Publikohet Indeksi i Demokracisë 2008 i Njësisë Studimore të revistës prestigjioze “The Economist”

January 20, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

the-economist_logoNë një moment kur debatet rreth cilësisë së demokracisë shqiptare dhe të shtetit e institucioneve që ajo ka prodhuar në njëzet vjet vazhdojnë me të njëjtin ritëm si pesë apo dhjete vjet më parë, një raport i dalë pak javë më parë duket se na sqaron për shumë pikëpyetje që kemi në kokë në lidhje me qeverisjen në Shqipëri. Indeksi i Demokracisë për vitin 2008 i Njësisë Studimore i revistës prestigjioze britanike “The Economist” (The Economist Intelligence Unit) ofron një vizion global për funksionimin e demokracisë në botën e sotme, përmes analizës së një morie elementesh që pasqyrojnë shkallën e zhvillimit dhe të funksionimit të institucioneve, zgjedhjet e lira dhe respektimin e të drejtave civile. “Indeksi i Njësisë Studimore, – thuhet në raport, – bazohet në pesë kategori, për vlerësimin e demokracive në botën e sotme: procesi elektoral dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisjes, pjesëmarrja politike dhe kultura politike”. Sipas tij, “këto pesë kategori janë të lidhura mes tyre dhe formojnë një koncept koherent dhe të unifikuar”.
Krizat
Indeksi i “The Economist” për vitin 2008 analizon ndër të tjera shumë nga krizat aktuale apo situatat e brendshme politike, ekonomike e sociale të vendeve të mëdha si Kina, Rusia apo edhe kontinenteve si Amerika Latine, Azia etj. Aty rreshtohen shkaqet dhe elementet e brendshme e të jashtme, që influencojnë në krijimin e kushteve specifike në të cilat ndodhen këto shtete apo grupime shtetesh. Raporti në fjalë vëren se pas bumit të viteve ’90, prej disa vitesh vihet re një stanjacion i dukshëm në avancimin e demokracisë në botë. “Gjysma e popullsisë së botës jeton sot në një farë demokracie”, – thuhet në Indeks, “por ka pasur një reagim të dobët në vendet e Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër, edhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik vijojnë të mos vjelin frytet e ‘revolucioneve shumëngjyrëshe’, si në Ukrainë apo Gjeorgji”, – thotë raporti, duke shtuar se Europa Lindore ka vuajtur procesin e konsolidimit të qeverisjeve demokratike, kurse në Amerikën Latine vihen re tendenca shqetësuese të fuqizimit të forcave populiste, “me kredenciale të dyshimta demokratike”.
Raporti i vitit 2008 është i dyti për këtë njësi të specializuar të revistës “The Economist”. Raporti paraardhës mbulonte vitin 2006. Raporti i këtij viti i ndan shtetet në katër grupime: grupimi i parë “demokracitë e plota” (full democracies), grupimi i dytë “demokracitë e paplota ose joperfekte” (flawed democracies), grupimi i tretë “regjimet hibride” (hybrid regimes) dhe grupimi i katërt “regjimet autoritare” (authoritarian regimes).
Renditja
Raporti cilëson si “demokraci thuajse perfekte” Suedinë, e cila zë vendin e parë në grupimin e “demokracive të plota”, e pasuar nga pesë vende të tjera skandinave dhe të Europës Veriore. Në këtë grupim hyjnë pak a shumë të gjitha vendet e zhvilluara të Perëndimit, plus shtete të tilla si Uruguai, Japonia apo Koreja e Jugut e Zelanda e Re dhe Australia. Poshtë këtij grupimi demokracish të zhvilluara ndodhet një listë e gjatë vendesh që cilësohen nga raporti si “demokraci të paplota”, ose “demokraci joperfekte”. Në këtë grup vendesh futen ato shtete që kanë një sistem të ligjëruar pluralizmi politik dhe ku standardet e përgjithshme të një shoqërie të hapur e liberale respektohen në tërësi. Në tabelat që po botojmë bashkë me këtë shkrim, mund të lexohet qartë se të gjitha vendet fqinje të Shqipërisë; Maqedonia, Mali i Zi dhe më e habitshmja, Serbia, një vend që shkaktoi luftën e gjatë ballkanike në fund të shekullit të shkuar, ndodhen të grupuara nën këtë kategori vendesh. Pra, një shkallë më lart se ne. Bashkë me këto vende figurojnë shtete si Rumania, Bullgaria, Ukraina, Tajvani, Argjentina, Tailanda apo Meksika. Nuk mungon në këtë listë edhe Mongolia apo Sri Lanka, një shtet në luftë të vazhdueshme civile e fetare.
