Milaim Zeka thotë se është kërcënuar nga rryma e vahabive në Kosovë

February 1, 2009   | Rajoni / Region

milaim-zeka1Pa rrotullat e Milaimit
Gazetari Milaim Zeka thotë se është kërcënuar nga rryma e vahabive në Kosovë për emisionin e tij të fundit në RTK, por për këtë nuk frikësohet aspak. Thotë se nuk dëshiron shumë të merret me politikanët e Kosovës përderisa idolë e ka aktoren Julia Robert. Milaim Zeka flet për emisionin e tij të fundit “Pa rrotulla”.

Express: Milaim, emisioni filloi dhe po duket se është mjaft i nxehtë sa i përket temave, komenti i juar për këtë?
Zeka:
Paj nëse doni ta kuptoni se sa shoqëri e mjerë jemi ne ballkanasit në përgjithësi, ju lutem gërmoni qoftë edhe sipërfaqësisht ndonjë temë e cila është lakuriq përpara nesh, por që ne i mbyllim sytë. Mos mendoni që vetëm këta primitivcat me petkun e veshur të Usama bin Ladenit me kanë kërcënuar. Reagime ka pasur edhe rreth emisionit të pare ku bëhej fjalë për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Pse e more Sabri Novosellën me thoshte Hysen Gërvalla. Një tjetër me thoshte, po çka deshi aty Adem Demaçi. Një doktor me thoshte po ku e ka njoftë, Jusufin, Kastriot Haxhirexha. Të gjithë i shikoja si krokodilë të lloçit. Të gjithëve ju thosha edhe po ju them edhe atyre që u munduan të ma diktojnë emisionin tim; “Askush prej jush nuk me keni pyet se çfarë rrobash të trupit me vesh, apo çfarë mobilesh me ble në shtëpi. Sa të jetoj, deri në vdekje, kurrë nuk kam me leju imponime në emisionin tim. Këshilla e sugjerime po, ama imponime jo. Ato kurrë nuk i kam pranuar. Prandaj kam jetuar 18 vite në perëndim pa e pa familjen dhe Kosovën, vetëm pse e kam dashtë mendimin e lirë dhe fjalën e lirë. Sa ju përket reagimeve të disa bastardeve të fesë islame, po edhe të atyre të krishtera, ju them se ata janë shkelës të librave të shenjtë. Mirëpo unë nuk frikësohem, sepse gjyshi im me ka thënë kur kam qenë i vogël, “Zoti ta jep dhe vetëm Zoti ta merr Shpirtin”.

Express: Cilat janë reagimet e para?
Zeka:
Reagimet janë tepër, tepër pozitive, shumë fenomenale. Mjafton të hyni në internet dhe të shikoni se brenda katër ditëve 50 000 veta e kanë shiku një pjesë të programit “Pa rrotulla”. Është i vetmi program që po transmetohet edhe në TV shtetëror të Maqedonisë, si dhe nga shumica e TV-ve lokale brenda dhe jashtë Kosovës. Kam marrë mijëra e mijëra letra përkrahëse. Po dua të them që kam marrë edhe kërcënime, fatkeqësisht nga disa majmunë shqiptarë që jetojnë nëpër “qenefat” e perëndimit. Ata janë “qenefagji”, njerëz të pagdhendur, mjeranë të pa-integruar në shoqëritë ku jetojnë. Atyre dëshiroj të ju them që kot me kërcënojnë. E kam pas ndermen me mbyllë këtë teme, po ja që do ta vazhdoj, pikërisht për shkak të këtyre reagimeve. Ajo që me gëzon më se shumti është fakti se kuvendi komunal, mbas problemit që kam ngritë, dje, me 30 janar, ka mbajt një seancë të jashtëzakonshme, ku ka marre vendime shume të rëndësishme që prekin fenomenin për të cilin kemi ba fjalë.

Express: Ke marrë kërcënime dhe a po frikësohen njerëzit që të flasin me ty “pa rrotlla”?
Zeka:
Për kërcënime të fola, ka pas nja pesë a gjashtë, mirëpo i kam marrë mbi 3000 letra përkrahëse. Dëgjo sa primitivca janë këta usamabinladenat. Njeri me thoshte në kërcënimin e parë që i vjen keq të bëje emisione të atilla duke e ditur që kam qenë në luftë, kuptohet si gazetar, në kërcënimin e dytë me thoshte se kam ndejtë nëpër kafe të Tiranës. Një tjetër thoshte se gruaja ime është katolike, prandaj ajo po me nxitë. O kuku për ne. Hoxhë Hasan Tasini ka thanë xhynahi më i madh i njeriut është padituria. Këtë soj hajvanati që shkruajnë marrina të tilla, me pas kush i qon te kasapi dhe me ua heq zorrën e trashe, beso për lopë i hanë. Shumë budallë, tramaka, ahmaka të pacipë.

