Video – Genci Nimanbegu, bartës i Listës për deputetë Forca – Nazif Cungu

March 16, 2009   | Intervista / Intervju

nova-demokratska-snaga-forca_genci-nimanbegu

Kush do t’i përfaqësojë shqiptarët

Bëhen të ditura koalicionet dhe partitë që do të garojnë në njësinë e veçantë zgjedhore me shumicë shqiptare
1. Çfarë prisni nga këto zgjedhje parlamentare?
2. Pse duhet t’Ju votojnë shqiptarët?
3. Cila është përparësia Juaj në krahasim me bartësit e listave të tjera për deputetë që garojnë në njësinë zgjedhore me shumicë shqiptare?

Genci Nimanbegu, bartës i Listës për deputetë i FORCA-s – Nazif Cungu

1. Ne në këto zgjedhje parlamentare presim që votuesi shqiptar të jetë ndërgjegjësuar dhe ta ketë kuptuar mirë që partitë politike shqiptare që kanë pasur pushtet deri tani janë provuar tashmë, janë shterruar dhe e kanë dëshmuar mjaft herë që nuk janë të afta t’i japin përgjigje elektoratit dhe të përmirësojnë gjendjen e popullsisë. Ato janë shterruar dhe nuk janë rigjeneruar prej kohësh, janë bërë pronë private e liderëve të tyre, nuk kanë demokraci të brendshme dhe nuk prodhojnë asnjë platformë apo program për të zgjidhur çështjet që kanë rëndësi për shqiptarët. Ne mendojmë se këto janë zgjedhjet e ndryshimit dhe se votuesi kërkon rotacionin duke na dhënë neve të Forcës shansin që të provohemi me përgjegjësi.
Forca e Re Demokratike gjatë kësaj periudhe është forcuar edhe më tej, ka zgjeruar ndjeshëm anëtarësinë edhe pse nuk kemi qenë në pushtet e nuk kemi futur njerëz në punë apo nuk kemi dhënë tendera sikurse bëjnë partitë e tjera për të marrë mbështetje publike.
Prandaj këto zgjedhje do të vërtetojnë se e drejta, ideali, cilësia ka për të triumfuar.

2. Unë besoj se ne përfaqësojmë më mirë interesat e shqiptarëve, nuk kemi bërë ndonjëherë kompromis me pushtetin në kurriz të interesit të votuesve. Ne jo vetëm kemi integritet e nuk jemi përlyer, por kemi në parti kuadro të shquar, të cilët e kanë dëshmuar veten si profesionistë të zotë në fushat e tyre dhe politikën nuk e kanë zanat të tyre të parë, mund ta sigurojnë jetën edhe pa të. Ata nuk e shohin politikën si mundësi për ta mjelur dhe shfrytëzuar, por e shohin si vokacion, si një mision, si një mjet të domosdoshëm për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët. Gjithashtu Forca ka anëtarësi të larmishme duke patur njerëz nga shoqëria civile, bota e biznesit, bota akademike e mbi të gjitha shumë të rinj, me energji dhe entuziazëm. Anëtarët tanë janë të të gjitha krahinave dhe përkatësive fetare dhe ne funksionojmë me demokraci të brendshme e jo si të tjerët. Por mbi të gjitha unë mendoj se shqiptarët duhet ta votojnë Forcën sepse ne nuk kemi vetëm vullnetin e mirë, integritetin dhe ndershmërinë, si dhe kuadrot e aftë për të qeverisur më mirë, por edhe sepse ne kemi vizion, kemi platformë dhe projekt të qartë me ide dhe veprime për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve këtu.

3. Përparësia ime ndaj të tjerëve është se unë nuk vij këtu thjesht si individ, por vij të përfaqësohem si pjesë e një ekipi më të gjerë kuadrosh. Dhe ajo që është më e rëndësishme, unë do shërbej si zëri i disa qëllimeve fisnike që synojnë katër integrime.
Së pari mes nesh, ne si Forcë duam të eliminojmë përçarjen krahinore, fetare dhe politike që ka lulëzuar mes shqiptarëve gjë që e kemi dëshmuar edhe me përpjekjet e palodhura tona për të mundësuar një koalicion të gjerë shqiptar dhe për të mundësuar pajtimin e fraksioneve të ndryshme brenda partive të tjera shqiptare si Alternativa dhe Aleanca.
Së dyti, ne duam të rrisim integrimin me viset e tjera të banuara me shqiptarë, duke shtuar bashkëpunimin dhe lidhjen me të gjithë bashkëkombësit.
Së treti, ne duam të integrohemi më mirë me pjesën tjetër të Malit të Zi në mënyrë që shqiptarët të mos diskriminohen më në këtë shtet dhe zëri i tyre të dëgjohet fortë në Podgoricë.
Së katërti, ne do kontribuojmë për përshpejtimin e integrimit evropian pasi vetëm brenda Evropës ne do kemi standarde të larta jete dhe do gëzojmë respektimin e plotë të identitetit tonë kombëtar. Ne mendojmë se ashtu sikurse pjesëmarrja e shqiptarëve në referendumin për pavarësi ishte vendimtare për krijimin e Malit të Zi, kontributi i shqiptarëve do të jetë i rëndësishëm edhe për të realizuar integrimin euro-atlantik të shtetit tonë.

Koha Javore

http://forca.me/images/stories/videos/FORCA_promo.flv