Jemi ne, jeni ju

February 7, 2009   | Shtypi / Mediji

zgjedhjet-parlamentare-ne-mal-te-ziFillimi i kësaj jave shënoi lajmin kryesor që ka të bëjë me shpërbërjen e parlamentit të deritashëm malazez si dhe mundësinë që kryetari i shtetit, Filip Vujanoviq të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që pritet të jetë fundi i marsit.
Parlamenti malazez u shkurtoi mandatin deputetëve të deritanishëm duke krijuar kështu kushtet ligjore që zgjedhjet e ardhëshme të mbahen në fund të marsit. Me këtë rast duket se u shpërfillën kritikat e bëra nga opozitarët se gjoja sipas Kushtetutës malazeze para se të shpallet data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është dashur të miratohet Ligji i ri i zgjedhjeve.
Me këtë u vërtetua se shumica dhe numri i votave e bënë të vetën duke mos u arritur një konsensus që së paku të diskutohet ky ligj për të pasur mbështetjen edhe nga opozita. Kështu opozita mbeti pa mbrojtje të shumicës me çka deshën apo jo duhet të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar, ose t`i bojkotojnë ato, çka vështirë të besohet për një hap të tillë nëse mendohet të jetë unik trungu i tyre votues.
Kjo nuk mund të ndodhë edhe për faktin se opozita malazeze ka provuar disa herë t`i hakmerret pozitës aktuale me protesta nga më të ndryshmet. Opozita nuk mund të merret vetëm me fjalë e vepra që nuk i ofrojnë shoqërisë qoftë edhe një pikë shpresë, ndaj duhen alternativa për të bindur votuesit. Ajo për momentin nuk ka forcë politike për të ndalur projektet e shumicës, ndaj shumica u thotë: jemi ne për të bërë ligje e për të mbajtur përgjegjësitë, jeni ju për t`i zbatuar e respektuar ato e për t`iu bindur vendimeve të shumicës, dhe përderisa është kështu kjo shumicë do të zbatojë projektet e saj nëse fitojnë që me mandat të ri të legjitimohen për shumëçka. Rrjellimisht ka gjasa që shumica e votuesve përsëri të bëhet me të “fortin” si një shenjë për opozitën se nuk kalohet koha vetëm me kritika dhe akuza, pa paraqitur para votuesve ndonjë alternativë të re e për të kthyer situatën në favor të tyre. Po t`i referohemi asaj që ndodhi gjatë mandatit të sapombyllur mund të konkludohet se opozita nuk e ka ushtruar funksionin e vet si duhet dhe tani është koha e momenti që ajo të forcojë radhët e veta duke mos u marrë shumë me pozitën e duke bërë “luftë” të ndershme politike, me alternativa të reja të dëshmojë veten se është në shërbim të qytetarëve. Po aq edhe pozitës i mbetet të tregojë vullnet politik për të përfshirë në krahun e saj parti që shprehin dëshirën për të qenë pjesë e një koalicioni të mundshëm.
Tani çështja është pjesëmarrja e partive politike shqiptare në këto zgjedhje. Nga liderët e tyre u dhanë disa deklarata, por ato tani për tani mbetën vetëm deklarata dhe jo ndonjë qëndrim i prerë i tyre se si do të jetë nesër plani për dalje në zgjedhje, a do të bëhen bashkë apo do të dalin ndaras, gjë që nuk është diçka e re për opinionin e këtushëm. Një gjë duhet pasur parasysh, dalja vetmas nuk i garanton asnjërit fitore dhe për këtë duhet bërë konsultime dhe me Prishtinën e Tiranën. Nëse nga udhëheqësit e dy qendrave deri tash ka pasur vetëm premtime, tani është koha dhe momenti që ata të diskutojnë për këtë çështje me liderët e partive shqiptare në Mal të Zi për faktin se zgjedhjet paraqesin element kyç për të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm. Kjo i obligon liderët e partive shqiptare të ulen e të bisedojnë në mënyrë që trupi zgjedhor të pozicionohet karshi interesave të përgjithshme kombëtare. Këtë shqiptarët në Mal të Zi e dëshmuan si kërkesë në shumicën e rasteve, ndaj do të ishte me rëndësi qëndrimi i dy qendrave shqiptare në mënyrë që të bëhen përpjekje për të bashkuar shqiptarët në një trung të vetëm me një kurs të caktuar për të ardhmen e tyre. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë akuzat e tyre ndaj njëri-tjetrit do të jenë në vazhdimësi, çka bën që votuesit të humbasin besimin e shpresën se një ditë do të bëhet më mirë. Sidoqoftë, deputetët shqiptarë do të zgjedhen nga elektorati. Do të kenë mbështetjen e qytetarëve ata kandidatë që më së miri do të dinë të prezantohen para elektoratit. Tani kur çdo gjë dihet, Ligji i zgjedhjeve dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk ka më arsye për ankesa. Ajo që shqetëson për momentin është numri i tepërt i partive politike shqiptare në një territor të ngushtë. Për pasojë duket se përfaqësuesit e këtyre partive do të humbin shumë kohë duke u marrë me lojëra e luftëra të fëlliqta të cilat vështirë se do mund të tejkalohen. Atyre kështu u konvenon, përndryshe sa u përket premtimeve të dhëna qytetarëve për një jetë më të mirë, ato mbesin vetëm premtime dhe asgjë më tepër.
Ndoshta është herët të jepen premtime parazgjedhore e të bëhen publike platformat me të cilat mendojnë të paraqiten para zgjedhësve, por pritet që së paku të provohet një mundësi e bisedimeve për mënyrën e një veprimi të përbashkët. Kjo do të ishte në dobi të interesave të qytetarëve ku më shumë duhet menduar për votuesit, gjë që do të ulte tensionet e tanishme përmes një konsensusi nga ku do të arrihej ajo që përfaqësojnë subjektet politike shqiptare. Ky konsensus normalisht se kërkon edhe sakrifica nga fakti se ne kemi probleme të pazgjidhura, gjë që në këto momente duhet lënë anash. Populli e ka të qartë se kush mund t`i finalizojë kërkesat e tij dhe për këtë ai do të dijë se kujt duhet dhënë votën.
Shaban Peraj
Koha Javore