Mali i Zi: Nevoja e dialogut politik ndërshqiptar

February 1, 2009   | Shoqëria / Društvo

logo_partit-shqiptare-ne-mal-te-ziStrategjia e partive nacionale shqiptare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Më 21 të këtij muaji filloi sesioni i Kuvendit të Malit të Zi. Tashmë është gjë e sigurt se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të shpallen në mbarim të muajit mars. Cila duhet të jetë strategjia e partive nacionale shqiptare?

Strategjia

Këto ditë flitet për koalicionet e mundshme parazgjedhore në nivel të Malit të Zi. Shtrohet pyetja se çfarë duhet të kenë parasysh partitë shqiptare? Cilat janë premisat nga të cilat duhet të nisen liderët e subjekteve politike shqiptare. Çka janë premisat? Premisat janë pohimet nga të cilat nisemi për të ardhur deri te konkluza. Dy premisa themelore nga të cilat duhet të nisen liderët e partive shqiptare duhet të jenë, si vijon:
A. Shqiptarët si faktor numerik. Shqiptarët paraqesin 5,3% nga popullata e përgjithshme dhe ky numër është duke u zvogëluar me një progresivitet gjeometrik, pra, me një shpejtësi të madhe. Derisa në regjistrimin e parafundit numri ishte 7 %, brenda dhjetë vitesh është zvogëluar për dy përqind, ose, nëse e marrim në kuadrin e tërësisë së korpusit shqiptar në Mal të Zi, kjo është gati 30 % nga numri i përgjithshëm i të shqiptarëve në këtë shtet. Kjo sidomos vlen për Malësinë e Madhe ku numri i shqiptarëve etnikë tashmë është bërë simbolik. Arsyet janë të shumëfishta dhe kjo çështje është material për një analizë tjetër.

B. Interesat e shqiptarëve. Kur flasim për atë se cilët janë interesat e shqiptarëve, duhet të logjikohet në dy nivele strategjike:

  • 1. Niveli lokal. Për liderët e partive shqiptare, realizimi i interesave në nivel lokal duhet të jenë detyrë parësore. Sepse, procesi i përfaqësimit politik fillon nga niveli i parë i piramidës politike. Në nivel lokal fillohet me zgjidhjen e suksesshme ose të pasuksesshme të çështjeve dhe problemeve të mjedisit, në këtë rast të pakicës nacionale shqiptare.
  • 2. Niveli i shtetit të Malit të Zi. Ky është niveli i dytë i piramidës së përfaqësimit dhe nuk është më pak i rëndësishëm. Depërtimi i intelektualëve tanë në të gjitha institucionet e sistemit duhet të jetë orientim strategjik i politikës nacionale shqiptare në Mal të Zi. Por, kjo do të jetë e kotë nëse nuk përmbushet kushti që e parashtron premisa e parë e kësaj analize. Sepse nuk mund të ndërtohet kati i dytë i një shtëpie po që se kati i parë nuk është stabil dhe nga materiali i fortë.

Partitë nacionale – opozita

Interesat e shqiptarëve si pakicë, veçanërisht si pakicë e cila është në rënie numerike, nuk mund të jenë identike me interesat e opozitës, pavarësisht, se çfarë është orientimi gjeneral i asaj opozite: probeogradas, promalazez, etj. Interesat e shqiptarëve mund të përputhen aty – këtu me interesat e opozitës, por, interesat nuk janë identikë. Sepse, opozita paraqet pakicën politike, ndërsa, pakica nacionale (në këtë rast shqiptarët) është pakicë etnike. Shqiptarët si pakicë janë në rënie alarmante numerike dhe nuk mund t’i lejojnë vetës luksin të hyjnë në kombinime politike të cilat janë të dështuara që në start.

Outside

Pakica shqiptare nuk guxon ta vë veten në poziten e autsajderit! Çka ësht autsajdi? Outside anglisht e shënon poziten e lojtarit në fudboll, i cili gjendet jashtë lojës. Pakica shqiptare nuk guxon të gjendet jashtë lojës sepse kjo është strategji vetvrasëse. Kjo nuk do të thotë që patjetër duhet të merret pjesë në opcionin ose koalicionin qeveritar, por, një modus duhet të gjendet që shqiptarët të mbijetojnë demografikisht dhe institucionalisht në Mal të Zi. Cili do të jetë ky modus, kjo është punë e politikanëve. Diçka e ngjashme vlen parimisht edhe për pjesëmarrjen e partive nacionale në opcionin qeveritar. Pra, as kur është ky opcion në fjalë, nuk guxojnë të harrohen interesat e shqiptarëve nga premisa e parë e kësaj analize (interesi lokal).

Dialogu si imperativ i mbijetesës

Këto ditë, lideri i ASH, Vasel Sinishtaj, deklaroi se kjo parti “është e interesuar për pjesëmarrje në institucionet e sistemit”. Përveç tjerash ka ftuar që të formohet një listë e përbashkët nacionale e shqiptarëve. Fakt është se për shqiptarët, veçanërisht për Malësinë e Madhe është me rëndësi jetike dialogu mes partive më të forta (UDSH dhe ASH), atyre të cilat, së paku, në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar numrin më të madh të votave të qytetarëve të Malësisë. Herët ose vonë, kjo do të duhet të bëhet, së paku në nivel lokal. Më mirë herët se vonë.

xhoanaperkaj@yahoo.com
Xhoana M. Perkaj
Koha Javore