Nikë Gjeloshaj: Obsesion me personalitetin tim

February 1, 2009   | Reportazh / Reportaža

nike-gjeloshaj(Reagim ndaj tekstit të Ferhat Dinoshës, me titull “Ju jeni ajka e Malësisë”, të botuar në numrin 353 të gazetës “Koha javore”)
Së pari, në fillim dëshiroj të sqaroj një gjë, se kurrë nuk kisha reaguar në tekstin tuaj z. Dinosha, të më kishit përmendur me emër e mbiemër e jo në mënyrë indirekte, si …
Asgjë nuk kam bërë në mënyrë të fshehtë dhe pa bekim familjar, ashtu që ua kisha lënë juve nëse ju lejon kultura dhe edukata të merreni me këtë pjesë të jetës sime private deri aty ku është kufiri, ku vjen privatësia ime dhe dinjiteti familjar. Dua t`ju tërheq vërejtjen publikisht se e keni tepruar dhe ju do të mbani përgjegjësinë, ua them këtë publikisht.
Të shkruash nëpër media për martesën time e kam çmuar si një obsesion me personalitetin tim, këtë mendoj edhe sot. Ju këtu më ofendoni dhe shpreheni se nuk kam personalitet. Se a kam a jo, le ta dëshmojë koha. Unë për gjithçka kam vepruar deri sot e kam kokën lart dhe shikoj përpara. Ju shikojeni veten në pasqyrë, çka shihni!?
Unë dhe paraardhësit e mi kemi qenë ata që jemi sot dhe nuk ka arritur asnjë sundues as pushtet të na ndryshojë, e ju pyesni veten se ku keni qenë e ku jeni tash, këtë sa për personalitet.
Projekti i rajonizimit nuk është i ngjashëm me atë të serbëve të Kosovës dhe as nuk ka lidhje me të. Projekti i rajonizimit është i ngjashëm me atë të rajoneve europiane, ku trevat ku jetojnë sot shqiptarët të kenë një kulm vetëqeverisjeje dhe të vendosin për ato çështje që i preokupojnë në përditshmëri, e posaçërisht ato që na dallojnë nga të tjerët.
Projektin e rajonizimit nuk e kam kuptuar kurrë si projekt me të cilin dikujt i shitet patriotizëm. As atëherë as sot nuk mendova se me këtë jam duke bërë ndonjë vepër patriotike, por kam menduar se si një i ri që e sheh problemin në shoqëri ka obligim të kyçet dhe të kontribuojë në zgjidhjen e tij.
Për vepra “patriotike” jeni ju i caktuar, duke u nisur nga Fakulteti i mësuesisë, Komuna e Tuzit, koalicioni me partinë në pushtet në Ulqin, posaçërisht ku ua more pushtetin me Podgoricë partive shqiptare pas 16 vjet pluralizëm për ta shitur e shkatërruar. Këu në veprime patriotike nuk do t`ua kishte lakmi as Rrahman Morina.
Për projektet e rajonizimit një herë është folur në nivel të partive nacionale dhe në qarqe intelektuale së bashku me diasporën në Uashington, pastaj pas tërheqjes së subjekteve nacionale nga kjo ide pas një afati që patët marrë (dhe nëse ju kujtohet, në takimin në State Department, ju personalisht premtuat se për tre muaj do të jetë gati platforma për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi), unë së bashku me disa shokë promovuam këtë ide si më të mirë dhe proevropiane për ne si shqiptarë.
Tentimi juaj që ta lidhni këtë me pavarësinë e Kosovës dhe serbëve atje nuk pin ujë z. Dinosha. Këtë më mirë e dini edhe ju, mirëpo si duket duke mbrojtur pozitat e veta shërbeheni edhe me atë që vetë nuk e besoni.
Pra, këtu në këtë projekt s`ka pasur shitje të patriotizmit, por ka pasur më shumë shitje të brengës për vendin ku jetojmë dhe të ardhmen e tij, se në ato ditë që ishim në pushime për festat e fundvitit, partia në pushtet në Tuz paraqiti projektin e Komunës Urbane të cilin me disa shokë e në krye me të ndjerin Leon Lulgjuraj, herën e parë e minuam.
Në ndërkohë menduam dhe diskutonim ide të ndryshme dhe hasëm në mirëkuptim me pronarin e TV “Boin” që të organizohet një emision për çështje të komunës, në të cilin edhe ju morët pjesë, nëse ju kujtohet!?
Pas kësaj, duke parë se pushteti nuk ka ndërmend të kthehet nga Malësia dhe të realizojë dëshirën dhe nevojën e qytetarëve për komunë të plotë dhe se partitë nacionale janë duke heshtur vendosëm që si shoqëri e ngushtë të fillojmë të aktualizojmë me projekte konkrete çështjen tonë nacionale, dhe kemi bërë peticionin për t`i treguar opinionit qëndrimin dhe mendimin e Malësisë në lidhje me atë se çfarë administrate lokale dëshirojmë.
