Ali Rexha, bartës i Listës për deputetë i Partisë së Prosperitetit Demokratik

March 16, 2009   | Shtypi / Mediji

ali-rexha-per-deputet-i-ppd_se1. Ndryshe nga zgjedhjet e deritashme, pres që premtimet e dhëna, disa bile edhe të përsëritura gjithmonë para zgjedhjeve, kësaj radhe të plotësohen. Pres që të drejtat e pakicave, në veçanti të shqiptarëve, të garantuara me ligjet dhe konventat evropiane dhe të përfshira në Kushtetutën e Malit të Zi si një nga kushtet kryesore për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, të jetësohen në tërësi. Pres që këto të drejta të garantuara, si e drejta e identitetit, e drejta e përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare në jetën private, publike dhe zyrtare, e drejta për zhvillim dhe ruajtje të kulturës dhe traditës, të drejta të veçanta në fushën e shkollimit, e drejta në pjesëmarrje efikase në jetën shoqërore dhe kontakte e bashkëpunim ndërkombëtar e shumë të tjera, të mos mbeten vetëm shkronja të thata në Kushtetutë të cilat përdoren për të bindur opinionin ndërkombëtar se ato ekzistojnë sipas nevojës.
Vetëm me jetësimin e tërësishëm të këtyre të drejtave, edhe shqiptarët mund të ecin kryelartë në mesin e të barabartëve.

2. Jemi dëshmitarë se shqiptarëve kurrë nuk u ka munguar dhe nuk do t’u mungojë patriotizmi. Por, gjithashtu jemi dëshmitarë se shqiptarët dita-ditës po vetëdijësohen dhe po e kuptojnë se vetëm patriotizmi, pa një politikë me vizion të qartë, e mbështetur me një mirëqenie ekonomike, nuk mjafton për t’u integruar në rrjedhat bashkëkohore. Lista e PPD-së ku të gjitha ndasitë shqiptare janë të harmonizuara, ku janë gërshetuar përvoja me energjinë rinore, ku femrës i është dhënë një hapësirë e gjerë veprimi, premton plotësimin e kërkesave dhe nevojave të shumta të shqiptarëve në Mal të Zi.
Koha do ta dëshmojë se emri i të zgjedhurve në listën e PPD-së nuk është vënë sa për të figuruar, por të gjithë ata të zgjedhur janë të vullnetshëm dhe kanë elan për të punuar për të mirën e kombit.

3. Personalisht i njoh të gjithë të kandiduarit dhe bartësit e listave të partive shqiptare në këto zgjedhje. Përparësia ime në krahasim me disa nga kandidatët e tjerë është risia që sjell një imazh të ri politik në skenën politike të Malit të Zi, nga njëra anë, dhe përvoja ime shumëvjeçare në organizatat më eminente ndërkombetare, në Mal të Zi, në rajon dhe nëpër botë, nga ana tjetër.
Në çdo mënyrë jam munduar të kontribuoj edhe atëherë për vendlindjen dhe popullin tim ndonëse nuk kam pasur asnjë interes për pozitë politike. Atë se ç’kam bërë e dinë mirë udhëheqësit e institucioneve shkollore e publike në Ulqin, në Anë të Malit, Krajë, Shtoj dhe shumë komuna të tjera në Mal të Zi, por për të respektuar hapësirën që ma keni rezervuar, nuk po i ceki një nga një. E ndjej si obligim që këtë përvojë të përfituar ta shfrytëzoj për prosperitetin e popullit tim.
Në fund më lejoni t’u dëshiroj të gjithë kandidatëve fushatë të mbarë, të qetë dhe të ndershme..

Koha Javore