Pakicat, pa të drejtën e mandateve të garantuara

February 8, 2009   | Reportazh / Reportaža

pakicat-pa-mandate-te-garantuaraNumri i madh i partive shqiptare bën që në rast të pjesëmarrjes së tyre në mënyrë të pavarur në zgjedhje të rrezikohet humbja dhe shkapërderdhja e votave të shqiptarëve. Kjo ka bërë që një pjesë e liderëve të partive nacionale shqiptare të bëjnë thirrje për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje dhe që partitë shqiptare të dalin me një listë të përbashkët. Deri tani, të paktën publikisht, nuk ka pasur asnjë takim konkret rreth koalicioneve të partive shqiptare, por pritet që ditët e ardhshme të zhvillohen takime të tilla.

Pakicat në Mal të Zi nuk do të kenë të drejtën e mandateve të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi as në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen më 29 mars.
Kjo për shkak se edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen sipas legjislacionit të vjetër zgjedhor.
Parlamenti i Malit të Zi ka votuar të hënën për shkurtimin e mandateve të deputetëve dhe shtyrjen e kohëzgjatjes së legjislacionit zgjedhor ekzistues edhe për dy vjet.
Siç dihet, në Kushtetutën e Malit të Zi parashikohet përfaqësimi autentik i pakicave.
Në nenin 79, pika 9, të Kushtetutës thuhet se pakicat kanë të drejtën “e përfaqësimit autentik në Kuvendin e Malit të Zi dhe kuvendet e vetëqeverisjes lokale në të cilat përbëjnë sasi të konsiderueshme të popullsisë, në pajtim me parimin e aksionit afirmativ”.
Në Ligjin kushtetues, të miratuar në tetor të vitit 2007, parashikohet harmonizimi i një sërë ligjesh me Kushtetutën. Kështu, në nenin 8 të tij, parashikohet që në një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të harmonizohet me Kushtetutën Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve.
Mirëpo, edhe pse ka kohë që ka kaluar ky afat, akoma nuk është bërë harmonizimi.
Ky ka qenë edhe njëri prej shkaqeve që ka përmendur opozita në kundërshtim të tezës për shkurtimin e mandateve dhe shtyrjen e kohëzgjatjes së legjislacionit të vjetër zgjedhor.
Dy deputetët e partive nacionale shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi nga LD në MZ dhe Vasel Sinishtaj nga Alternativa Shqiptare, të cilët kanë votuar kundër shkurtimit të mandateve të deputetëve dhe shtyrjen e kohëzgjatjes së legjislacionit zgjedhor ekzistues kanë vlerësuar se nuk ekziston asnjë arsye për shkurtimin e mandateve të Parlamentit, si dhe që zgjedhjet të mbahen në bazë të Ligjit i cili nuk u garanton pakicave të drejtat të cilat ua garanton Kushtetuta.
Deputeti i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Ferhat Dinosha, i cili ka votuar për shkurtimin e mandateve dhe shtyrjen e kohëzgjatjes së legjislacionit ekzistues zgjedhor, ka kritikuar edhe pozitën edhe opozitën për mosekzistencën e vullnetit për mandatet e garantuara për pakicat.
Ai e ka arsyetuar votën pro me kërkesën e ekzistencës së zonës së veçantë zgjedhore për shqiptarët, e cila edhe pse nuk përmendet shprehimisht, si duket, do të vlejë edhe për këto zgjedhje.
Një fakt tjetër me rëndësi është se zgjedhjet janë shpallur nga Presidenti i Malit të Zi të martën pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimimin e bërë për shkak të moskryerjes së obligimit ligjor të harmonizimit të Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve me Kushtetutën në fuqi të Malit të Zi.
Le të rikujtojmë, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dy nene të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave që kanë të bëjnë me përfaqësimin e pakicave në Parlamentin e Malit të Zi, konkretisht nenet 23 dhe 24 të këtij ligji.
Edhe ky ligj është dashur të harmonizohet me Kushtetutën e Malit të Zi në një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e Ligjit kushtetues, që do të thotë se ky afat ka kohë që ka kaluar.
Megjithëse Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe UDSH kanë thënë se do të bëjë çmos për rikthimin në fuqi të këtyre dy neneve, kjo deri tani nuk është bërë.
Neni 23 (i shfuqizuar) i këtij ligji parashikon që në legjislacionin zgjedhor, përmes zbatimit të parimit të aksionit afirmativ, për përfaqësuesit e pakicave të sigurohet numër shtesë i mandateve të deputetëve.
Në këtë nen thuhet se “pakicat të cilat në përbërjen e përgjithshme të popullsisë përbëjnë nga 1% deri 5% sipas rezultateve të fundit të regjistrimit të popullsisë, do të jenë të përfaqësuar në Parlamentin e Malit të Zi me një deputet, përmes përfaqësuesit të zgjedhur nga lista zgjedhore e pakicave”.
Ndërsa “pakicat të cilat në përbërjen e përgjithshme të popullsisë përbëjnë më shumë se 5 % në bazë të rezultateve të fundit të regjistrimit të popullsisë, do të kenë tre mandate deputetësh të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi, përmes përfaqësuesve të zgjedhur nga listat zgjedhore të pakicave, me çzrast duhet të kihen parasysh specifikat gjuhësore dhe etnike, si dhe të drejtat zgjedhore të arritura të shqiptarëve”.

