Ulqin: Buxheti si dhuratë e fundvitit

January 19, 2009   | Shtypi / Mediji

buxheti-i-ulqinit-2009Kuvendi i komunës së ulqinit dhe debati i papërgjegjshëm

Është për të ardhur keq që këtu ka një numër “aktorësh” të cilët bëhen imitues duke humbur dëshirën për të këmbyer fjalë të mira e të pastra. Ndaj të vjen keq kur i shikon këta “aktorë” si të paaftë për të gjetur fjalë mirëkuptimi, nga ku do të mjaftonte një buzëqeshje e sjellshme. Ka arsye serioze për të besuar se bile në këtë fundvit nuk është dashur të komunikohet me një fjalor që nuk e rrit nivelin e seriozitetit.

Në prag të Vitit të Ri, Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi buxhetin për vitin 2009, i cili në thelbin e tij parasheh tërë infrastrukturën zhvillimore të qytetit. Një buxhet të gdhendur fuqishëm me parametra që duhet të zbatohet gjatë vitit që sapo filluam. Pavarësisht kritikave të bëra rreth tij si dhe amendamenteve të paraqitura nga një pjesë e opozitës, përfitues janë qytetarët. Ata i kanë hallet e veta dhe kjo i lë ata të shpresojnë për një të ardhme më të mirë përkundër krizës globale. Një debat kaq jetik për qytetarët e saj, e që u miratua me shumicë votash, ishte urimi më i mirë që u është bërë qytetarëve në prag të ndërrimit të motmoteve.

Projektbuxheti i inicuar nga kryetari i Komunës, Gëzim Hajdinaga, ka pasur arsye të diskutohet me qëllimin e mirë për të arritur efektin pozitiv karshi taksapaguesve. Çfarë dëmesh mund të sjellë një debat aq i rëndësishëm si për funksionimin normal të pushtetit lokal ashtu edhe për vetë qytetarët, nga ku do të ishte qesharake nëse pretendohet se ai i sjellë komunës ndonjë tronditje? Përse atëherë kjo frikë nga niveli i buxhetit të paraparë?! Sa herë janë hartuar buxhete që nuk janë realizuar?! Po edhe ky nëse nuk realizohet, çka ka të ngjarë, a thua do të bëhet hataja?

Brenda debateve të zhvilluara për buxhetin e Komunës së Ulqinit pati edhe debate politike, ku “aktorët” nuk lanë shenjë të mirë duke u bërë kështu mollë sherri për çështje që nuk kanë rëndësi për opinionin, me çka të sjellin neveri për fjalorin e përdorur. Aftësia e qeverisjes vendore për të krijuar një atmosferë demokratike është e pakuptueshme kur sheh se si zihen dhe çfarë fjalori përdorin të zgjedhurit e popullit.

Nga kjo ka një tendencë për një gjuhë tjetër e cila rebelohet për të mbërritur në një cak jo shumë të qartë. Është për të ardhur keq që këtu ka një numër “aktorësh” të cilët bëhen imitues duke humbur dëshirën për të këmbyer fjalë të mira e të pastra. Ndaj të vjen keq kur i shikon këta “aktorë” si të paaftë për të gjetur fjalë mirëkuptimi, nga ku do të mjaftonte një buzëqeshje e sjellshme. Ka arsye serioze për të besuar se bile në këtë fundvit nuk është dashur të komunikohet me një fjalor që nuk e rrit nivelin e seriozitetit. Kur këtu hidhet ndonjë mendim i ri nuk mungon zemërimi nga ku dikush dëshiron të luajë rolin e profetit për t`i thënë tjetrit “mbylle gojën”. Kjo nuk shkon pasi liria e shprehjes është ajo që të bën të kuptosh se dëmton vetëm veten.

Duke vazhduar me mendje të mbyllura, disa nga këta do ta kuptojnë se shprehja e mendimit ndryshe varet nga mënyra se si pritet ai mendim. Ata që i kanë vënë “aktorët” në krye të Kuvendit duhet ta kuptojnë se duke u marrë me fraza boshe, me retorikë që nuk përkon me realitetin, do të sjellin “skandal” dhe pastaj pasojnë sharjet nga ku e mira dhe e keqja janë anët e së njëjtës medalje.

Pavarësisht rrjedhave të bezdishme të seancave të Kuvendit gjatë vitit të kaluar, tashmë një gjë duket e qartë – ajo se në krye të këtij kuvendi është instaluar personi nga i cili, sipas pozitës, pritej të bënte ndryshime thelbësore, por që në fakt këtu u arrit një ndryshim sistemor e në asnjë mënyrë ndryshim shoqëror. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me një pushtet më demokratik e më efikas se ato të mëparshmit. Përkundrazi, filozofia e tyre politike vazhdon të ushqehet mbi parime jodemokratike dhe kjo shumicë parlamentare është larg të qenit një alternativë e re politike.

Fjalët e papërgjegjshme, të dëgjuara në foltoren e Kuvendit, sa vijnë e po shumohen nga këta “aktorë” që shfaqen para kamerave duke e quajtur veten persona të rëndësishëm politikë. Ata mund të thonë gjithçka, mund të kalojnë nga një krah në tjetrin duke menduar se kështu do të na ndriçojnë udhën dhe gjykimet tona nëpërmjet sallës së Kuvendit. Kush me mustaqe e kush me muskuj shihen nga ekrani televiziv se si nuk mbajnë përgjegjësi për të kaluarën e tyre, së paku para opinionit duke u prezantuar sikur të mos ketë ndodhur gjë në këtë komunë ku kryetari i tanishëm Gëzim Hajdinaga e ka të vështirë për të ndrequr gabimet e mëparshme edhe për faj të tyre ngase ishin në ato vite partizanë të një krahu tjetër. Duke u bërë zaptues të mikrofonit e me batuta fetare të pakripta, shkojnë aq larg sa prezantohen edhe si profetë duke mos mbajtur përgjegjësi morale për akuzat e padrejta që lëshojnë ndaj kolegëve të tyre, gjoja në emër të parimeve fetare. Këtu fjala publike e ka humbur tashmë sensin me defekte ndërsjellëse që po përjeton opinioni nga seanca në seancë.

Qëllimi i tyre është që të përdorin çdo mundësi për të mos e lënë qytetarin të gëzohet e të shpresojë për më mire, duke u mbështetur në arritjet e deritashme. Nuk ka arsye tjetër. Humbja e kujtesës shërben për historinë e shkurtër të xhuxhave, nga ku një qëndrim i tillë nuk është i drejtë sepse të shpie te përgjegjësia për të vazhduar me gabime e krahasime pa sens. Realisht pasojat negative e shtojnë efektin edhe te qytetarët përballë opinioneve që lëshojnë duke servirur “sapun për djathë”.

Politikanët sjellin mesazhe fetare nga vendi ku bëhet politika dhe kjo i detyron ata që bile njëherë të bëhen të thjeshtë e të marrin pjesë në festa fetare nga ku do të sjellin mesazhe urimi pikërisht në këto festa të shënuara. Të njëjtit, ndryshe sillen me vetveten, ndryshe me opinionin, ndaj konsensusi i arritur për buxhetin e vitit 2009 të shtyn të besosh se me mirëkuptim e pa batuta fetare mund të arrihet ajo për çka u ka besuar populli.
Shaban Peraj
Koha Javore

YouTube Preview Image