IN MEMORIAM: Dr. Arben (Abdullah) Kurti

January 20, 2009   | Shoqëria / Društvo

Dr. Arben (Abdullah) Kurti (2.7.1979 – 3.1. 2009)
Në moshën 29-vjeçare ndërroi jetë dr. Arben Abdullah Kurti. Shkollën fillore dhe gjimnazin e përfundoi në Ulqin. Në vitin 2003 diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin erdhi menjëherë pas diplomimit dhe filloi punën në praktikën e obliguar. Prej kolegëve, menaxhmentit e posaçërisht prej pacientëve dallohet për cilësitë e veçanta: si mjek me dituri, i angazhuar për të sëmurin, përcjellje të mirë sa i takon mjekësisë dhe risive në edukimin e popullatës në kuadrin shëndetësor.
Edhe në spitalin rajonal të Tivarit ku Arbeni vazhdoi stazhin mjekësor, bie në sy nga udhëheqësia si mjek me kualitete të veçanta dhe i jepet specializimi për pediatri. Ai vazhdoi punën në Repartin për sëmundjet e fëmijëve në Tivar, ku kishte mentor Dr. Rexhep Spuzhën.
Me punësimin në spitalin rajonal në Tivarit, qëllimi i tij madhor ishte që në këtë mënyrë të jetë urë lidhëse ndërmjet pacientëve dhe njëkohësisht ndërmjet dy institucioneve shëndetësore të Tivarit dhe Ulqinit. Ishte ky viti i fundit i specializimit kur…
Për cilësitë e tij të veçanta njerëzore dhe mjekësore dëshmojnë më së miri fjalët e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në tubimin përkujtimor, të organizuar më 3 janar, nga Spitali i Tivarit dhe Shtëpia e Shëndetit në Ulqin.karamanaga-2
Me këtë rast, dr. Rexhep Spuzha u shpreh, në mes tjerash, se “Beni ka pasur dashuri të madhe për pediatrinë. Fëmijët e kanë dashur shumë. Kur ishte në mesin e tyre, ata gjithmonë e prisnin me buzëqeshje”.
Edhe drejtori i Spitalit të Tivarit, dr. Zoran Srzentiq, në fjalën e tij tha se “Dr. Beni ka qenë një kuadër me perspektivë të madhe. Unë tek Beni kam parë kryeshefin e ardhshëm të repartit të pediatrisë në spitalin tonë”.
Edhe si student, Dr. Arben Kurti u mor me aktivitete profesionale mjekësore.
U dallua si besimtar i devotshëm. Mori pjesë në realizimin e librit “Udhëtim i shkurtër nëpër qenien njerëzore”, me temën “Kumtesë mbi disa çështje të përkufizimit të embrionit në Kurzan”, botuar në Tiranë në prill 2003.
Në moshën 24-vjeçare kreu një prej obligimeve fetare – Haxhin.
Ka qenë i respektuar prej të gjithë punëtorëve të shëndetësisë.
Të bëhesh mjek, nuk është aspak e lehtë, sepse shkollimi është i vështirë dhe i gjatë. Familja e prof. Abdullah Kurtit, me mundësi materiale të kufizuara, ka bërë shumë për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
Humbja e Dr. Arben Abdullah Kurtit është e pazëvendësueshme për shëndetësinë e rajonit Tivar – Ulqin, një dhimbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë popullatën tonë.
Prim. dr Gani Karamanaga
Koha Javore

2