Prishtina gati ta pranojë pakicën malazeze – Video

January 29, 2009   | Rajoni / Region

delegacioni-malazez-gjate-vizites-ne-ministrine-e-kthimit-ne-kosoveNënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Rifat Rastoder tha të mërkurën në Prishtinë që ka ardhur koha që malazezët kosovarë të mos identifikohen më me serbët, apo me cilëndo bashkësi tjetër.
Këto komente ai bëri në një debat të organizuar me temën “Pozita e malazezëve në Kosovë”. “Nuk duhet të ketë dyshim se mbase çështja më e ndjeshme është pikërisht kjo, e drejta kushtetuese për gjendjen e bashkësisë malazeze në Kosovë dhe krijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova, që do të thotë krijimi i kushteve për një paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon”, tha Rastander.

Në këtë temë diskutoi edhe ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferati, sipas të cilit nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që e pengon organizimin dhe të drejtat e komunitetit malazez në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës është e gatshme t’u përgjigjet dhe t’i pranojë kërkesat e komunitetit malazez në Kosovë”, tha Ferati, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë të gatshme sot të ndryshojnë qasjen plotësisht nga vetë dëshira e malazezëve.

Malazezët kërkojnë status më të mirë

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiç, pas takimit me delegacionin e lartë nga Podgorica, ka thënë se institucionet e Kosovës do të punojnë për një status më të mirë të malazezëve në Kosovë. Rifat Rastoder thotë se malazezët nuk trajtohen si pakicat e tjera.

Zyrtarë të lartë të shtetit të Malit të Zi pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kanë realizuar edhe një takim me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiç. Gjatë takimit që ka zgjatur, mësuam se një orë e gjysmë është biseduar kryesisht për pozitën e pakicës malazeze në Kosovë. Zyrtarët nga Podgorica kanë kërkuar që shtetasit e tyre që jetojnë në Kosovë të kenë të drejtat të barabarta me pakicat e tjera në Kosovë.

Nënkryetari i legjislativit malazez, Rifat Rastoder ka thënë se nuk dëshirojnë të bëjnë asnjë presion apo kushtëzim siç është thënë ditë më parë, por, sipas tij, ata kanë biseduar gjatë gjithë kohës me liderët e Kosovës për të gjetur mënyrën për një pozitë më të mirë të malazezëve që jetojnë në Kosovë.

“Çështja që na ka interesuar ka qenë statusi kushtetues i malazezëve të Kosovës. Dimë për statusin e pakicave të tjera, por malazezët kanë mbetur anash dhe për këtë jemi interesuar”, ka thënë Rastoder. Temë tjetër që është biseduar ndërmjet Rashicit dhe Rastoderit ka qenë edhe krijimi i kushteve për kthimin e të shpërngulurve nga Mali i Zi .

“Ajo që kemi diskutuar ka qenë që t`i ndihmojmë njëri-tjetrit, kulmi i gjithë kësaj ka qenë që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të mos bëjmë presione, mos të pengojmë njëri-tjetrin, por të gjejmë mënyra se si t`i ndihmojmë njëri-tjetrit’, kanë thënë zyrtarët nga Podgorica.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiç ka thënë se me zyrtarët nga Mali i Zi janë dakorduar për të bashkëpunuar në shumë fusha që kanë të bëjnë me kthimin e personave të zhvendosur.

“Kemi ardhur në përfundime të përbashkëta, për bashkëpunim, për planet tona të bashkëpunimit për të gjitha minoritetet në Kosovë dhe të gjithë ata të dëbuarit që ndodhen në Mal të Zi”, ka deklaruar Rashiç.

Nënkryetari i legjislativit malazez, Rastoder, duke folur për pozitën e bashkëkombësve të tij që jetojnë në Kosovë, kërkoi nga institucionet kosovare që të mos i identifikojnë këta qytetarë me bashkësinë serbe. Ndryshe, zyrtarët më të lartë në Podgoricë ditë më parë kanë kërkuar që malazezët në Kosovë ta kenë statusin e pakicave, duke bërë kështu kushtëzimin e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi.

Nebih Maxhuni
Gazeta Express

YouTube Preview Image