Shkëlzen Maliqi: Të njihet kombësia malazeze – Video

January 21, 2009   | Rajoni / Region

shkelzen-maliqi_analistMe njohjen e kombësisë dhe të statusit të minoritetit për malazezët, do të rritet edhe numri i minoriteteve që janë lojalë ndaj shtetit të Kosovës, kurse në korpusin që tani deklarohet si serbë do të zvogëlohet numri i atyre që kanë qëndrim refuzues ndaj pavarësisë.

Në disa reagime pse po vonohet vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Malit të Zi, është përmendur edhe një spekulim kinse Podgorica po e kushtëzon instalimin e ambasadave me njohjen e kombësisë malazeze. Nuk di se a është ky kushtëzim i vërtetë, apo vetëm spekulim nga ndonjë burim margjinal. Por çështja meriton një koment. Në këtë spekulim nuk është menduar që Kosova duhet ta njohë ekzistimin e kombit malazias si të tillë, si një komb i veçantë krahas atij serb. Qarqet nacionaliste serbe, e edhe Beogradi zyrtar dhe Kisha Ortodokse Serbe, për shumë kohë kanë insistuar se të qenit malazez është vetëm një emërtim territorial për një pjesë të kombit serb. Që Kosova ta njohë veçantinë e kombit malazez nuk është ndonjë problem. Por ajo që do të duhej të ishte përmbajtja e vërtetë e këtij kushtëzimi spekulativ është kërkesa që të njihet ekzistenca e kombit malazez në Kosovë si minoritet, si dhe sigurimi i të drejtave të tyre të barabarta me të drejtat e minoriteteve tjera që tashmë janë bërë kategori kushtetuese dha gëzojnë edhe disa privilegje të përfaqësimit sipas parimit të diskriminimit pozitiv në Kuvendin e Kosovës, me ulëse të ashtuquajtura të rezervuara. Njohja e ekzistimit të pakicës malazeze në Kosovë parimisht nuk do të duhej të ishte diçka trazuese. Përkundrazi, do të ishte krejtësisht e logjikshme dhe çështje e procedurës, nëse ka qytetarë të Kosovës që e deklarojnë këtë përkatësi etnike. Në korpusin e atyre që prej kohësh deklarohen si pjesëtarë të kombit serb që jetojnë në Kosovë, ka mjaft të tillë që prejardhjen e kanë nga Mali i Zi. Ata janë kryesisht pasardhës të kolonistëve që janë vendosur në Kosovë mes dy luftërave botërore, ose kanë ardhur në Kosovë me motive të ndryshme, pas Luftës së Dytë Botërore. Por, shumica e tyre nën ndikimin e kishës dhe ideologjisë dominuese nacionaliste serbomadhe, prej kohësh e kanë bërë dallimin mes përkatësisë territoriale nga kanë ardhur, madje edhe duke e quajtur veten malazez, dhe përkatësisë etnike, që e kanë preferuar të jetë – përkatësi serbe. Kjo çarje mes malazezëve dhe serbëve ekziston edhe në vetë Malin e Zi, ku një pjesë e konsiderueshme, rreth 40 %, deklarohen territorialisht malazezë, ndërkaq etnikisht e ndiejnë vetën për serbë. Po kështu, atje veprojnë edhe dy kisha ortodokse, ajo që është pjesë e Kishës Ortodokse Serbe, dhe Kisha Autoqefale e Malit të Zi, që e ka ringjallur kishën a pavarur që ka ekzistuar para gllabërimit të Mbretërisë së Malit të Zi nga Serbia pas Luftës së Parë Botërore. Në Kosovën e kohës së autonomisë, malazezët janë përmendur gjithnjë krahas serbëve, si një pakicë që jeton në Kosovë, edhe pse në atë kohë nuk janë kërkuar privilegje të veçanta për ta. Privilegjet që i kanë pasur serbët, i kanë pasur edhe malazezët, në disa fusha ndoshta edhe më