Ndryshimi që po kaplon skenën politike shqiptare

March 23, 2009   | Politika

ali-rexha-per-deputet-i-ppd_seNë dallim prej disa politikanëve të cilët deklarojnë se kanë suksese të shumta, me keqardhje duhet të shtoj se ato nuk do të arriheshin sikur të mos ishin të parapërcaktuara me konventa të ndryshme evropiane. Unë do të përmend disa nga problemet kyçe me të cilat ne si parti do të merremi. Sa për fillim duam të informojmë publikun se për t`u kyçur në rrjedhat evropiane, qeveritë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e këtu hyn edhe Qeveria e Malit të Zi, marrin ndihma të konsiderueshme nga Komisioni Evropian me qëllim që shteti përkatës të ketë mjete te mjaftueshme financiare për të miratuar ligjet të cilat kërkohen dhe janë të domosdoshme të përmbushen që një shtet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. N e me këmbëngulje do të kërkojmë përmbushjen e të gjitha të drejtave të garantuara që na takojnë.
Në mesin e ligjeve të domosdoshme janë edhe ligjet për mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë, në këtë rast, të popullit shqiptar, si minoritet etnik në këto treva. Disa nga të drejtat të cilat garantohen nga Bashkimi Evropian dhe me Traktate të shumta evropiane janë – e drejta e identitetit, e drejta e përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare në jetën private, publike dhe zyrtare; e drejta për zhvillimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditës, të drejta të veçanta në fushën e shkollimit, e drejta e pjesëmarrjes efikase në jetën shoqërore, e bashkëpunimit ndërkombëtar etj. Vetëm me jetësimin e tërësishëm të këtyre të drejtave e jo me propozimin e amendamenteve të shterpe sa për të deklaruar se diçka është punuar, edhe shqiptarët mund të pohojnë se janë qytetarë të barabartë me të tjerët.

Në fushën e arsimit, Kushtetuta e Malit të Zi si dhe ligjet përkatëse garantojnë konditat e barabarta për edukimin dhe arsimimin e të gjithë të rinjve dhe të rejave. Është e vërtetë se shqiptarët gëzojnë edhe në praktikë këtë të drejtë, por duhet cekur që plan-programet mësimore, sidomos ai i gjuhës, historisë, arteve, kanë të bëjnë fare pak ose aspak me kulturën shqiptare.

Siç është cekur edhe në platformën tonë politike, për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe do të duhej të themelohej një subjekt, Qendra Rajonale për Arsimin në Gjuhën Shqipe, i cili do të hartonte një mehanizëm të veçantë që do të merrej me kontrollimin dhe hartimin e plan-programeve mësimore, përgaditjen e teksteve shkollore, administratën pedagogjike etj. Kjo Qendër do të ishte subjekt i veçantë i cili do të funskiononte në kuadër të Këshillit Nacional Shqiptar dhe selinë e vet do ta kishte në Tuz – si vendi më i përshtatshëm pos tjerash edhe për shkak të afërsisë gjeografike me kryeqendrën e Malit të Zi ku veprojnë ambasada dhe organizata të huaja të shumta. Vetëkuptohet që kjo zyrë dhe të punësuarit në të do të financoheshin nga buxheti republikan.

Si një nga problemet me të cilat do të duhej të merrej kjo Qendër është edhe një çështje shumë specifike me të cilën nuk jemi marrë aq sa duhet dhe e cila meriton një angazhim të veçantë dhe profesional: pozita e fëmijeve me aftësi të kufizuara..

Një nga problemet e tjera kyçe të shoqërisë sonë, me të cilin ne si Parti do të merremi me shumë seriozitet është edhe çështja e korrupsionit. Po ashtu do të merremi edhe me familjarizmin, konfliktin e interesave dhe dukuri të tjera negative të cilat kanë kapluar shoqërinë tonë dhe të cilart si të tilla kërcënojnë të drejtat dhe liritë elementare të njeriut si dhe mohojnë sundimin e ligjit dhe zvogëlojnë besimin e njerëzve në përmbushjen demokratike të pushtetit. Lufta kundër këtyre dukurive do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe më të domosdoshme me te cilën do të merret PPD edhe në nivelin republikan por edhe në atë lokal.

Shfrytëzoj rastin të kujtoj opinionin se ditëve të fundit, duke u ballafaquar me 6 kandidatët të cilët kërkojnë votën tuaj, filluam të kuptojmë se nëse duam të ndryshojmë sitautën së pari duhet të ndryshojmë VETEN. E për të ndryshuar veten në mënyrë efikase në fillim duhet të ndryshojmë pikëpamjet tona ose më saktësisht të ndryshojmë situatën faktike të cilën e kemi trashëguar nga kohërat e shkuara. Ne në PPD kemi kuptuar dhe besoj që edhe zgjedhësit dita e ditës e kanë më të qartë se skena politike duhet domosdo të ndërrohet. Këto zgjedhje do të dëshmojnë se ne si shqiptarë përfundimisht duhet të pajtohemi me realitetin e palakmueshëm dhe në mënyrë kolektive të pranojmë dobësitë tona.

Nuk dëshërojmjë të kritikojmë dobësitë e njerëzve të tjerë, e as të zhytemi në mënyrë fajësuese dhe akuzuese por, duke qenë prore aktivë e duke parë me keqardhje dobësitë e të tjerëve, por edhe tonat, jemi të mendimit se ka ardhur momenti që duke kritikuar jo vetëm për hir të kritikës por për të dhënë opcione të cilat i përshtaten kohës, t’i cekim këto dështime të politikës nacionale e cila kushtëzohej nga faktorët e brendshëm dhe ato të jashtëm.

