Për pranin e Skënder Hysenit në Çeki, Zannieri qetëson Serbinë

March 29, 2009   | Rajoni / Region

skender-hyseni-ne-takimin-joformal-te-ministrave-te-jashtem-te-be-se-ne-cekiSerbia nuk ka reaguar ndaj pranisë së ministrit të Jashtëm të Kosovës në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Çeki. Vuk Jeremic ka thënë se Hyseni ishte pjesë e delegacionit të UNMIK-ut të udhëhequr nga Lamberto Zannieri. Zyrtarë të UNMIK-ut, megjithatë, thonë se Zannieri ka marrë ftesë të veçantë. Në këtë samit, drejtuesit e BE-së përsëritën se Ballkani e ka vendin në këtë bllok.

Prania e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Çeki, nuk ka nxitur reagimin e Serbisë, pasi sipas zyrtarëve të këtij shteti, Hyseni ka qenë pjesë përbërëse e delegacionit të UNMIK-ut.

Zyrtarët serbë kanë kërkuar vazhdimisht që zyrtarët kosovarë të shoqërohen nga ata të UNMIK-ut nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare. Këtë kërkesë në mënyrë eksplicite e ka bërë presidenti i Serbisë, Boris Tadic në seancën e fundit të KS të OKB-së kushtuar Kosovës.

Por zyrtarë të UNMIK-ut kanë deklaruar për gazetën se Zannieri ka marrë ftesë të veçantë për të udhëtuar në Çeki, sikurse edhe Hyseni. Në këtë mënyrë ata kanë përjashtuar mundësinë që Hyseni të ketë qenë pjesë e delegacionit të UNMIK-ut.

Sidoqoftë, edhe pse kanë marrë ftesa të veçanta, prania e shefit të UNMIK-ut në këtë takim ka relaksuar përfaqësuesin e Serbisë, Vuk Jeremic, i cili Zannierin e ka prezantuar si shef të Hysenit në këtë takim.

Në një prononcim për media, Jeremic ka thënë se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova, e as nga rruga e integrimit në BE. “Në Ballkanin Perëndimor ka një seri të çështjeve të pazgjidhura. Duhet të gjejmë mënyra për t’i zgjidhur në ecje ato. Disa çështje të tilla për Serbinë janë delikate dhe të ndërlikuara. Këtu bëhet fjalë para së gjithash për statusin e ardhshëm të krahinës jugore, Kosovës dhe Metohisë. Në lidhje me këtë, Serbia nuk do të heqë dorë kurrsesi nga imperativi kushtetues”, ka thënë Jeremic.

Sidoqoftë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili në Çeki ka udhëtuar pas qëndrimit në New York, ka deklaruar se prania e tij është mirëpritur nga shefat e diplomacive europiane “duke pasur parasysh të arriturat që Kosova ka bërë në të gjitha planet që nga shpallja e pavarësisë”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotshëm të Gazetës Express.

Gazeta Express