Express: Sa janë njerëzit e Kosovës të sinqertë në atë që e deklarojnë apo një pjesë e madhe janë një “shmink” apo kanë komplekse të pa imagjinueshme ?
Zeka:
Fëmijët dhe gratë këtu rrallë rrejnë para kamerës. Te tjerët veç nëse nuk munden, se pa e lulisë pak nuk e lanë. Megjithatë, sinqerisht po them me mu janë shumë direkt. Kjo ndoshta varet nga ajo se unë e njoh shumë mirë teknikën e intervistës, edhe di me dale aty ku dua unë.

Express: A je origjinal apo aktron dhe sa je autokritik?
Zeka:
Jam shumë origjinal ma merr mendja, mirëpo në emisionet e para nuk kam qenë Milaimi. Ka pas shumë zhurma në lokal dhe çdo zhurmë me pengon. Madje edhe nusja ime nëse ma thotë një fjale para se të startojmë, shumë me pengon. Jam shumë autokritik, edhe i dua shumë ata koleg që ma kritikojnë programin. Unë i marrë ato si këshilla. Kam stres gjithmonë para se të fillojmë, edhe çdo program e analizoj edhe shume e kritikoj mbasi që të transmetohet. Mirëpo koleg të dashur, ju e dini se në çfarë kushtesh punojmë. Për kushtet që i kemi, boll të këqij jemi, po hero jemi përsëri.

Express: Cili kish me qenë ai njëri, që do të kishe pas qejf të bisedosh me te, e që deri sot, nuk ka pranuar të flas me ty?
Zeka:
Asnjë, përpos Julia Roberts që e kam simbol të dashurisë. Unë kurrë nuk kam qejf me intervistu politikan. Ata duhet me pas qejf me ardhur në emisionin tim. Nëse ata nuk vinë, humbin për vete. Kurrë nuk lavdërohem në shoqëri se ndejta me ndonjë politikan. I njoh të gjithë, rri me të gjithë. Ata që i kam simpati shumë i kritikoj, edhe me kritikojnë. Mirëpo kur ndezët kamera, çdo pyetje që e bëjë e mendoj suedisht edhe e bëjë shqip. Po e mendova shqip dhe e thash shqip, kuku pastaj qysh dal cirkus, si shumë moderator të tjerë, të cilët vetë pyesin e vetë përgjigjen. Ose gazetar të cilët brenda pyetjes e kanë edhe përgjigjën.

Express: Me çfarë shtresë të shoqërisë ke dëshirë te ulesh e të bisedosh dhe kush prej tyre është më i sinqertë në atë që deklaron. Janë ata fshatarët, fshatarët e ardhur në qytet, “qytetarët”, qytetarët snob apo kush tjetër?
Zeka:
Paj ta them sinqerisht e kam ëndërr të bëjë emisione me fëmijë dhe me pleq. Thjeshtë më të rinj. Këtu hyjnë edhe pleqtë. Për qytetarë, në Kosovë kam takuar pak të tillë. I sheh në dukje si të atillë, po afrohu dhe fol me ta e pastaj e sheh sa primitiv janë. Unë mendoj se njeriu lind gjenetikisht ose primitiv, ose i civilizuar. Mirëpo ne në Prishtinë jetojmë në një fshat të fëlliqtë dhe primitiv. Shikojeni Prishtinën se si e ka vra mafia politike. Ndërtime pa leje. Trotuare me makina të mbushura. Njerëz që jetojmë në erën e “mutit” dhe të shurrës që nga ora 22 deri në ora 6 të mëngjesit. Dalim shpesh përjashta ashtu “zdralana”, të palarë, në mungesë të ujit. Dhe pastaj shesim mend që jemi qytetarë dhe jetojmë në qytet. Shko vizitojeni kinemanë dhe teatrin për ta vërtetuar sa qytetarë jemi. Me thuaj pse shqiptarët nuk hanë mëngjes me një gazetë në dorë, apo me një libër në dore. Sepse i rrasin duart nëpër xhepa, duke i ruajtur “haletet” mos po ju bijnë në tokë. Injoranca është sida ma e rëndë që na ka kaplu. Hajde një dite hynë nëpër redaksi të të gjitha mediumeve, xhiroj dhe shikoj se sa koleg tanë e lexojnë qoftë një gazetë ditore….

Express: Kush do të jetë mysafirë i radhës apo më mirë të themi kush është ai njëri që do të flas me ty pa shumë rrotlla ?
Zeka:
Do merrem përsëri me fenomenin e rrymave ekstreme brenda fesë. Pastaj do të flasim për TMK-në. Llugë po shkon puna. Pastaj është llugë edhe nëpër universitete. Kam dëshirë shumë të madhe me u marrë me tendera se si janë dhanë. Janë edhe disa tema që nuk po guxoj t’i dekonspiroj.

Gazeta Express

YouTube Preview Image
7