Edhe atëherë edhe sot jam i bindur se ky është projekti më i mirë dhe më pro-shqiptar dhe europian që mund të ofrohet si mes ndërmjet kërkesave për autonomi të viteve `90 dhe gjendjes aktuale sot.
Prapë e drejta juaj është t`i çmoni këto me emër që ju pëlqen juve. Atë që kam ditur dhe kam pasur mundësi e kam dhënë për të faktorizuar kërkesën e qytetarëve të Malësisë për komunë të plotë e jo gjysmake, që ju e keni përkrahur dhe si kulminacion kanë qenë protestat qytetare në Malësi për komunë dhe fitorja e opcionit të cilit i kam takuar, duke ju shkaktuar humbje juve. Në projektin tuaj ne ju fituam, e di se ju ka dhembur dhe ju dhemb ende!
Qeveria juaj ato ditë edhe e sulmoi Malësinë dhe rrahi pleq e fëmijë dhe burgosi qytetarë të Malësisë suaj dhe ju qëndruat ende në atë qeveri dhe e aminuat krejt këtë. Kjo do të mbetet në histori, ashtu që mos u prekni kur ju përmendet fytyra…
Për këtë çështje kam pasur polemikat më të ashpra me juve, sepse në kohën kur e keni pranuar këtë zgjidhje për Malësinë, ju keni qenë edhe deputeti im sepse ju kam pasë votuar si dhe kam qenë i bindur atëherë edhe sot se kam pasur të drejtë t`ju kundërshtoj.
Mirëpo, ju mirë e dini se prej ditës së 10 shtatorit 2006 kur kam qenë në subjekt tjetër dhe politikë tjetër, as që më ka shkuar ndërmend të them qoftë edhe një fjalë për veprimet tuaja politike sepse ajo nuk më ka takuar mua, por votuesve tuaj, e që kësaj radhe unë nuk kam qenë ndër ata – për fat të mirë.
Tash pse jam i martuar me malazeze më sygjeroni mos të shes më patriotizëm. Këtë ua premtoj juve edhe të tjerëve se nuk do të shes; këtë s`e kam bërë kurrë, mirëpo si atëherë që nuk isha i martuar dhe isha në lidhje me këtë malazeze, si sot që jam i martuar, do të angazhohem aq sa të di dhe mundem për realizimin e të drejtave të mia nacionale e kryesisht për komunë të plotë të Tuzit, të cilën ju nuk po doni ta kemi, për interesat tuaja personale.
Sa i përket titullit, këtij mendoj se ia kam qëlluar më së shumti. Është një proverbë kroate dhe e di se ju sjell ndoshta nervozizëm, mirëpo nuk kam se çka të bëj. Si duket, për të ardhur aty ku duhet me ju duhet të përdorësh ndonjëherë edhe shprehje sllave se më kuptoni më mirë. Dëshiroj t`ju them se kam fituar shumë komplimente për titull nga më të ndryshmit, sepse duke ditur strukturën e partisë tuaj e cila është 100% njëkonfesionale, e di se ku ju dhemb. Po të ishte ndryshe, nuk e kishit lejua të ishte kështu, ndonëse titulli nuk ka pasur lidhje me këtë.
Unë votat tuaja normalisht që i shoh dhe me siguri i respektoj, mirëpo ju sot jeni në opozitë, jeni në pakicë në mendim politik, nëse analizojmë 1367 votat tuaja me 2142 tonat apo të ASH-së në nivel të Malësisë janë dallim dhe tregon se kujt i beson Malësia dhe kujt ia ka dhënë krahët e kujt ia ka kthyer shpinën.
Unë personalisht nuk do të kisha problem të pendohem një ditë, siç thoni për atë që kam thënë për ju. Unë të gjitha mosveprimet apo veprimet në dëm të Malësisë i kam argumentuar çdoherë, e nëse dëshmohet se kam gabuar dhe se keni patur të drejtë, ju siguroj se kam aq edukatë familjare, morale dhe personalitet që të kërkoj ndjesë!
Sa i përket mallit dhe qitjes në koshe si treshe, nuk e shoh veten aty, më kapërce herën tjetër. Polemikat me argumente vetëm se mund të sillnin dobi nëse ju këtë e dëshironi për Malësinë!? Atë që ju i quani ajkë, Malësia i ka quajtur Luanë të Malësisë me votë!
Por, shihemi në votime ku do të jeni kësaj here, nëse guxoni të dilni vetëm, a por si gjithmonë do t`i shkoni në përqafim sunduesit që t`ju japë lëmoshën për të mos ju fshirë populli nga harta politike apo t`ju tregojë se ku e kanë vendin nxenësit e Zhivorad Igiqit.
Mirëpo, duke i ditur të gjitha, këmisha është më afër se xhaketa. Më mirë me më pak mëkate ktheju gjirit të vet dhe popullit të vet sesa të vazhdosh të bësh mëkate prapë, duke i shërbyer sunduesit.
Nikë Gjeloshaj
Koha Javore