të mëdha, p.sh. në politikë, polici dhe ekonomi. Vetëm në kohën e regjimit të Milosheviqit, malazezet nuk figurojnë më si kategori e veçantë por shkrihen me serbët. Dhe kjo shkrirje e dhunshme po ndodhte mu në kohën që ky regjim njëkohësisht stimulonte dhe afirmonte krijimin e disa etnive tjera nga ato që më herët konsideroheshin grupe etnike, p.sh. ashkalitë dhe egjiptasitë, që veçohen nga korpusi i popullatës që deri atëherë nuk dallohej nga romët, si dhe goranët, boshnjakët dhe myslimanët, e madje edhe kroatët, që kishte për synim copëzimin dhe futjen e grindjeve në bashkësitë fetare myslimane që flasin variante të gjuhëve sllave, dhe edhe katolikëve që nuk janë shqipfolës. Tek këto pakica të stimuluara në vitet ’90, Milosheviqi kishte instaluar udhëheqësi që përkrahnin regjimin dhe aspiratat e Serbisë, çka erdhi në shprehje në mënyrë tragjikomike në përbërjen e delegacionit serb në negociatat e Rambujesë, ku synohej krijimi i përshtypjes se shqiptarët janë me një anë, se po luftojnë për të drejtat ekskluzive kombëtare, ndërsa Serbia angazhohej për shoqëri multietnike dhe për të drejtat e pakicave. Në këtë kontekst, kthimi i nocionit malazez në spektrin e pakicave që jetojnë në Kosovë më duket e domosdoshme. Dhe nëse ka ndonjë organizim të malazezëve, qoftë shoqatë, qoftë parti apo bashkësi fetare etj, që ndihen dhe duan të veçohen si kombësi dhe bashkësi fetare, ato duhet të fitojnë përkrahjen e menjëhershme, duke bërë hulumtime dhe analiza plotësuese që të konstatohet paraprakisht numri dhe shtrirja e tyre, e madje të nisen edhe procedurat që edhe malazezët të bëhen kategori kushtetuese, e jo të vazhdojë diskriminimi dhe shkrirja artificiale e tyre me serbët, si një trashëgimi që e ka imponuar regjimi i Milosheviqit. Besoj se nuk do të ishte problem që kjo të bëhet edhe para regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, me qëllim që të afirmohet edhe kjo kategori e pakicave të përkrahura, që përndryshe shtet amë e kanë Malin e Zi si shtet fqinj me të cilin Kosova duhet të ketë marrëdhënie sa më të mira në çdo fushë. Njohja paraprake e minoritetit malazez do të stimulonte edhe deklarimin e lirë të atyre që në ndërkohë propaganda dhe presionet i kanë detyruar që të deklarohen si pjesëtarë të minoritetit serb në Kosovë. Kuptohet, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë do të vendosë proporcione reale të raportit mes shumicës shqiptare dhe minoriteteve, që do të mundësojë edhe korrigjimet dhe plotësimet në proporcionet e përfaqësimit të privilegjuar të minoriteteve sipas planit të Ahtisarit dhe parimeve themelore të Kushtetutës së Kosovës, e cila pas një kohë duhet të rishqyrtojë dhe aprovojë edhe ligjin e zgjedhjeve dhe të përfaqësimit sa më adekuat të minoriteteve në bazë të proporcioneve reale të pjesëmarrjes dhe ndikimin të shoqërinë e Kosovës. Me njohjen e kombësisë dhe të statusit të minoritetit për malazezët, do të rritet edhe numri i minoriteteve që janë lojalë ndaj shtetit të Kosovës, kurse në korpusin që tani deklarohet si serbë do të shtohet numri i atyre që kanë qëndrim pozitiv ndaj pavarësisë së Kosovës.
Gazeta Express

http://www.alsat.tv/images/emisionet/reklama/maqedoni.flv