Laureta Meci: Ëndërroj të përfaqësoj Shqipërinë në Eurosong

February 28, 2009   | Lajmet / Vijesti

laureta-meciËshtë nga Kuçova dhe ka emigruar në Amerikë në vitin 1998 me vizë studenti nga Athina, me ndihmën e një mikes së saj greko-amerikane, e cila mundësoi vizën amerikane. Më pas u prezantua me një producent, i cili në atë kohë punonte për MTV. Ai vlerësoi aftësitë e Lauretës dhe dritat jeshile filluan të hapen njëra pas tjetrës. Më pas shkoi në një shkollë aktrimi, ku u njoh me degëzimet e këtij profesioni, si dhe me aktivistë të tjerë, derisa filloi veprimtaria konkrete. Vajza simpatike 28-vjeçare tregon për karrierën dhe jetën private në SHBA si dhe për surprizën që iu bëri fansave për Krishtlindje me këngën “Santa Baby”.

Si lindi ideja për të kënduar “Santa Baby”?

“Santa Baby” është një këngë tradicionale amerikane, tepër e njohur dhe shumë e dashur, sidomos në këtë sesion dhe kjo ishte ideja e ekipit tim dhe e adhuruesve të mi. Gjithmonë kisha dëshirë të realizoja një këngë dhe video për Krishtlindjet dhe kjo u bë e mundur këtë vit. Koncepti i videos është i bazuar në disa foto, që kam bërë para pak kohësh, tepër të pëlqyera nga adhuruesit e mi.

Na thuaj disa nga projektet për vitin 2009?

Po punoj në disa projekte të reja! Disa këngë dhe video njëra prej të cilave titullohet “Set your soul free”, gjithashtu jam në përfundim të filmit të dytë “Shadow kill 2”, i cili në këto momente ndodhet në post-produksion.

Ku do të fokusohesh, në kinema, këngë apo si modele?

Dëshirën e kam të fokusohem te kënga, por nëse më jepet ndonjë oportunitet tjetër qoftë në aktrim apo si modele, sigurisht që do ta shfrytëzoj rastin.

Propozimi më interesant për vitin 2009?

Të realizoj një këngë shqip në studiot në Manhattan.

Ku synon të arrish?

As vetë nuk e di…. por jam tepër e kënaqur deri më tani që më është dhënë mundësia të ushtroj një profesion, që e admiroj dhe që e kam ëndërruar përherë.

Studimet e tua për çfarë janë?

Studimet i kam mbaruar për “Communication”.

Plane konkrete për ta zhvilluar karrierën edhe në Shqipëri…

Plane konkrete nuk kam pasi duhet të shkëputem për një kohë të gjatë nga projektet e mia këtu, dhe për momentin nuk mundem… Por një gjë që e kam premtuar, do ta realizoj. Do të më pëlqente një dite të përfaqësoja Shqipërinë, vendin tim të dashur në Eurovision.

Shërbimi më i bukur fotografik cili ka qenë?

Fotot dhe videoja e “Santa Baby”.

Komplementet që të kanë mbetur në mendje si profesioniste në këngë, modele apo kinema?

Ato që më kanë mbetur më shumë në mëndje janë komplimentet në drejtim të aktrimit ku cilësojnë: “Na bën krenar ne shqiptarëve”.

Në Amerikë a e pohon se je shqiptare dhe si janë reagimet?

Sigurisht dhe e them me shumë kënaqësi. Reagimi është që kanë shumë pak njohuri për vendin tonë dhe duhet të shpjegoj prejardhjen time. Këtu në Amerikë nuk bëhet fjalë për diskriminim ndaj asnjë të huaji.

Meqë je modele dhe aktore, do të pranoje një shërbim fotografik nudo ose një skene filmi erotik?

Absolutisht jo, gjithçka është e limituar qoftë edhe në profesion, të paktën për mendimin tim.

A është shqiptar djali që dashuron?

Djali që dashuroj është i huaj (amerikan) dhe është në të njëjtin profesion, pak a shumë punon për median.

Je e kënaqur nga jeta që bën dhe a e mendon ndonjëherë përgjithmonë në Shqipëri?

Jam tepër e kënaqur aq më tepër që më janë dashur vite të vështira të arrij këto momente. E mendoj shpeshherë kthimin tim në Shqipëri dhe kam shumë nostalgji dhe mall, por këtë të fundit vetëm koha do ta tregojë.

PanoramaPlus


YouTube Preview Image