Nëpër lupën e kujdesshme të kësaj njësie, që vepron në strukturën e njërës prej mediave të shkruara më influente sot në botë, ka kaluar edhe Shqipëria. Në fakt i vetmi rast në raport, ku flitet për vendin tonë, është ai i renditjes kronologjike që raporti i bën 165 vendeve dhe territoreve të analizuara, të cilat përfshijnë praktikisht të gjithë popullsinë botërore. Nuk është aspak e këndshme të shihet se Shqipëria radhitet për vitin 2008 në kokën e grupimit të tretë, atë të “regjimeve hibride”. Në këtë grupim bëjnë pjesë më së shumti shtete të Lindjes europiane dhe të Afrikës. Sipas Indeksit, “shumë nga vendet e Europës Lindore pasqyrojnë në mënyrë elokuente diferencën mes konceptit të demokracisë formale dhe demokracisë substanciale”. Vendi ynë ndodhet në një listë shtetesh me të cilat nuk ka asnjë lidhje gjeografike, politike, sociale apo historike e kulturore. Bashkë me ne, në grupimin e “regjimeve hibride” hyjnë Zambia, Madagaskari, Uganda, Burundi, Rusia, Territoret Palestineze, Ekuadori dhe Venezuela e Hugo Çavezit apo Iraku i turbullt. I vetmi “ngushëllim”: ndodhemi në një listë me Turqinë dhe Bosnjën!
Në grupimin e katër, atë të regjimeve diktatoriale, nuk ka shumë “surpriza”. Koreja e Veriut ka indeksin më të ulët demokratik dhe ndan listën bashkë me Kubën, Ruandën, kalifatet e Gjirit Persik dhe Afganistanin. Kjo kategori përmbledh të gjitha ato shtete që nuk plotësojnë kriteret dhe standardet demokratike dhe që shkelin rregullisht të drejtat themelore të njeriut.
E megjithatë, mendja na rri te klasifikimi i Shqipërisë. E tepërt të thuash se jemi në shoqëri mjaft të keqe. Çka dëshmon se përkundër pretendimeve tona se ndodhemi në krye të listës së vendeve që favorizojnë biznesin, investimet etj., etj., një revistë prestigjioze, e cila shërben globalisht si pikë reference, na ka klasifikuar në kategorinë e gjysmë-diktaturave. Dhe më e keqja akoma, na ka vënë sipër kokës vende që kanë shkaktuar luftëra të përgjakshme fare afër nesh, si Serbia, apo që janë në konflikte civile e etnike prej dekadash, si Sri Lanka. Pas rreth dy dekadash pluralizmi politik dhe ekonomie tregu, vendi ynë vijon të mos përfitojë as nga pozita e favorshme gjeografike, as nga ndihma e vendeve më të zhvilluara rreth tij dhe sidomos nga vullneti e dëshira e shtetasve të tij për të tejkaluar fazën e tejzgjatur të tranzicionit post-komunist. Ky Indeks dëshmon se Shqipëria është ende një demokraci e brishtë, e korruptuar dhe defektoze. Një kompleksitet gjërash që dalin qartë nga vendi ku jemi klasifikuar nga një media serioze, e saktë dhe objektive.

Indeksi i demokracisë për vitin 2008

1-Suedi 66-Paraguai
2-Norvegji 72-Maqedoni
3-Islandë 73-Republika Dominikane
4-Holandë 74-Honduras
5-Danimarkë 75-Bolivi
6-Finlandë 76-Guyana
7-Zelandë e Re 77-Filipine
8-Zvicër 78-Nikaragua
9-Luksemburg 79-Guatemala
10-Australi 80-Benini
18-SHBA 81-Shqipëria
29-Itali 82-Singapori
60-Kolumbi 83-Mali
63-Serbi 84-Hong Kongu
64-Namibi 85-Palestina
65-Mali i Zi 86-Bosnje Hercegovinë

Skënder Minxhozi
Revista MAPO