarëve u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti i shtetit dhe faktorët politikë parlamentarë, sidomos partitë politike shqiptare, që të bëjnë çzështë e mundur që të bisedojnë shtruar dhe qartë për realizimin e të drejtave në lëmin e përfaqësimit proporcional në organet shtetërore dhe vendore, në mënyrë që zgjedhjet eventuale të parakohshme apo të rregullta të jenë të drejta dhe të ndershme.
KNSH është i bindur se Mali i Zi në këtë rast nuk humb asgjë, por përkundrazi do të tregonte se është me të vërtetë i përkushtuar për avancimin e të drejtave të popujve pakicë që jetojnë në të, si një prej kushteve pa të cilin Mali i Zi nuk mund të pretendojë të aderojë në bashkësinë e shteteve demokratike europiane dhe të bëhet pjesë e aleancës së madhe Euroatlantike, thuhet në deklaratën e KNSH-së të nënshkruar nga kryetari Tahir Tahiri.
Koha Javore

YouTube Preview Image