Labinot Rexha realizon një këngë të re

March 13, 2009   | Lajmet / Vijesti

labinot-rexha10Kënga e vjetër ‘Çohu, Rexho’ vjen e ripërpunuar
“Kam pasur dëshirë të kamotshme për ta realizuar këtë këngë. Është vlera e artit tonë dhe është hera  e parë që  po vizuelizohet kjo këngë e vjetër nga unë”, ka thënë Labi
Labinot Rexha, tashmë i njohur jo vetëm në Gjenevë, por edhe në Kosovë, sapo ka lansuar këngën më të re, të quajtur “Çohu, Rexho”. Është hera e parë që një këngëtar ka realizuar këtë këngë, historia e së cilës është e njohur për tërë opinionin, një këngë e vjetër, e ripërpunuar nga Labi. “Kam pasur dëshirë të kamotshme për ta realizuar këtë këngë. Është vlera e artit tonë dhe është hera  e parë që  po vizuelizohet kjo këngë e vjetër nga unë”, shprehet ai për “Kosova Sot”. Labi nuk dyshon në suksesin e këngës, sepse publiku ka pasur nevojë për këtë këngë. Labi deri më tani i ka të realizuara pesë albume dhe katër videoklipe dhe në pjesën dërmuese të këngëve bashkëpunon me Valton Beqirin. Kënga që i ka sjellë sukses deri më tani është “Ti nuk mendon”, mirëpo tani me realizimin e klipit të këngës “Çohu, Rexho” sukseset do të rriten edhe më shumë, meqë ka bërë një punë të madhe, me një staf të zgjeruar të ekipit. “Sapo kam përfunduar  videoklipin më të ri,  apo mund të them filmin e metrazhit të shkurtër të këngës së vjetër ‘Çohu, Rexho’. Kam  punuar me aktorë më të mirë të Teatrit të Gjakovës, si Hadi Shehu, Mehdi Popaj, Miradije Muriqi, Rrustem Latifi, Ngadhnjim Popaj, Qëndresa Popaj, me skenografi dhe regji të Sylejman Popajt”, shton Labi. Sipas tij, spoti është punuar nga produksioni “Pasha-dv” nga Prizreni, kurse xhirimet janë bërë në fshatin Drenoc të Deçanit. “I falënderoj ato familje që na mundësuan në ato kulla të vjetra të bëjmë këtë realizim, e po ashtu edhe ato nga Anadrini dhe Gjakova”, thotë Labi.
Këngëtari ka shumë vizione për të ardhmen, ai pas këtij lansimi do të nisë punën edhe për disa projekte të reja, të cilat do t’i përgatitë me klaviaturistin Zakir Popaj. “Dëshiroj të realizoj ëndrrën e babait tim të ndjerë, pasi  ai tash fizikisht është ndarë nga ne,  por  gjithmonë ishte optimist që unë një ditë  do të bëhem një solist i mirë”, shprehet ai. Dëshira për të qenë një këngëtar profesionist e ka shtyrë që të studiojë në Fakultetin e Muzikës në Gjenevë. Shkollën e ulët të muzikës e ka të përfunduar në Prizren dhe pas  migrimit të tij në Gjenevë ka vazhduar shkollimin në këtë profesion, në të cilin vend ka shumë adhurues. “Kam shumë adhurues këtu ku jetoj dhe nëpër shtetet e tjera. Thuajse në çdo javë kam mbrëmje muzikore në Gjermani, në Austri, në Zvicër, etj”, thekson ai. Përveç këngës, Labi merret edhe me aktivitete sportive, e pëlqen boksin dhe luan në një klub në Gjenevë. “Boksi është sporti që e adhuroj më së shumti. Zakonisht, kohën e lirë e kaloj në një klub aty ku jetoj dhe boksoj dy herë në javë”, thotë ai. Mirëpo, kohën e lirë, thotë se e pëlqen për ta kaluar edhe me familje dhe me shoqëri.

K. BAJRAMI
Kosova Sot

YouTube Preview Image