Shqiptarët dhe zgjedhjet

Çështja kryesore në këto zgjedhje është se cila do të jetë mënyra e përfaqësimit të tyre dhe si do të dalin ata në zgjedhje.
Dihet që shqiptarët votojnë për partitë e tyre nacionale, por edhe për partitë e tjera në Mal të Zi, pjesa më e madhe e të cilëve për Partinë Demokratike të Socialistëve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2006, nga zona me popullsi shumicë shqiptare dy deputetë i ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve, ndërsa nga një koalicioni LD në MZ – PPD, UDSH dhe Alternativa Shqiptare.
Numri i madh i partive shqiptare, gjashtë sosh, bën që në rast të pjesëmarrjes së tyre në mënyrë të pavarur në zgjedhje të rrezikohet humbja dhe shkapërderdhja e votave të shqiptarëve.
Kjo ka bërë që një pjesë e liderëve të partive nacionale shqiptare të bëjnë thirrje për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje dhe që partitë shqiptare të dalin me një listë të përbashkët.
Ftesa e fundit ka ardhur nga LD në MZ e cila i ka ftuar partitë politike shqiptare për bisedime që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të dilet me një listë të përbashkët.
“Nisur nga interesat e përgjithshme kombëtare të shqiptarëve, që jetojnë në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare që të bisedojmë dhe mundësisht të bëjmë marrëveshje dhe të dalim në zgjedhjet e shpallura parlamentare me një listë të përbashkët, për të arritur maksimumin e mundshëm në këto rrethana shoqërore e ligjore në përfaqësimin e denjë e të plotë në Parlamentin e Malit të Zi”, thuhet në deklaratën për shtyp të LD në MZ.
Opinione të ngjashme kanë shprehur edhe përfaqësuesit e Alternativës Shqiptare dhe Forcës së Re Demokratike.
Deputeti i Alternativës Shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, ka kërkuar që “për të mirën e shqiptarëve, subjektet shqiptare të dalin të bashkuar”.
“Lista e përbashkët nuk do të lejojë shkapërderdhjen e votave dhe do të krijojë kushtet për unifikimin e trupit nacional”, ka thënë Sinishtaj.
Edhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, ka thënë se kjo parti angazhohet për listë të përbashkët, por që në rast të kundërt do të marrë pjesë në mënyrë të pavarur në zgjedhjet parlamentare.
Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar në Malin e Zi deri tani nuk janë shprehur rreth formës së pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare.
Sa i përket UDSH-së, pozicionimi dhe pjesëmarrja në qeveri dhe në koalicion me PDS-së në disa qytete, si në Ulqin dhe Tuz, e bën të vështirë mundësinë e pjesëmarrjes së përbashkët me partitë e tjera shqiptare.
Megjithatë edhe kryetari i UDSH-së, Ferhat Dinosha, ka bërë thirrje për mundësinë e pjesëmarrjes së përbashkët të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare apo më së shumti në dy blloqe.
“UDSH ende nuk ka vendosur se si do të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por është e qartë se edhe dalja e pavarur në to do t’i mundësonte prezencën e mëtutjeshme në skenën politike. Është e qartë se Unioni nuk u frikohet zgjedhjeve dhe se edhe dalja në mënyrë të pavarur do tzi mundësonte prezencën e mëtutjeshme në skenën politike të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Deri tani, të paktën publikisht, nuk ka pasur asnjë takim konkret rreth koalicioneve të partive shqiptare, por pritet që ditët e ardhshme të zhvillohen takime të tilla.
I.Kallaba
Koha Javore