Yllka Gashi mbas muajit të mjaltit dhe planet e mija

January 25, 2009   | Lajmet / Vijesti

yllka-gashi-_familja-moderneYllka Gashi është një aktore e talentuar, që me role të ndryshme ka zënë vendin e merituar në plejadën e artistëve shqiptarë. Edhe pse e diplomuar në vitin 2004, ajo është në skenë që nga mosha 17-vjeçare dhe prej atëherë asaj nuk i kanë munguar ofertat e ndryshme për angazhime në planin e aktrimit.
Yllka Gashi, në festivalin e akademive botërore “Setkani-Encounter” në Bërno të Çekisë, mori shpërblimin “Marta 2004” për aktoren më të mirë me rolin e vajzës në tragjedinë “Babai” të autores Zana Hoxha. Ajo njihet edhe si zjarri i familjes moderne. Njëra ndër aktoret më të bukura shqiptare, ju flet më poshtë por në cilësinë e një zonje shtëpie, pasi statusi i saj tashmë është ndërruar.

E bukur, sharmante dhe tepër e këndshme për ekran, si i arrini gjithë këto Yllka?

Faleminderit për komplimentet së pari! Të gjitha këto më duken si veti të lindura, që ke nuk ke nevojë të investosh në to.

Ngjan në karakter Yllka me Zanën? Ekrani dhe prapaskena janë gati njësoj?

Jo, aspak. Yllka dhe Zana janë krejtësisht të ndryshme. Këtë e kam thënë shpeshherë dhe më duket e panevojshme të përsëritëm. Megjithatë, pos faktit që unë e luaj këtë personazh, asgjë tjetër nuk kemi të përbashkët.

Ju pengon kur njerëzit në rrugë u thërrasin Zana?

Jo… Përkundrazi kjo për mua është bërë pjesë e përditshmërisë.

Cilat janë aktivitetet, në të cilat jeni e angazhuar?

Vazhdoj provat dhe xhirimet e sezonit të 7-të të serialit “Familja Moderne”. Po ashtu, jam e angazhuar në dy shfaqje të ndryshme, njëra në Teatrin Kombëtar në Prishtinë,
komedia “Dejzilend” e autorit Christopher Durang në regji të Agon Myftarit dhe tjetra “Vdekja dhe vasha” e Ariel Dorfman në regji të Fatos Berishës.

Je shumë e suksesshme dhe njëra ndër aktoret më të pëlqyera për momentin në Kosovë, do veçoje ndonjë gjë që ndoshta publiku akoma nuk e di?

Ëëëëë……. Di të ngas makinën, por nuk kam ende veturën time…. Hahaha!

Normalisht çdo herë në ekran i kushtoni rëndësi të kohë shpenzoni jashtë ekranit për dukjen tuaj?

Jo shumë. Rëndësi të veçantë i kushtoj higjienës personale. Jam tip shumë pedant, mirëpo nuk kam shumë kohë për të ndenjur gjatë para pasqyrës. Falë Zotit, këtë të fundit sa herë e shikoj ndjehem mirë. Hahaha!

Si arrini të jeni në top formë, me anë të dietave, vizitoni fitnesin ndonjëherë?

Nuk jam gjithmonë në top formë, sidoqoftë faleminderit për komplimentin. Jam tip që e dua ushqimin dhe shumëllojshmërinë e tij, por ndonjëherë kur e kaloj kufirin mbaj edhe dietë për ta “pastruar” organizmin. Ndërsa për fitnesin nuk kam kohë, sepse orari im ditor gjithmonë është shumë i ngjeshur me aktivitete.

Mund të themi që je e lindur për aktore, po për ty çfarë rëndësie ka aktrimi në jetën tënde?

Është profesioni im! Është ajo prej së cilës unë jetoj, kështu që ka rëndësi shumë të madhe dhe të veçantë. Nuk mund ta paramendoj veten ndryshe pos si aktore!

Pasi që tashmë keni filluar jetën tuaj bashkëshortore, konkretisht cili do të jetë profesioni juaj me të cilin do të merreni në të ardhmen?

Do vazhdoj të merrem me të njëjtin profesion që jam marrë deri tash. Do të jem aktore.

Përveç serialit “Familja moderne”, keni ndonjë ofertë të re?

Po. Bile momentalisht kam aq shumë oferta, sa që më duhet shpesh të refuzoj e të zgjedh midis mundësive dhe disa prej tyre më duhet t’i kthej mbrapsht…

Nga fotot e publikuara në internet dukeni një nuse shumë e bukur, dhe një çift shumë i këndshëm, si e kaluat muajin e mjaltit?

Për këtë pyetje më duhet ta them një varg të Frank Sinatrës: “I want to be a part of it-New York, New York!”. Fantazi… Ky muaj për ne ishte sikur emri i tij… krejt MJALTË!!!

Edhe pse ka pak kohë që jeni martuar, si kalon tash një ditë e Yllkës, dallon nga ditët e beqarisë?

Jo, shumë. Pos faktit, që qysh se jam kthyer nga muaji i mjaltit, të cilin e kaluam në Nju Jork, jam shumë më e zënë me obligime profesionale.

Panorama Plus


18