Ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi

February 17, 2009   | Intervista / Intervju

drbahri-briskuHapet perspektiva reale për realizimin e të drejtave të tyre
Mali i Zi nuk ka qenë në gjendje që të ndërmarrë asnjë veprim të sigurt për realizimin e të drejtave të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë sipas konventave dhe traktateve ndërkombëtare. Deri para do kohe, Shoqata e ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë nuk ka qenë e regjistruar në nivel të Malit të Zi dhe nuk kanë ekzistuar ligje që precizonin sigurimin e dëmshpërblimeve, sigurimin e banesave, shkollimin e fëmijëve të tyre, rihabilitimin e tyre në jetën institucionale etj.
Kjo ndodhi për të vetmen arsye se dikujt nuk i pëlqente për ta bërë regjistrimin e kësaj shoqate në nivelin shtetëror të Malit të Zi, edhe përkundër faktit që lutjet për regjistrimin e saj shoqëroheshin me të gjitha dokumentet e nevojshme për këtë veprimtari, zvarritja zgjati bukur shumë, por së fundi u bë edhe ky regjistrim, me të cilin na mundësohet që në mënyrë institucionale t`ia nisim punës për realizimin e të gjitha të drejtave të këtyre personave të shumëvuajtur, qoftë nëpër kazamatet e qelive, qoftë në situata të përndjekjes, të largimit nga puna, nga jeta normale shoqërore, duke qenë të injoruar në çdo aspekt të jetës normale.
Kjo është një kategori personash të cilët në këtë rajon numërojnë mbi 100 sish, pa llogaritur ata anëtarë që kanë vuajtur në burgjet e Informbyrosë, që kanë qenë vendosur në ishullin Goli Otok, të cilët gjithashtu deri më sot nuk janë rihabilituar. Një pjesë e madhe e personave të tillë ende nuk kanë arritur që t`i kompletojnë dokumentet e duhura për vuajtjet e tyre, se kanë pas humbur besimin se do të mund të paguhen ndonjëherë vuajtjet e tyre antinjerëzore. Personat e tillë nuk e kanë shumë të vështirë që të kompletojnë dëshmitë e tilla, të cilat nëse nuk ua sigurojnë gjykatat, të cilat i kanë dënuar ish-të burgosurit shqiptarë, këta duhet t`i drejtohen Arkivit Historik në Cetinë, i cili ka në dispozicion të gjitha të dhënat e nevojshme për secilin individ, që ka qenë i burgosur. Dokumentet e tilla janë të domosdoshme për marrjen e dëmshpërblimeve që ju takojnë të gjithë të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi.
Kjo shoqatë tani ka grumbulluar mjaft dokumente të anëtarëve të vet, por ka edhe anëtarë të tillë të cilët nuk kanë qenë të informuar sa duhet për këtë institucion të tyre që ekziston në Ulqin, në rrugën Ymer Prizreni nr. 20. Këtu ata mund t`i sjellin dokumentet e tilla nëse dëshirojnë që të përfshihen e kërkesave të dëmshpërblimeve, të cilat ka gjasa reale se do të realizohen, ashtu siç janë ndarë në të gjitha vendet e këtij rajoni. Vendimet duhet të jenë reale dhe të noterizuara. Kështu duhet të veprojnë edhe ish-të përndjekurit, sidomos të tillët që kanë qenë të larguar nga puna, prej të cilëve një pjesë gjenden në Katërkollë dhe në Malësi të Madhe. Një pjesë e madhe e personave të tillë kanë qenë të shtrënguar që të emigrojnë jashtë vendit. Për të tillët është më se e nevojshme që të interesohen pjesëtarët e farefisit dhe shokët e tyre, që ata të lajmërohen dhe të përgatisin dokumentet që edhe atyre t`u bëhet i mundur realizimi i të drejtave të tilla, të cilat janë të siguruara me disa konventa dhe ligje që duhet t`i miratojë secili shtet që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, e cila dëmshpërblimet e tilla dukshëm i ka precizuar jo vetëm në të drejtat e njeriut, por edhe