Kejsi Tola: Flaka nuk vjen me mua

March 8, 2009   | Lajmet / Vijesti

kejsi_tolaKejsi Tola do të jetë këngëtarja konkurrente më e vogël këtë vit në Eurovizion.
Sapo është kthyer nga Gjermania, ku ka regjistruar këngën e saj në versionin anglisht, që do ta këndojë më 12 maj në Festivalin Evropian në Rusi. Por e përfolur për qëndrimin statik në Festivalin e 47-të të Këngës në RTSH, patjetër i duhet të ndryshojë. Si do të arrijë të jetë më e zhdërvjellët, dhe natyrisht më elegante. 16 vjeçarja tregon se për të qenë në formë do bëjë gjithçka, që do t’i këshillojë koreografi i saj, Julian Bulku:

Sapo je kthyer nga Gjermania ku regjistrove këngën “Më merr në ëndërr” në versionin anglisht. Çfarë ka ndryshe ky variant i ri?
Varianti anglisht i këngës titullohet “Care me in your dreams”, është e riorkestruar dhe regjistruar në studion muzikore gjermane “Dorian Grei”. Kënga e ripunuar është më e fuqishme, ritmike, rinore, e fortë dhe besoj që do të ketë sukses. Teksti është përkthyer nga June Myftaraj Taylor.

Po në Gjermani janë realizuar dhe xhirimet për klipin, mund të na thuash detaje?
Po sapo kemi përfunduar xhirimet në Gjermani. Klipi është duke u montuar dhe do të fillojë të transmetohet në televizionet shqiptare shumë shpejt. Ajo që do të shihni aty është dëbora që kishte mbuluar Gjermaninë, një djalë bjond gjerman 20 vjeçar, dhe unë padyshim me të njëjtën gjatësi dhe ngjyrë flokësh.

Na thuaj më shumë rreth stafit që fshihet pas Kejsit, për këtë konkurrim në Eurovizion…
Stiliste do të jetë Anila Zajmi, do të jenë tre balerinë djem që do më shoqërojnë në skenë, dhe dy këngëtare të njohur, të cilët ende nuk janë përzgjedhur.

Thuhet që keni kërkuar Flaka Krelanin për të qenë njëra nga këngëtaret shoqëruese. Është e vërtetë?
Jo nuk do të jetë Flaka. Por patjetër që këngëtarët që do më shoqërojnë do të jenë më të mirat.

Julian Bulku, koreografi i Kalomires në Eurovizionin e vitit të kaluar do të jetë koreografi yt këtë vit. Çfarë mendon se do ndryshojë në perfomancën tënde?
Juliani, i cili jeton në Greqi ishte para pak ditësh këtu dhe biseduam paraprakisht për koreografinë. Ende s’kam filluar të bëj prova por duke parë këngën e këngëtares vitin e kaluar, më pëlqente këngëtarja greke, ishte në sinkroni me këngën dhe balerinët. Këtë besoj do ta arrij dhe unë.

Por ajo që kemi parë tek këngëtaret e tjera kanë qenë trupa të tonifikuar, zhdërvjellësi. Sa mendoni se do arrini të prezantoheni si e tillë?
Do bëj maksimumin për të qenë në formë. Tashmë jam 3-4 kg mbipeshë dhe do bëj gjithçka që të dobësohem. Shumë shpejt do filloj të kem një regjim të plotë me ushqimin, do mbaj dietë me ushqime të shëndetshme, të bëj palestër. Gjithçka do të jetë e llogaritur nga vetë Juliani.

Sa e përgatitur je për atë skenë?
Di që shpeshherë këngëtarët janë ndier shumë të emocionuar atje. Për momentin nuk ndiej frikë, por ndoshta sa të afrohet data e Festivalit mbase do ndiej ankth.

I ke dëgjuar këngët e tjera konkurente?
Po, deri tani kam dëgjuar këngët rumune, greke, turke, dhe atë të Qipros.

Por ti je më e vogla, me këngëtare tjetër po kaq të re konkuron?
Di që këngëtarja e Qipros është 17 vjeçe.

Çfarë mendon për këngëtarët, që kanë përfaqësuar Shqipërinë më parë në Eurovizion?
Mendoj se Shqipëria nuk ka pasur përfaqësime shumë të mira. Unë do përpiqem të jap më të mirën.

Ekzistojnë “hile”, që kompozitori Edmond Zhulali t’i ka mësuar për të pasur sukses?
Nuk mund t’i quaj “hile”, janë vetëm sekrete profesionale që duhet t’i mësojë çdo këngëtar.

Ke besim në një përfaqësim të mirë dhe çfarë pretendon?
Pretendoj të realizoj një performancë të mirë, që të mos i zhgënjej shqiptarët. Kam besim që do dal mirë, se gjithmonë kam besuar në veten time.

Je supersticioze?
Jo nuk jam supersticioze. E vetmja gjë është të mbaj përgjegjësi për këngën.

PanoramaPlus

YouTube Preview Image