Sh.Peraj: Mendimi për mirë…………

February 24, 2009   | Shoqëria / Društvo

shaban-peraj-2Fakti që secili nga subjektet politike shqiptare në Mal të Zi i sheh udhëheqësit dhe prijësit e vet si novatorë, i jep shkak përçarjes edhe nëse ky këndvështrim është naiv.
Dukuria e mosçuarjes deri në fund e shumë proceseve politike të nisura mbarë, përveçse i kënaq interesat strategjike të armiqve tanë, ajo karakterizohet edhe me bekimin dhe përkrahjen e parezervë të elitës sonë politike. Se çfarë ishin pasojat politike në të kaluarën historike kjo tashmë dihet, ajo që nuk dihet për momentin është stopimi i kësaj mosçuarjeje deri në fund të amanetit të atyre që u flijuan për të mirën e kombit pa menduar fare për pasoja, dhe kjo mbetet të shikohet. Dukuritë anomale në rrethin politik të shqiptarëve në Mal të Zi të bëjnë për të qeshur (kjo më tepër nga marazi) karshi çoroditjeve të paraqitura që i ka opinioni i këtushëm shqiptar gjoja se shumë kërkesa i bëjnë sipas rekomandimeve të atyre që jetojnë e veprojnë jashtë këtyre rrethanave pa u konsultuar e pa u marrë vesh brenda vetë korpusit politik për mbarëvajtje të mirëqenies qytetare. Kaq bëjnë këta, ky është kapaciteti i tyre për të tërhequr mbrapshtë politikën kombëtare, si këtu po edhe në bashkëpunim me qendrat në Tiranë e Prishtinë. Si të shpjegohen ndryshe veprimet e liderëve të partive shqiptare në Mal të Zi rreth mosbashkimit për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 29 mars, çka me veprimet e tyre të njëkahshme pa pasur ndonjë platformë të re politike i japin të drejtë vetes secili nga këta që të vetëshpallet sikur përfaqëson shqiptarët në Mal të Zi! Ky veprim i përçarjes nuk do koment, ajo që shqetëson në këto momente është se ku mbeti strategjia kombëtare Kush është këtu kombëtar, kush i ndan shqiptarët e një trungu në grupacione të tilla, kujt i shërbejnë me veprime të tilla ndarëse karshi asaj që është e përgjithshme kur mirëfilli dihet se në këto troje shqiptare veprojnë jo më pak se gjashtë subjekte politike shqiptare?! A nuk është ky tregues se këtu dikush punon me një prapavi për të avancuar vetën dhe për të ndalur të drejtën e subjekteve të tjera politike në mënyrë që ata të shpallen jokombëtarë e jodemokratikë.A nuk u dëshmua kjo edhe me koncertin e mbajtur në Tuz, po takimi i deputetëve serbë në veriun e Mitrovicës pikërisht në ditën kur i gjithë kombi shqiptar po festonte Pavarësinë e Kosovës nuk e dëshmoi ndarjen tonë për të mos qenë të zotët që t’i japim secilit qytetarë të atjeshëm atë që i nevojitet e atë që e meriton. Kjo që disa nga liderët tanë i dhanë detyrë vetës është një politikë me vija të kundërta nga interesi i përgjithshëm kombëtar. Një ndarje apo dallim i tillë gjoja se në Mal të Zi ka vetëm një subjekt politik, ka vetëm një lider është më tepër mungesë e unitetit brendaetnik të shqiptarëve, gjë që në periudha të ndryshme na ka kushtuar shtrenjtë. Një formë e tillë e veprimit të atyre që bënë të realizohet ky projekt mund të shaktojë telashe në raportet ndëretnike. Nuk duhet anashkaluar edhe momentin në të cilin ndodhen shqiptarët në Mal të Zi tani në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Politkanët shqiptarë në Mal të Zi kanë pasur, po edhe kanë shansin e duhur të kërkojnë bashkëveprim lidhur me interesin kombëtar dhe në asnjë rast të mos veprojnë që hesapet t’i bëjnë sipas rasteve personale. Për këtë duhet pasur një konsultë më të gjërë, një bashkëpunim të mirëfilltë të atyre që merren me organizime politike në mënyrë që vet ata të jenë të bindur se shumica shqiptare në Mal të Zi është në krahun tjetër, atë të shumicës kombëtare. Nëse hartuesit e këtyre projekteve mendojnë se janë më të mirët në politikën kombëtare, atëherë të njëjtit nuk kanë për të gëzuar frytet e votuesve shqiptarë, sepse me aq përqindje sa janë shqiptaët në Mal të Zi, ata janë akoma gjallë, duke u dëshmuar para se të veprojnë liderët e këtushëm dhe këtë do ta vazhdojnë edhe për shumë kohë. Pavarësisht se kritikohen këto veprime, vet pozita e shqiptarëve të këtushëm kërkon një ridefilim të ri politik e ideologjik të secilit prej nesh duke pasur kurajo që brenda këtij ridefilimi të jemi të përfshirë të gjithë, të mos jemi të ndarë në kampe e parti lagjesh. Meqenëse besimi dhe fjala e dhënë (Besa) janë pjesë e padiskutueshme e identitetit shqiptar, mendoj se përkrahja kaq e madhe e këtij termi, sipas një analisti, duhet të konsiderohet si element shqetësues dhe jo një shprehje e zakontë dhe e “pa gjeder”! Koha është që të flasim e të veprojmë më me përgjegjësi për fjalën e dhënë (besën) dhe të mos kemi frikë për atë që themi dhe mënyrën se si e themi për të lëvizur drejt qëllimit kombëtar. Prandaj kërkohet që baza e të komunikuarit të mos jetë dhuna, diktati e paragjykimi, por mirëkuptimi, dëshira për dialog, tolerancë maksimale e shpirtmadhësi ndaj të tjerëve, aq më shumë kur të gjithë jemi shqiptarë. Të vjen i habitshëm fakti, se në ditët e sensibilizimit të problemeve mbarëkombëtare, shqiptarëve brendapërbrenda u dëgjohet zëri, por s’u shihet kontributi, ndaj sot na nevojitet për të vepruar sepse ky është obligim i të gjithë neve. Kjo gjë merr rëndësi dhe përmasa krejt të veçanta kur është fjala për cështje delikate si këto tonat që kanë lidhje me jetën dhe të ardhmen e një kombi.
Shaban Peraj
Koha Javore