në pjesën e standardeve të nevojshme për inkuadrim në Bashkimin Europian. Në këtë aspekt të gjitha shtetet e këtij rajoni kanë hartuar ligjet e nevojshme për dëmshpërblimit e ish-të burgosurve politikë. Një punë të tillë e ka bërë edhe Shqipëria, e cila në formë të çeqeve, gjegjësisht të letrave me vlerë i ka paguar vuajtjet e personave të tillë, kurse në kohën aktuale për ish-të burgosurit ka ndarë 23 milionë euro. Atje kjo kategori e personave ka gjetur përkrahjen e madhe të deputetëve opozitarë, të cilët e kanë detyruar mazhorancën që sa më parë të bëjë ndarjen e mjeteve financiare për këta të përvuajtur politikë, andaj është e udhës që edhe këta katër deputetët tanë shqiptarë të kërkojnë nga Qeveria e Malit të Zi jo vetëm që të rehabilitojë këta persona por edhe të ndajë mjete të nevojshme për pagesën e dëmshpërblimit i cili është pjesë e standardeve, që duhet t`i realizojë çdo shtet që synon atë pa të cilën nuk ka mundësi të ekzistojë, që është Bashkimi Europjan. Është koha që për këtë çështje të ngrisin zërin jo vetëm deputetët tanë, por edhe Ministria e Pakicave, e cila njëkohësisht bën pjesë në Qeverinë e këtij shteti. Ka nevojë që për këtë çështje t`ju bëhet e ditur të gjithë faktorëve të këtij shtetit që të mos i mundojnë këta ish-të burgosur e ish-të përndjekur që për mosrealizimin e kësaj çështjeje nga ana e Qeverisë së malit të Zi, t`i drejtohen Gjykatës së Strazburgut, e cila nuk ka asnjë shans që të mos vendosë për këta persona pozitivisht dhe kundër asaj qeverie që nuk i ka përfillur kërkesat legjitime të ish të vuajturve politikë në sistemet ish-komuniste.
Këto janë pistat që këtyre personave u garantojnë dëmshpërblimet e merituara dhe rihabilitimet ligjore të tyre, përkundër faktit që Kosova është shtet i ri, kjo e ka aprovuar ligjin e dëmshpërblimit të të burgosurve për bindjet e tyre, kurse neve në këtë shtet me vështirësi të madhe na kanë bërë regjistrimin e Shoqatës së të përndjekurve të tillë. Deri tani nuk jemi informuar që Mali i Zi ka hartuar e praovuar ndonjë ligj që është i domosdoshëm jo vetëm për pagesat e dëmshpërblimeve të tilla, por edhe për plotësim të standardit që eliminon pengesën e duhur për aderim në Bashkimin Europjan.
Ndërkaq, ish të burgosurit jashtë Malit të Zi nga radhët e shqiptarëve, konventat i obligojnë që për realizimin e të drejtave të tyre, nevojitet që t`u drejtohen shoqatave të ish-të burgosurve të atyre vendeve ku kanë vuajtur dënimet me burg. Shoqatat e vendeve të tilla janë të obliguara me ligje që t`ju rregullojnë vërtetimet, kërkesat dhe dëshmitë e tjera për personat që me të vërtetë kanë vuajtur dënime me burg, ose kanë qenë të përndjekur nga ish – sigurimi i vendeve të tilla.
Gjithashtu i njoftojmë ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë në Malin e ZI, që në selinë e kësaj shoqate në Ulqin, duhet të sjellin nga dy fotografi, dokumentet e tjera eventuale si dëshmi e vuajtjeve të tyre se kjo shoqatë përveç të tjerave është në përgatitje sipër të një libri biografik të kësaj kategorie personash. Këtu patjetër bëjnë pjesë edhe familjet dhe personat e tillë që kanë ndërruar jetë. Si dëshmi materiale, vlera dëshmuese për të ndjerit duhet të merren deponimet e familjarëve të tyre të cilët japin dëshmi qoftë për vetveten, qoftë për nevoja të botimit të Monografisë. Për jetën e tyre, të cilët do të botohen në këtë vepër autobiografike të ish të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, e cila projektohet të botohet së shpejti.

Bahri Brisku
Koha Javore