Dështimi i parë i subjektit të parë politik shqiptar qëndron në organizimin e subjektit përmes degëve të cilat prodhuan vetëm lokalizma dhe krahinorizma e përçarje të tjera fetare. Nga këto degë politike u formuan parti politike.

Dështimi i dytë: Subjekti apo subjektet shqiptare asokohe nuk patën një platformë unike, e as një strategji të qartë mbi çështjen e privatizimit. Në kohën kur po bëhej privatizimi, Komuna e Ulqinit, me pushtet shqiptar, nuk u kyç në procesin e privatizimit, duke dashur ta injorojë atë. Mirëpo, kjo strategji u tregua e gabuar dhe e dështuar sepse privatizimi ndodhi, e falë politikës së këtillë të politikanëve të asaj kohe, të cilët sot janë bartës të listës shqiptare, Komuna e Ulqinit nga 21 komunat e Malit të Zi, është komuna e vetme e cila nuk ka hise në ndërmarrjet ish-komuniste. Ky është problem që duhet të na shqetësojë të gjithëve, e me këtë duhet të merret Parlamenti Republikan.

Dështimi i tretë: Edhe pse nuk pati vendim të Kuvendit të Komunës së Ulqinit rreth çështjes së privatizimit që në atë kohë, gjatë viteve `90-ta kur ndërmarrjet shoqërore u bënë ndërmarrje ekonomike, dhe kur politika e LD vendosi ta bojkotojë, një grup afaristësh ulqinakë e thyen principin e bojkotit duke menduar se me kapitalin personal do të arrijnë të përfitojnë duke privatizuar pjesë të komplekseve turistike. Mirëpo, ndodhi që humbën “davanë” kur me persona të lidhur me qeverinë u kyçën në privatizimin e vetëm një numri të vogël të objekteve në disa zona të ngushta të qytetit. E kur dolën të mashtruar nga ky ‘bashkpunim’ filluan të flasin me gjuhën e forcës dhe patriotizmit.

Dështimi i katërt është mosrespektimi i vendimeve të Kuvendit Komunal të Ulqinit të cilat ishin kundër vendimeve jolegjitime të Qeverisë së Malit të Zi mbi Të Mirat Detare. Çuditërsht, po ata të cilët sot janë më të zëshmit kundër Të Mirave Detare dhe sot gjuajnë qeverinë me gurë, ishin të parët të cilët filluan të bashkpunojnë me po këto të Mira Detare.

Përvoja ime shumëvjeçare me institucione eminente ndërkombetare, dhe deri diku njohës mjaft i mirë i rrethanave shqiptaro- amerikane, më nxit të besoj se koordinimi i politikës nacionale me biznesin vendas dhe kapitalin e diasporës shqiptare bashkë me kapitalin amerikan do të rezultonte në kyçjen aktive të kapitalit shqiptaro-amerikan në procesin e privatizimit. Sikur kjo të ndodhte, sot me siguri nuk do të ishim pala e humbur.

Përpos fakteve të lartpërmendura, sidomos tani para zgjedhjeve, paraqitet fenomeni i lëvizjeve, grupimeve të ndryshme të cilat me mënyrat e tejkaluara të të menduarit ngacmojnë ndjenjat kombëtare duke e shtyrë votuesin shqiptar të mbetet i mbyllur në një geto, ndonëse e dinë fare mirë se ka ardhur koha e integrimeve ku kërkohet të jemi të hapur njëkohësisht qoftë ndaj Malit të Zi, qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj biznesit ndërkombëtar. Në këtë shekull të Internetit këto lloj pikëpamjesh tona tejet konservatore po mbjellin frikë dhe pasiguri te kapitali i huaj i cili nga sjelljet dhe veprimet tona mund të dyshojë se nuk është i mirëseardhur këtu.
Ndaj, sipas mendimit tim, nuk do të vjen as deri te valorizimi i Valdanosit, e as valorizimi i Plazhit të Madh e as Adës, deri kur vet populli i Ulqinit, subjektet nacionale shqiptare, por edhe partia në pushtet të mos ta kenë të qartë se investuesit e huaj nuk mund të mashtrohen, e aq me pak të joshen në këtë kohë të krizës globale nëse nuk ndërrojmë sjelljen dhe botëkuptimet tona.
Si shembull po marr Plazhin e Madh. Ne duhet ta dimë që kompleksi i Plazhit te Madh është kompleks natyror i cili na bashkon me Shqipërinë dhe duhet ta kemi të qartë se tani është momenti për projekte rajonale të cilat i përkrah edhe Banka Botërore për Zhvillim. Trojet shqiptare në Mal të Zi kanë resurse të shumta natyrore për projekte të tilla.

Dhe në fund, vota Juaj e dhënë për PPD-në, Nr.11, Ali Rexha, është investim për të ardhmen dhe ndryshimin. Në dallim prej disa partive, nuk do të bëj asnjë investim afatshkurtër parazgjedhor. Elektoratit nuk do t’i jap as premtime të cilat do t’i marrë era menjëherë pas ditës së votimeve. Thjesht kërkoj nga elektorati shqiptar, nga votuesi, të më besojë në fjalën e dhënë, se me përkushtim të thellë do të ngris zërin për të përcjellur kërkesat reale dhe nevojat e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi.
Vota Juaj do të më obligonte të jap maksimumin në përshpejtimin e miratimit të Ligjeve evropiane të cilat përmirësojnë pozitën e shqiptarëve, ligje këto të garantuara dhe obliguese për Qeverinë e Malit të Zi. Me votën Tuaj rreth vetes do të grumbulloj specialistë shqiptarë me përvojë ndërkombëtare mbi këtë materie.
Jam i bindur se votuesi shqiptar ndjen ndryshimin që po kaplon skenën politike.
Ali Rexha
Koha Javore

5