Edhe një vlerësim për gjimnazin privat “Drita”

February 17, 2009   | Shoqëria / Društvo

bilal-alajPunë në pajtim me standardet arsimore ndërkombëtare
“Rezultatet tregojnë se në këtë shkollë procesi edukativ është duke u zhvilluar sipas standardeve bashkëkohore edhe pse kemi pengesa sa i përket aspektit financiar për t`u përmbajtur këtyre standardeve”, thotë drejtori i Gjimnazit Privat “Drita”, Bilal Alaj.
Ulqin – Gjimnazi Privat “Drita” ka marrë edhe një vlerësim pozitiv për punën e tij arsimore – edukative. Sektori për vlerësimin e cilësisë pranë Entit për Shkolla e ka vlerësuar lart punën arsimore-edukative në këtë institucion.
Në raportin e hartuar pas inspektimit të punës, inspektorët e Sektorit për Vlerësimin e Cilësisë kanë vlerësuar pozitivisht mbi 97 për qind të punës në këtë gjimnaz.
“Puna e mësimdhënësve është vlerësuar me nota shumë të suksesshme dhe të suksesshme, me përjashtim të disa rasteve për shkak të mungesës së mjeteve të duhura mësimore të cilat janë duke u siguruar në vazhdimësi”, thotë drejtori i Gjimnazit “Drita”, Bilal Alaj.
Sipas tij, këto vlerësime tregojnë se procesi arsimor në këtë shkollë zhvillohet në pajtim me standardet ndërkombëtare në fushën e arsimit.
“Këto rezultate tregojnë se në këtë shkollë procesi edukativ është duke u zhvilluar sipas standardeve bashkëkohore edhe pse kemi pengesa sa i përket aspektit financiar për t`u përmbajtur këtyre standardeve”, thotë ai.
Gjimnazi “Drita” është hapur në shtator të vitit 2006 dhe është gjimnazi i parë privat në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe i dyti në Mal të Zi.
Vitin e parë shkollor në këtë institucion shkollor janë regjistruar 20 nxënës, kurse aktualisht në të tre vitet mësojnë 83 nxënës, të ndarë në pesë paralele.

I.Kallaba
Koha Javore

1